Kulturë

Regjisorja e teatrit politik, laureate e çmimit “Goethe”

Themeluesja dhe regjisorja e teatrit “Théâtre du Soleil” është një figurë legjendare e teatrit evropian. Qyteti i Frankfurtit i ka vlerësuar arritjet e saja duke e nderuar me çmimin prestigjioz “Goethe”.

Ariane Mnouchkine gjithmonë ka dashur të jetë në kontakt të ngushtë me audiencën e saj. Për më shumë se 50 vjet regjisorja e teatrit, tash 78-vjeçare, i ka mirëpritur vizitorët në hyrjen e institucionit kulturor. Ish-fabrika e municioneve në jug të Parisit ishte shndërruar në teatër që mori emrin “The Théâtre du Soleil” (Teatri i diellit).

Në vitin 1964, në moshën 25-vjeçare, ajo e themeloi një ansambël jokonvencional, bashkë me kolegët e teatrit, rikujton shkrimi në DW, që e transmeton sot “Koha Ditore”. Prej atëherë ajo ka qenë drejtoreshë artistike e teatrit dhe vazhdon të jetë edhe sot. Në traditën e teatrit popullor ky teatër kombinon elemente të pantonimës, kabare, improvizim dhe akrobaci. Publiku gjithashtu shpeshherë është i përfshirë në këto veprime.

Repertori i “Théâtre du Soleil” përfshin ngjarje të mrekullueshme , në të cilat bën pjesë edhe teatri i lashtë “Comedia dell'Arte” dhe stilet e teatrit aziatik.

Regjisorja franceze, Ariane Mnouchkine, u bë e famshme në botë me shfaqjen e saj me titull "1789", që u shfaq në vitin 1970. Ajo vuri në skenë trazirat e studentëve të vitit 1968 dhe njëkohësisht elemente nga Revolucioni Francez. Megjithatë, Mnouchkine jo vetëm që dëshiron t’i komentojë ngjarjet politike me shfaqjet e saj, por me teatrin e saj synon të ndikojë drejtpërdrejt në realitetin shoqëror të njerëzve.

Ajo gjithashtu beson se kufijtë midis teatrit dhe aktivizmit politik janë shumë të hollë. Në vitin 1995 ajo protestoi me një grevë urie njëmujore kundër mosveprimit të Francës gjatë gjenocidit boshnjak. Në vitin 2008 ajo publikoi ​​filma të shkurtër në internet duke bërë thirrje për bojkotimin e Lojërave Olimpike në Pekin, duke rritur ndërgjegjësimin për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë.

Vajza e producentit të filmave francezo-rus, Alexandre Mnouchkine, gjithashtu për dy vjet punoi regjisore e një filmi në fund të viteve 1970. Filmi prej katër orësh flet për jetën e dramaturgut francez Moliere dhe përfshinte 500 aktorë.

Të hënën "La Reine" - mbretëresha, siç është quajtur në Francë – e ka marrë çmimin “Goethe” të qytetit të Frankfurtit.

Peter Feldmann, kryetar i bordit të administratorëve dhe kryetar i Frankfurtit, i janë referuar Mnouchkine duke e konsideruar “regjisore të vërtetë evropiane”. Me kolektivin e vet teatror “Théatre du Soleil”, ajo ka treguar "sa produktive mund të jetë një qasje politike në teatër".

Çmimi “Goethe”, me vlerë financiare prej 50 mijë eurosh, jepet çdo tre vjet më 28 gusht, në ditëlindjen e Johann Wolfgang von Goethe. Laureatët e mëparshëm të çmimit ishin: Thomas Mann, Hermann Hesse, Marcel Reich-Ranicki dhe Pina Bausch.