Kulturë

Muzeu palestinez ia dedikon ekspozitën e parë Jerusalemit

“Hapja e ekspozitës së parë është arsye për të festuar”, ka thënë Reem Fadda, duke qeshur, teksa ka shikuar një instalim që shtrihet në dritën e dritares së mbyllur.

Kuratori palestinez e ka kuruar ekspozitën “Jerusalem Lives”, e cila bën së bashku artistë palestinezë dhe ndërkombëtarë për herë të parë në muzeun “Palestinian Museum”, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e DW. Është ndërtesë e re moderne, ndërtimi i së cilës ka kushtuar rreth 30 milionë dollarë dhe gjendet në kodrën afër “Birzeit University”, pranë Ramallahut.

Megjithëse ky muze zyrtarisht është hapur në muajin maj të vitit 2016, muzeu ishte kritikuar shpesh pasi që kishte qëndruar i mbyllur deri më tani.

“Ndërtimi i një muzeu është projekt afatgjatë”, ka thënë Fadda, i cili më parë ka punuar si kurator në “Guggenheim Museum” në Abu Dhabi.

“Është sukses në vete që të ndërtohet kjo ndërtesë e bukur arkitektonike me standarde globale për muzetë”, ka shtuar ai.

Me “Jerusalem Lives”, që u hap të dielën dhe do të qëndrojë e hapur deri më 15 dhjetor, muzeu përfundimisht po vjen në jetë. Ekspozita përfshin rreth 50 objekte, instilacione dhe skulptura, brenda objektit dhe në kopsht. Ekspozita fokusohet në qytetin palestinez, të cilin shumë veta dëshirojnë ta vizitojnë, por është e ndaluar të udhëtohet drejt tij pa leje të posaçme.

“Fakti se njerëzit këtu nuk mund të shkojnë në Jerusalem, edhe pse jetojnë afër në West Bank, ka qenë vendimtar. Ne duam që të sjellim Jerusalemin tek njerëzit dhe të shijojnë jetën në këtë qytet shumë divers, i cili po ngufatet nga okupimi”, ka thënë Fadda.

Në vitin 197, Izraeli pushtoi shumicën arabe të Jerusalemit lindor, duke e shndërruar qytetin në “kryeqytet të padukshëm”. Sot, më shumë se 300 mijë palestinezë jetojnë në Jerusalemin Lindor – të cilin ata e shohin si kryeqytet i së ardhmes dhe shpresojnë se do të bëhet shtet i pavarur.

Artistët që janë pjesë e ekspozitës kanë trajtuar perspektiva të gjëra për Jerusalemin, duke u fokusuar në gjithçka: prej jetës së përditshme deri tek historia e okupimit të Izraelit dhe konfliktit izraelito-palestinez.

Skulptori Athar Jaber është inspiruar nga historia e Jerusalemit.

“E kam vizituar Jerusalemin dhe e kam parë se si njerëzit i trajtojnë atje shkëmbinjtë e vjetër – si i prekin dhe i konsiderojnë si thesar”, ka thënë Jaber. Këta “shkëmbinj të vjetër” përfshijnë lokacionet historike të “Gurit të varrosjes” në kishën e “Holy Sepulcher”, që thuhet se përmban pjesë të vendit ku Krishti ishte kryqëzuar dhe varrosur. Çdo ditë qindra pelegrinë vizitojnë “Gurin e varrosjes”, e puthin dhe më pas e vendosin ballin në vendin ku Jozefi dhe Arimatea mendohet se e kishin përgatitur trupin e Krishtit për varrim. Kjo praktikë e ka inspiruar Jaberin, artistin 35-vjeçar nga Iraku, i cili është rritur në Firencë e tani jeton në Belgjikë që të krijojë një vepër arti, që ka për qëllim të bashkojë njerëzit e sfondeve të ndryshme.

“Veprat e artit zakonisht nuk duhet të preken, sepse në njëfarë mënyrë konsiderohen të shenjta”, ka thënë Jaber.

“Por në Jerusalem lokacionet e shenjta preken për shkak të shenjtërisë. Doja të luaja me këtë ide. Vepra ime artistike mund dhe duhet të preket”, ka shtuar ai.

Duoja artistike Rain Wu dhe Eric Chen nga Tajvani, po ashtu janë inspiruar nga mjedisi i tyre. Në kopshtin e muzeut, në mesin e fikut dhe pemës së ullirit, vizitorët do të gjejnë një skele të krijuar nga fije të holla të metalit.

“E kemi dizajnuar këtë vepër veçanërisht për ‘Palestinian Museum’”, ka thënë Rain Wu.

“Është vrojtim mbi situatën ambientale të kufijve. Kur njerëzit ecin këtu, ata përjetojnë një lloj luhatjeje në ambient të zymtë”, ka shtuar ai.

Artisti i instilacioneve, Rain Wu është entuziast për hapësirën e re të muzeut.

“Ka hapësirë të jashtëzakonshme këtu dhe neve na pëlqen të punojmë në vende të reja dhe t’u përgjigjemi atyre me artin tonë”, ka thënë ai. Tani që është hapur ekspozita e parë, organizatorët janë kureshtarë të shohin se sa vizitorë do të mbledhin.