Kulturë

Gjilani bëhet me objekt të bibliotekës 3200 metrash katrorë

Descriptive Text

Komuna e Gjilanit ka inauguruar sot objektin gjigant të bibliotekës regjionale “Fan S. Noli”, i cili është ndërtuar sipas standardeve europiane me financim të Komisionit Europian në vlerë prej 2.3 milionë euro.

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, me rastin e inaugurimit të saj rikujtoi se administrata e kaluar e kishte nisur këtë projekt, por unë e kam gjetur të ndalur. Kemi arritur me komunikim të vazhdueshëm me Zyrën e BE-së që t’i tejkalojmë problemet e kohës dhe operatori i ri ka arritur që ta përfundojë në afat rekord, tha ai.

Haziri tregoi se ky objekt ka mbi 3200 metra katrorë sipërfaqe dhe do të jetë një mundësi e mirë për dashamirët e librit, nxënësit dhe studentët.

Ndërsa, Riccardo Serri, shef i sektorit për Politikë, Ekonomi dhe Integrime Europiane në kuadër të Zyrës së BE-së në Kosovë, theksoi se ndihet i nderuar që po e inauguron këtë objekt.

“Kjo është një shenjë se ne po përpiqemi të kontribuojmë në arsimin dhe çasjen në informacion në Kosovë. Uroj që qytetarët e Gjilanit të përfitojnë plotësisht dhe të lexojnë sa më shumë libra”, tha Serri.

Përveç ndërtimit të bibliotekës, Komisioni Europian ka mbështetur Gjilanin edhe në ndërtimin e parkut në lagjen “Dardania” dhe programin për bashkëpunim ndërkufitar me Komunën e Çairit, ku kanë përfituar zejtarët, përderisa KE është financues edhe i hapjes së vendkalimit ndërkufitar Stançiq-Bellanoc.

{gallery}