Kulturë

Jericho nuk ndryshon as 20 vjet pas themelimit

Të pakta janë grupet muzikore shqiptare, të cilat kanë arritur t’i qëndrojnë kohës dhe të vazhdojnë aktivitetin së bashku.

Shumë prej tyre janë shpërbërë dhe sot mund t’i kujtojmë vetëm si emra dhe ndonjë hit të tyre, e të tjera grupe, duke u ndikuar nga ndryshimet e shijeve të audiencës, kanë dalë tërësisht nga ajo që prodhonin dikur.

Mirëpo, një ndër grupet muzikore më origjinale dhe që po arrin t’i tejkalojë barrierat, pa dyshim mbetet Jericho, që sivjet po shënon 20-vjetorin e themelimit.

Megjithëse, jo shpesh, rok-grupi i njohur vazhdon të vijë me projekte të reja muzikore, përmes të cilave, pos tjerash, ruhet dhe promovohet edhe muzika tradicionale etnike shqiptare, gjë e cila edhe e karakterizon bendin në fjalë.

Djemtë e grupit po ashtu në këngët e tyre kanë prekur edhe tema të rëndësishme, që ndërlidhen drejtpërdrejt me shoqërinë. Kujtojmë këtu “Kur do të pushoj kjo këngë”, dedikuar personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Ndërkaq, “Tomlin e nanës”, “Zgjohu”, “Kanga jonë, “Nëntori i ftohtë” e “Kanga e Ashikëve” janë vetëm disa prej hiteve të mëdha të Jerichos.

Pjesëmarrjet nëpër festivale e ngjarje të tjera muzikore e karakterizojnë karrierën e grupit.

“Jericho” sot mbetet ndër grupet më të respektuara nga publiku për artin që kultivon në një periudhë kur kërkohet krejt diçka tjetër.