Kulturë

Ka nisur në Prizren Konferenca ballkanike e shkencave për kafshët

Descriptive Text

Prizren, 8 shtator – Ka nisur në universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren punimet konferenca për shkencat e kafshëve, që organizohet nga nikoqiri në bashkëpunim me universitetin “Hasan Prishtina” dhe universitetin “Namik Kemal” nga Tekirdagu i Turqisë.

njoftimit të Zyrës së informimit të UPZ-së, në kuadër të Konferencës së tetë të Ballkanit për shkencat e kafshëve “BALNIMALCON 2017” temat kryesore që do të trajtohen janë: Burimet gjenetike të kafshëve dhe zhvillimi rural, Nutricioni i kafshëve, Riprodhimi, fiziologjia dhe anatomia, Menaxhimi i kafshëve dhe shëndeti, teknologjia e prodhimit të kafshëve, etj.

“Në këtë konferencë po marrin pjesë 130 pjesëmarrës me 206 punime, prej tyre do të jenë 90 prezantime gojore dhe 116 me posterë. Pjesëmarrësit janë nga SHBA-ja, Turqia, Bullgaria, Pakistani, Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova”, thuhet në komunikatën e UPZ-së.

Hapjen zyrtare të konferencës të enjten e ka bërë rektori i UPZ-së, Ramë Vataj, duke theksuar se ky organizim “ka rëndësi të veçantë për faktin se trajton fusha të rëndësishme”. Ai ka falënderuar studiuesit për prezantimin e arritjeve të tyre në UPZ. Në të njëjtën kohë, ka përkujtuar se UPZ-ja ka marrëveshje me 30 universitete nga Turqia, të cilët kanë dhënë kontribut në UPZ në mënyra të ndryshme, ku njëra ndër to është edhe organizimi i konferencave të tilla të përbashkëta me UPZ-në.

Ndërsa prorektori i universitetit “Namik Kemal”, Ismail Yilmaz, është shprehur i kënaqur me mundësinë e bashkëpunimit me universitetet kosovare për organizmin e kësaj konference.

Sipas komunikatës, Rrustem Qehaja, këshilltari i rektorit të UP-së ka pohuar se përmes këtyre konferencave ndërtohen ura të reja bashkëpunimi midis universiteteve dhe vendeve tona.

Në njoftimin e UPZ-së theksohet se “konferenca bën bashkë shkencëtarë dhe hulumtues kryesorë akademikë për të shkëmbyer dhe për të ndarë përvojat dhe rezultatet e kërkimit shkencor, idetë dhe aplikacionet në lidhje me të gjitha aspektet e Shkencave të Kafshëve, Menaxhimit të Kafshëve dhe Shëndetit”.

“Shkenca e Kafshëve është si themelore dhe një shkencë aplikative, kështu që ne gjithashtu ftojmë përfaqësues nga sistemet e bujqësisë blegtorale dhe marketingut, teknologjitë e bujqësisë, agjencitë e ushqimit të kafshëve, si dhe përfaqësuesit qeveritarë të Turqisë dhe Kosovës për të marrë pjesë në konferencë. “BALNIMALCON 2017” përfshin tema të ndryshme kështu që do të jetë interesante për pjesëmarrësit e ndryshëm nga fusha të ndryshme të shkencave të kafshëve dhe kompanive”, shkruan në komunikatë. Sipas UPZ-së, përveç seancave shkencore të konferencës, pjesëmarrësit gjatë vizitës në Kosovë do të shikojnë edhe fenomenet e ndryshme të turizmit dhe trashëgiminë e pasur natyrore dhe monumentet kulturore.