Kulturë

Çmimi Special i Librit Kinez, gazetari dhe përkthyesi shqiptar Iljaz Spahiu

Descriptive Text

Më 22 gusht në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, u zhvillua ceremonia e dhënies së Çmimeve të Edicionit të 11-të të Çmimit Special të Librit Kinez.

Gazetari dhe përkthyesi shqiptar Iljaz Spahiu ishte mes të përzgjedhurve nga 200 kandidatura të paraqitura nga e gjithë bota. Motivacioni i përzgjedhur ishte “Për kontributin e shquar në përkthimin e përhapjen e librit kinez dhe nxitjen e shkëmbimeve kulturore mes dy vendeve”. Duke përshëndetur në emër të fituesve, zoti Spahiu, theksoi rëndësinë e letërsisë e kulturës si urë komunikimi mes popujve.

Çmimet u ndanë nga zv/kryeministrja Liu Yandong, e cila u rezervoi fituesve edhe një takim të veçantë.

Çmimi Special i Librit Kinez është çmimi më i rëndësishëm i akorduar nga qeveria kineze për promovimin e librit dhe kulturës kineze. Iljaz Spahiu, i cili ka përkthyer nga gjuha kineze dy romane të nobelistit kinez Mo Yan, si dhe disa libra të tjerë, vlerëson se “ky çmim përbën një ngjarje të rëndësishme në karierën time dhe inkurajim për të vazhduar me tej në këtë rrugë”.