Kulturë

Objekti në “Emin Gjik”, tash e katër muaj pret ndërhyrjen emergjente

Prishtinë, 7 mars - Tash e katër muaj objekti i ahurit në kompleksin “Emin Gjiku” qëndron i mbuluar me najlon. Qysh në fillim të nëntorit janë ndërprerë punimet për realizimin e projektit “Intervenimet emergjente në ndërtesën e ahurit në kompleksin ‘Emin Gjiku’ në Prishtinë”.

Pavarësisht këtij titulli të projektit dhe gjendjes së monumentit që mbrohet me ligj si pjesë e trashëgimisë kulturore, ende nuk ka një afat se kur do të rinisin punimet, shkruan sot “Koha Ditore”. Shkak i ndërprerjes së tyre, sipas udhëheqësve të Muzeut të Kosovës, kanë qenë kushtet atmosferike. Qysh se nisi projekti, ndërtesës i janë hequr dyert bashkë me dyshemenë prej pllakave të qeramikës. Ishte shtruar me zhavorr dhe mbi këtë material janë renditur tulla të kuqe.

Kulmi është mbuluar me najlon të zi. Në një pjesë të kulmit, midis objektit, është krijuar hapësirë midis copave të najlonit. Autoriteti kontraktues dhe operatori ekonomik janë marrë vesh që në pranverën e këtij viti të punohet në kulm. Në bazë të asaj që shihet, objekti mezi rri në këmbë. Ka çarje të mëdha në mur dhe kulmi e ka humbur balancën shkaku i trarëve të kalbur nga lagështia.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, të hënën, ka thënë se nuk është duke guxuar që të bëjë presion për nisjen e punimeve.

“Nëse e bëj këtë presion për konsolidimin e kulmit, kjo do të thotë se marr përgjegjësi. Derisa jemi me këto kushte atmosferike nuk mund ta bëjmë këtë. Objekti është goxha i lënduar dhe një shi i vogël mund të bëjë dëme të pariparueshme. Kam drojë pasi është edhe një shtëpi prapa ku jeton një familje. Sa i përket ndërhyrjes, po flasim për ditë e jo për javë”, ka thënë ai... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.