Kulturë

“Unspoken” e Rudit debuton në skenën australiane

Prishtinë, 31 gusht – Vepra “Unspoken” e kompozitores kosovare, Donika Rudi, do të interpretohet në Bendigo të Australisë. Vepra e përbërë nga tri pjesë, me spektër tingullor polifonik e harmonik e që në thelb është minimaliste, do të luhet për publikun australian në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Bendigo International Festival of Exploratory Music” (BIFEM).

Kjo vepër do të prezantohet në kuadër të segmentit “Sound Gallery” me vepra akusmatike dhe kjo është hera e parë që Rudi prezantohet në Australi. Në këtë koncert për dy ditë do të prezantohen 20 kompozitorë nga mbarë bota, të zgjedhur enkas për festival nga kuratori i këtij programi Stanislaw Shuchora i cili është drejtor i “Sonora Music” në Poloni.

Edicioni i pestë i këtij festivali, i cili konsiderohet si një prej festivaleve më dinamike në Australi, edhe këtë vit prej datës 1 deri më 4 shtator, do të sjellë program divers me vepra të kompozitorëve të rinj, ansamble, orkestra, instrumentistë të ndryshëm, por që të gjithë kanë të përbashkët stilin eksperimentues.

Në një përshkrim që i bëhet këtij festivali në faqen zyrtare, thuhet se “BIFEM sjell koncerte muzikore më inovative dhe virtuoze nga e mbarë bota direkt në zonën kulturore të Bendigos në “View Street”. E “Sound Gallery” është vetëm një prej programeve dhe ky është viti i tretë që ky program rikthehet (gjerësisht sot në “Kohën Ditore”).