Kulturë

Botuesi shqiptar që botoi i pari veprat e Barletit

Marin Barleti, mbahet si njëri nga humanistët e parë shqiptarë, kurse jetëshkrimi i tij për Gjergj Kastriotin, ka qenë pa dyshim ndër veprat më të përkthyera dhe të botuara të kohës.

Kjo vepër, titulli i plotë i së cilës është "Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut, Princit të Epirotëve", datohet të jetë botuar mes viteve 1508-1510. Por pakkush e di që edhe botuesi i kësaj vepre ishte shqiptar po ashtu.

Është fjala për Bernardino de Vitali-n, një botues shqiptar nga Venediku i cili së bashku me vëllanë e tij ishin ndër botuesit më në zë në Venedikun e fillimshekullit të 16-të.

Kjo histori është gjurmuar dhe rrëfyer nga studiuesja italiane Lucia Nadin në librin e saj "Shqipëria e rigjetur", të cilin e ka sjellë në emisionin CODEX të KTV-së, gjuhëtarja, gazetarja dhe shkrimtarja Majlinda Bregasi.