Kulturë

Nënshkrimi i ministrit mban peng çmimet për dramën shqipe

Descriptive Text

Prishtinë, 7 shtator - Ministria e Kulturës tash e më shumë se tre muaj mban në sirtar vendimin për laureatin e çmimit për dramë origjinale shqipe, “Katarina Josipi 2016”.

Zgjedhjet qendrore e ndërrimi i ministrit të Kulturës janë arsyetimet që përmenden nga zyrtarët e institucionit më të lartë kulturor në vend sa i përket zvarritjes së nënshkrimit të vendimit dhe ndarjes së çmimeve.

Juria në përbërje të Arian Krasniqit, kryetar, dhe anëtarëve Agon Myftari, Zethane Bahtiri, Bislim Muçaj, e Agim Selimi ka vendosur që laureuat i Çmimit të parë është shkrimtari Ag Apolloni me dramën “Hamleti im”, të dytit, Ulpiana Maloku me dramën “Bosh, me rrudha” dhe Çmimit të tretë Brikena Sopi me “Rropatje”.

Qysh në fillim të qershorit, juria ka përfunduar vlerësimin dhe ka përgatitur arsyetimet për rezultatet e nxjerra.

“Ne e kemi përfunduar punën tonë qysh para zgjedhjeve dhe ka mbetur që MKRS-ja t’i ndajë çmimet”, ka thënë kryetari i jurisë, dramaturgu Arian Krasniqi.

Ndue Ukaj, ish-shef i kabinetit të ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, e aktualisht këshilltar i ministres së Kulturës në detyrë, Vlora Domoshi, ka thënë se fillimisht ndarja e çmimeve ishte shtyrë për shkak të zgjedhjeve të mbajtura më 11 qershor të këtij viti. Sipas tij, vendimet ishin përgatitur me emrin e ish-ministrit, Kujtim Shala, përderisa tash është kërkuar që ato të mbajnë emrin e ministres në detyrë, Vlora Dumoshi.

“Nëse janë përgatitur vendimet e reja mund t’i ndajmë këtë javë. Ka mbetur vetëm organizimi i ceremonisë. Gjatë gushtit ishte e vështirë të mblidheshin të gjithë fituesit”, ka thënë Ukaj (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).