Kulturë

“Autostrada Biennale” përballet me të ardhmen e kufijve

Me ekspozitë dhe konferencë ndërkombëtare, ngjarja e artit pamor e ka nisur rrugëtimin në Prizren, duke shtjelluar temën mbi të cilën është konceptuar: të ardhmen e kufijve.

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor, “Autostrada Biennale”, u hap gjatë fundjavës duke sjellë performanca e ngjarje artistike, sikurse edhe konferenca e punëtori, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në një konferencë të mbajtur në kuadër të Bienales të dielën, u tha se arti mund ta ridefinojë natyrën e kufijve, se kapërcimi i tyre është i domosdoshëm për t’u ballafaquar me problemet e përbashkëta të shoqërisë dhe se botës në ditët e sotme po i kthehen kufijtë.

Në sesionin e parë, të konferencës ndërkombëtare “E ardhmja e kufijve” të mbajtur në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës panelistë ishin kuratori Manray Hsu, drejtori i Zyrës së Fondacionit “Friedrich-Ebert” Frank Hantke dhe Veton Surroi, publicist e shkrimtar.

Me këtë rast, Surroi në paraqitjen e tij ka elaboruar se si për 30 vjet është përballur me kufijtë, eliminimin e tyre, por edhe angazhimin për ndërtimin e tyre. Duke marrë shembuj nga përditshmëria e tij, por edhe të familjes sikurse dhe historikun jo të largët të Kosovës, por edhe marrëdhëniet e saj me fqinjët dhe vendet e BE-së, Surroi ka pohuar se frika nga e ardhmja në njëfarë forme e ka shtyrë njeriun që të përcaktojë kufijtë e ta definojnë territorin e tij të sigurt - jo vetëm si siguri fizike, por edhe nga ideja e së ardhmes.

“Në vend se të mendojmë se si t’i eliminojmë kufijtë, mendoj se qasja më parë duhet të jetë se si të krijojmë pranueshmërinë e kufijve. Si i negociojmë kufijtë, ashtu që ata të bëhen vende të kontaktit... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.