Kulturë

Filharmonia i dhuron Gjakovës rrëfimin romantik

Veprat e periudhës së romantizmit në Gjakovë përmbyllën marsin, përderisa mes publikut gjakovar sollën freskinë e pranverës. Me të hapur dyert, pallati i kulturës “Asim Vokshi” qe i mbushur me publik. Koncerti nën dirigjimin e Lirjona Sylejmanit, solli e interpretuara mjeshtërisht nga secili instrumentist, e barrën e solistit e pati edhe klarinetisti Ardit Ibrahimi

Me lëvizjet e tingujve dhe dinamikën e interpretimit, Filharmonia e Kosovës zbarkoi në Gjakovë, ku është pritur nga një publik i madh në numër. Lëvizja e institucionit më të lartë të muzikës klasike në vend edhe në një tjetër qytet të Kosovës e dëshmoi potencialin e artistëve krahas interesimit të publikut.

Veprat e periudhës së romantizmit në Gjakovë përmbyllën marsin, përderisa mes publikut gjakovar sollën freskinë e pranverës. Me të hapur dyert, pallati i kulturës “Asim Vokshi” qe i mbushur me publik, të premten mbrëma. Por pavarësisht ndjenjës që Gjakova u jepte, gjakovarët u shndërruan në mysafirë kur skenën e pallatit të kulturës e kaploi interpretimi me elegancë nga anëtarët e Filharmonisë.

Koncerti nën dirigjimin e Lirjona Sylejmanit, solli veprat e romantizmit të përkthyera mjeshtërisht nga secili instrumentist, e të përsosura deri në detaje. Kur Sylejmani u dha shenjë instrumentistëve, krejt çka dëgjohej në sallë ishin tingujt e veprës “Valle Hungareze nr. 2” të kompozitorit gjerman Johannes Brahms. Shpesh dëgjohej edhe ndonjë “bravo” kur atmosfera mbërrinte në kulm dhe të gjitha instrumentet viheshin në përdorim. Filharmonia në lëvizjen e saj në Gjakovë i dha mundësinë e interpretimit si solist klarinetistit Ardit Ibrahimi, që sfidën e tij para publikut e kaloi me sukses. Klarineta e tij qe kryesorja për disa minuta, kur herë i vetëm e herë shoqëruar nga të tjerët sollën para “Koncert për klarinetë nr.1” nga Carl Maria von Weber. Udhëtimi i të pranishmëve nëpër romantizëm kaloi edhe në veprën e kompozitorit Antonín Dvořák me “Simfonia nr.9 në e-mol”.

Image
Tingujt e klarinetës së Ardit Ibrahimit kanë qenë kryesorët në “Koncert për klarinetë nr.1” nga Carl Maria von Weber

Ky koncert u bë vetëm njëri që qe pjesë e platformës “Skena Iuvenis” nëpërmjet së cilës Filharmonia e Kosovës mbështet muzikantët e gjeneratës së re në zhvillimin e tyre profesional. Me talente të dëshmuara tashmë dhe me potencialin e lartë që treguan edhe në një tjetër paraqitje, Lirjona Sylejmani si dirigjente e Ardit Ibrahimi si solist, mbajtën nivelin e koncertit me program sfidues.

I gjithë kapërcimi nëpër romantizëm solli jo pak ngjyra. Në mesin e instrumentistëve ka pasur edhe të atillë që kanë interpretuar në vendlindje.

Vëmendja e plotë e të pranishmëve dëshmoi interesimin për të parë dhe dëgjuar atë që Filharmonia e Kosovës po përcjell tashmë në shumë qytete, e edhe në Gjakovë. Tek pasi përfundoi e gjithë performanca, ata kanë rrëfyer për emocionet që u jepte disave roli i interpretit e disave ai i publikut.

“Kur ka qenë e planifikuar për Gjakovë kam qenë shumë e lumtur. Kjo sepse me Gjakovën jam e lidhur shumë me shoqëri, madje edhe me shoqëri të familjes. Kështu që ka qenë shumë e mirëpritur nga ana ime me u mbajt në Gjakovë. Ka qenë shumë sfiduese për mu, për shkak që programi ishte i gjatë. Jam një dirigjente e re me shumë më pak përvojë për shkak të moshës. E kam pasur me shumë frikë nëse do të mund të qëndroj deri në fund, por si duket shkoi mirë”, ka thënë dirigjentja Lirjona Sylejmani.

