Hajrie Rondo, figura unike e teatrit dhe filmit shqiptar

Hajrie Rondo, figura unike e teatrit dhe filmit shqiptar

11 September 2017 09:45

Familjarë, miq e kolegë i kanë dhënë lamtumirën e fundit aktores shqiptare Hajrie Rondo. Të dielën pas homazheve, Rondo është varrosur në Himarë.

Aktorja, që luajti mbi 120 role në teatër dhe 40 të tjerë në film, ka vdekur të shtunën pas betejës me një sëmundje të rëndë. Ajo ishte 66 vjeç. Rondo është cilësuar si njëra ndër aktoret më të zonja të skenës teatrore dhe të kinematografisë shqiptare. E lindur në Delvinë më 1951, Rondo ishte bërë një ndër figurat unike në ekranin e filmit shqiptar, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Profesioni ynë është jetë që na jep jetë”, kishte thënë ajo në një intervistë në pranverën e këtij viti.

Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës në Shqipëri, ka thënë se Rondo do të mbetet gjithmonë në memorien kulturore shqiptare.

“Ikën nga toka, por jo nga kujtesa kulturore aktorja që dinte ta shihte jetën me ngjyra, prandaj ia dha ato artit. Lamtumirë Hajrie Rondo”, ka shkruar Kumbaro në rrjetin social Facebook. Rondo veçohet në rolin e saj tek filmi “Përrallë nga e kaluara”, ku ka luajtur nënën e dhëndrit 14-vjeçar. Kolegia e saj Elvira Diamnata, e cila në këtë film si Marigoja ishte e reja e Tanës, ka thënë se humbja e Rondos është një dhimbje e madhe për artin shqiptar.

“Kisha dalë për të blerë diçka dhe te TV e pashë, u trondita shumë, Hajria e donte shumë jetën. Ajo ka luftuar fort, që arriti të jetonte edhe kaq gjatë, pasi sëmundja ishte e rëndë. Janë disa gjëra që nuk i kemi në dorë. Më vjen keq për Hajrien, si grua, si njeri, për familjen e saj, por edhe artin”, ka thënë Diamanti.

Sipas saj, Rondo ka lënë si trashëgimi një krijimtari të pasur me role që kanë mbetur në memorien e njerëzve.

“La një krijimtari të pasur, role që kanë mbetur në memorien e njerëzve. Një karrierë edhe si drejtuese në teatrin e Fierit, la shumë miq dhe kolegë, pasi ishte një kolege shumë e mirë”, ka thënë Diamanti.

Sa i përket brezit të saj të artistëve, ajo kishte thënë se për të pasur sukses, fillimisht duhet talenti.

“Mund të dalësh aktor, kaq kuptohet, por kjo ka të bëjë me talentin në radhë të parë. Talentin nuk ta jep njeri borxh, edhe zakonisht kemi vërtetuar që aktorët e talentuar janë dhe punëtorë, kokulur, kanë kallinj me bukë, kështu që janë të pasionuar. Vetëm punojnë. Me kalimin e viteve bëhen profesionistë”, kishte thënë ajo.

Po ashtu, Rondo kishte thënë se gjatë karrierës së saj i ishte përkushtuar shumë punës e për këtë kishte arsye të fortë.

“Profesioni ynë, aktrimi është i nderuar, është i rrallë. Skena është e bukur, por e egër, nuk të mban me hatër”, kishte thënë ajo.

Në tetorin e vitit të kaluar, Rondo kishte pranuar medaljen “Simbol i qytetit” nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Asokohe ajo kishte thënë se atë çfarë mbjell njeriu edhe do ta korrë.

“Unë besoj se në jetën time, në karrierën time kam mbjellë mirë. Kjo ishte si qershia mbi tortë, nuk dija gjë me thënë të drejtën. Vajti mirë çdo gjë, ishte një pritje shumë njerëzore. Unë u ndjeva mirë”, kishte thënë ajo.

Për herë të fundit në skenën teatrore ishte ngjitur në vitin e kaluar për të luajtur në dramën “Tre dhëndurët”, në skenën e Teatrit të Metropolit. Pas premierës, ajo kishte thënë se kishte marrë urime inkurajuese.

“Është kurajë e madhe që unë të ngjitem sërish në skenë dhe kontributi im kësaj here në skenë përkoi me muajin e luftës kundër kancerit të gjirit, ndaj dhe uroj që kjo dalje të shërbejë si mesazh: Se jeta duhet jetuar, sepse është e bukur”, kishte thënë Rondo.

Sa i përket kinematografisë veçohet në rolet e filmave “Nëntori i Dytë”, “Kur vdes në këmbë”, “Petro Nini Luarasi” dhe “Një vit i gjatë”, ku kishte rolin kryesor, dhe në filmin “Midis njerëzve”. Sipas asaj që shkruhet në biografinë e saj, ishte 31-vjeçare kur e interpretoi këtë rol në vitin 1982. Rolin e saj të parë në Teatrin Kombëtar e kishte pasur tek drama “Heronjtë e Linasit”, të Sulejman Pitarkës, që u vu në skenë në vitin 1972. Në qendër ishin dy heronjtë që u sakrifikuan në puset e naftës. Kishte rolin e gruas së heroit që u sakrifikua. Por në vitet kur ajo po përballej me sëmundjen, sipas familjarëve, Rondo ishte harruar nga shteti. Aktorja prej muajsh vuante nga një sëmundje e rëndë, madje dy muaj më parë ajo i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje të vështirë.

“Nuk u kujdes askush për të. E harruan të gjithë. E harroi edhe politika. Pati një ndërhyrje kirurgjike të vështirë kohët e fundit. Kush u kujtua për të? Askush!”, citohet të ketë thënë bashkëshorti i aktores, Kiço Rondo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme