Kulturë

Iu dha lamtumira e fundit shkrimtarit Arif Demolli

Prishtinë, 8 mars - Karvani i shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva” ka nisur edicionin e 18-të pa njërin prej anëtarëve më të rëndësishëm, Arif Demolli.

Familjarë, kolegë e miq, të martën, një ditë pas vdekjes, i kanë dhënë lamtumirën njërit prej krijuesve më në zë të krijimtarisë letrare për fëmijë e edhe për të rritur, shkruan sot “Koha Ditore”. Në një mbledhje komemorative është cilësuar si njëri prej shkrimtarëve të veçantë në radhët e krijuesve kosovarë e më gjerë.

Kolegu i tij Xhevat Syla, në komemoracionin e mbajtur në bibliotekën e qytetit “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, ka thënë se kishte vite që Demollin e kishte nga miqtë e rrallë, të cilit mund t’ia shpaloste çdo dhimbje a gëzim.

“Ishte ndër të rrallët nga i cili mund të mësoja nga përvoja dhe pjekuria krijuese, nga dija e akumuluar nga leximet dhe përvoja e një jete plot mundime që e pjekin njeriun, por edhe e një jete edhe me gëzime”, ka thënë Syla. Sipas tij, takimi për nisjen e karvanit të shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva” do të shndërrohet në një takim përkujtimor “për mikun e shtrenjtë, shkrimtarin e shquar, anëtarin e rregullt dhe më të mirin që i kishte mbetur Karvanit, Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, elitës së intelektualëve të mirëfilltë, letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi”.

“Arifin e gëzonin sukseset e veta, por hiç më pak edhe sukseset e miqve krijues. I respektonte të tjerët dhe ishte i respektuar dhe i çmuar kudo ku punoi. E kam theksuar edhe më parë se po të vihet në peshojë krijimtaria e tij letrare për fëmijë dhe ajo për të rritur, nuk do të kishte ndonjë anim, meqë ai ishte njësoj i kujdesshëm në të dyja këto drejtime”, ka thënë Syla. Sipas tij, ndonëse është i njohur dhe shkëlqen në shkrimin e prozës, Arif Demolli shkroi edhe disa libra me poezi që përmbajnë vlera të larta artistike.

“Në Karvanin e shkrimtarëve për fëmijë, të varfëruar viteve të fundit pasi shkuan në amshim disa nga penat më serioze, shkuarja e Arif Demollit është një humbje e madhe. Ai ishte nga të rrallët shkrimtarë tonë për fëmijë me të cilin mund të krenoheshim edhe ne shkrimtarët, por edhe fëmijët”, ka thënë Syla. Sipas tij, familja, Karvani i shkrimtarëve për fëmijë dhe përgjithësisht letërsia shqipe do të ngushëllohen me veprën e tij brilante që ua la brezave. Ka thënë se vepra letrare e Demollit do të jetë një thesar i çmuar i letërsisë shqipe.

“Karvani po nis edicionin e tij të 18-të pa njërin prej anëtarëve më të dashur dhe më të mirë”, ka thënë ai.

Demolli pensionimin e kishte arritur si punonjës i Ministrisë së Arsimit. Zëvendësministri i Arsimit, Agim Bërdynaj, ka thënë se nuk ka shkruar asgjë për ta lexuar në mbledhjen komemorative. Për këtë kishte një arsye jo të vogël.

“Kur kam shkruar letra ato m’i ka rregulluar Arifi. Të gjithë jemi mërzitur. Kemi arsye për shkak se është një njeri që ka lënë gjurmë në të gjitha institucionet që ishin identiteti i Kosovës dhe i shqiptarisë. Ju familje dhe kolegë duhet të jeni krenarë me veprat e tij, pasi ato do të jetojnë. Nëse kanë mbetur dorëshkrime, që sigurisht kanë mbetur, ne si institucion do t’i botojmë, pasi ato i duhen Kosovës”, ka thënë ai.

I lindur më 2 maj 1949 në Gllogovicë të Prishtinës, Arif Demolli mësimet e para i mori në vendlindje, kurse në Prishtinë mbaroi Shkollën e mesme Normale dhe studimet në Fakultetin Filozofik, në Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Pos në arsim, punoi në revistën “Bota e re”, në Televizionin e Prishtinës, në revistat “Fjala”, “Pionieri” dhe kohën e fundit si zyrtar në Ministrinë e Arsimit. Tregimet e tij janë përfshirë në panorama dhe në antologji të ndryshme të prozatorëve shqiptarë. Librat “Ballkonet e një qyteze” dhe “Pëllumbat e kujtimeve” i janë ribotuar edhe në Tiranë. Më 1981 u burgos dhe u dënua me dy vjet burgim, kurse deri më 1990 mbeti pa punë dhe pa të drejtë botimi të veprave.

Për romanin "Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie" mori çmimin “Pjetër Bogdani” të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kurse për librin "Pse gjirafa ka qafë të gjatë" mori çmimin letrar “Vehbi Kikaj”. Është autor dhe bashkautor edhe i disa librave të leximit. Duke u bazuar në krijimtarinë letrare, e cila përbëhet nga romane, përmbledhje tregimesh e poezish, shkrimtari Arif Demolli në shkurt të vitit të kaluar u nderua me çmimin për vepër jetësore “Azem Shkreli”, që e ndan Ministria e Kulturës.

Pas mbledhjes komemorative, familjarët, kolegët e miqtë e Demollit janë zhvendosur tek varrezat e Prishtinës për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit. Në një fjalim rasti, kolegu e miku i tij, shkrimtari Demë Topalli, ka thënë se Demolli gjatë jetës së tij ka punuar shumë në revistat kulturore. Ka përmendur se ai ishte i arrestuar dhe kishte qëndruar në burg gjatë viteve ’80, që ishin jo të lehta për shqiptarët e Kosovës. Për një kohë Demollit i ishte ndaluar edhe e drejta e botimit.

“Arif Demolli na e ka lënë një korpus të gjerë e të larmishëm veprash, duke filluar nga fusha e romanit, e tregimit dhe e dramës. Pos romaneve e librave me tregime për të rritur, ai na la edhe dhjetëra vepra për fëmijë të zhanreve dhe llojeve të ndryshme. Vepra këto që i përshkon nota humaniste, porosia edukative dhe vlera e pakontestueshme edukative”, ka thënë Topalli.