Paraqitja në Gjakovë është e para e Filharmonisë pas udhëtimit në Portugali ku javën e kaluar dhanë dy koncerte. Kjo kufizoi kohën që ata patën në dispozicion për të ushtruar programin e ri.

“Përgatitjet kanë qenë të shkurtra. I kemi pasur vetëm katër ditë prova për shkak se Filhamonia e ka pasur një agjendë të ngarkuar paraprakisht. Javën e kaluar para se me i fillu provat kanë qenë në Portugali. Sigurisht ka qenë shumë e lodhshme për Orkestrën, por prapëseprapë e kanë gjetur energjinë për t’u bërë gati për këtë koncert”, ka thënë Sylejmani. Ajo ka thënë se sfida u kalua për të, kur prapa mori pafund duartrokitje e vlerësime nga publiku.

“Me shumë duartrokitje, me shumë dashuri, me shumë ngrohtësi. Çkado që gjatë rrugës jam ndier që nuk po shkon diçka mirë në punën që po e bëj, në fund ma kanë larguar çdo dyshim të mundshëm dhe më kanë bërë të ndihem shumë mirë”, ka thënë dirigjentja.

Image
Paraqitja në Gjakovë është e para e Filharmonisë pas udhëtimit në Portugali ku javën e kaluar dhanë dy koncerte

Të suksesshëm e ka ndier koncertin edhe klarinetisti Ardit Ibrahimi, i cili pati edhe përgjegjësinë e solistit.

“Mund të them që ka qenë shumë mirë. Unë për vete e kam dhënë maksimumin që të dalë sa më mirë. Orkestra ka qenë fantastike. Gjysma e punës ka qenë e kryer nga ata dhe ka mbetur vetëm pjesa ime që po besoj se goxha mirë e kam përfunduar”, ka thënë Ibrahimi. “Aq sa ka qenë emocionuese ka qenë edhe sfiduese. Ka qenë një vepër shumë e vështirë. Por jam munduar që ta bëj sa më mirë, ta jap maksimumin. Normalisht ka qenë një ndjenjë krejt ndryshe. Në koncerte unë jam i angazhuar në Orkestrën Frymore. Por sot kam qenë si solist në Orkestrën Simfonike. Ka qenë një ndjenjë krejt tjetër, një ambient tjetër, njerëz të tjerë dhe emocione të tjera”, ka shtuar ai.

Paraqitja e tij dhe e dirigjentes Sylejmani qe arritja e Filharmonisë mbrëmjen e së premtes krahas paraqitjes para publikut të Gjakovës. Potencialet e artistëve të gjeneratave të reja tashmë po dëshmohen me koncertet që Filharmonia po organizon.

“Ajo që ishte më e rëndësishmja, solisti ynë, student shumë i talentuar, klarinetisti Ardit Ibrahimi, korri sukses. Ndër më të rëndësishmet për mbrëmjen e sotme ishte edhe dirigjentja jonë e re, e cila me këtë koncert i përfundoi studimet master. Ishte një program i vështirë. Aspak nuk është lehtë, mirëpo ajo u mbajt aq mirë, saqë po më bën të ndihem mirë që tashmë e kemi një dirigjente femër kaq të suksesshme”, ka thënë Venera Mehmetagaj-Kajtazi, flautistja e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.

Salla plot e “Asim Vokshit” dhe duartrokitjet qenë konfirmimi i suksesit.

“Unë e dua publikun e Gjakovës dhe nuk është hera ime e parë para tyre. Ata më njohin shumë mirë prej shumë koncerteve të mia. U çudita që salla ishte plot e mbushur me njerëz dhe na pritën jashtëzakonisht mirë. Ne e prisnin se do të priteshin kështu në Gjakovë, sepse ata e duan muzikën. Gjakovarët janë me kulturë, kështu që nuk kemi pasur dyshime që nuk do të pritemi mirë”, ka thënë Mehmetagaj-Kajtazi.

Me programin “Filharmonia në lëvizje” stacionet e radhës do të jenë Peja e Prizreni.