Kulturë

Fotot e rralla. Princ Vidi në Durrësin e rrethuar

Këto dy fotografi të majit 1914 na japin një ide më të qartë për rrethimin e Durrësit nga kryengritësit, ngjarje që e zhyti Shqipërinë në kaos.

Fotot ndodheshin në një revistë të ilustruar angleze të asaj kohe dhe ishte hera e parë që i shihja. Po i ndaj në FB meqenëse shumë prej jush duhet të keni qenë në Durrës këtë verë, shkruante Ilir Ikonomi.

Në foton sipër duket Princ Vilhelm Vidi duke inspektuar forcat që mbronin Durrësin, kryeqytetin e Shqipërisë, e cila ishte formuar si shtet në verë të vitit 1913 nga gjashtë fuqitë e mëdha. Vidi ishte sovrani i zgjedhur nga fuqitë për të udhëhequr pricipatën e re shqiptare dhe kishte ardhur në Shqipëri në mars 1914.

Në foton poshtë janë mbrojtësit e Durrësit.

Siç shihet, një pjesë janë malësorë vullnetarë nga veriu, të tjerët janë xhandarë (me pagesë) dhe njeriu me kasketë dhe me kollare është mitralier austriak. Fotoja mund të mos jetë marrë në situatë luftimi, sepse në luftë nuk shkohet me kollare, por ata thjesht kanë pozuar për fotografin e revistës.

Austria, që ishte financuesja kryesore e shtetit të ri, solli në Durrës mitralozë dhe topa të kalibrit të vogël bashkë me ekspertë që dinin t’i përdornin ato.

Qyteti mbrohej lehtë, sepse Durrësi i 100 viteve më parë ishte shumë ndryshe nga ai që njohim sot. Ndërsa në perëndim kishte detin, në lindje ai kufizohej me një kënetë të madhe, Kneta e Durrcit, që zgjatej deri te Bishti i Pallës. Në jug të kënetës, Durrësi lidhej me Shkozetin me një kalim të vetëm, Urën e Dajlanit.

Trupat mbrojtëse që inspekton Vidi në foton sipër janë të vendosura përpara urës.

Shumë shpejt pas rrethimit të Durrësit nga kryengritësit, filloi Lufta e Parë Botërore. Fuqitë e mëdha e humbën interesin te Shqipëria dhe Princi u detyrua të ikë në fillim të shtatorit 1914, pas vetëm gjashtë muajsh mbretërim.

Durrësi ra në duart e kryengritësve që kërkonin kthimin e Sulltanit.