Kulturë

“Duet më dallëndyshet” fitues e festivalit për fëmijë “Fluturat 2017”

Në kopshtin e Kino Lumbardhit në Prizren, të hënën në mbrëmje u mbajt festivali i këngës për fëmijë “Fluturat 2017”.

Juria e festivalit: Xhylfidane Hoxha, Gazmend Kraja dhe Shefqet Hoxha – Sheki, çmimin e parë ia ndau këngës “Duhet me dallëndyshet” kënduar nga Mario Zaja, e kompozuar nga Ylli Kalaja. Shpërblimin e parë e ndau ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, raporton Koha.net.

Vendin e dytë juria ia ndau këngës “Kush e hëngri mjaltin”, të kënduar nga Emi Bakia, ndërsa e kompozuar nga Artan Bakia.

Vendi i tretë iu nda këngës “Udha e re”, e kënduar nga Ela Kazaz dhe e kompozuar nga Reshit Ismet.

Dueti më i mirë u shpall ai i Zana dhe Edon Ramadanit, ndërsa për paraqitje më të mirë skenike u vlerësua Kejixhi Bilalaj.

Gjithashtu u nda edhe shpërblimi i revistës “Fidani” për tekstin më të mirë. Kryeredaktori i Revistës “Fidani”, Berat Batiu, “Penën e artë” ia ndau tekstit të këngës “Princeshat”, të autores Hatixhe Ademaj.

Në ndarje të çmimeve Gazmend Kraja shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e festivalit, siç tha ai, mirë të organizuar.