Kulturë

Kosova me tri artefakte çon në SHBA kulturën 7 mijë vjet të vjetër

Në institucionin prestigjioz 129 vjet të vjetër, Muzeu i Fieldit në Chicago, Kosova nëpërmjet tri artefakteve çon një rrëfim që gjëllin 5 mijë vjet para Erës sonë. Në “Mbretërit e Parë të Evropës” siç titullohet ekspozita me artefakte prej 11 vendeve të Evropës Juglindore, shteti më i ri evropian ka çuar Reliefin e Kamenicës bashkë me dy figurina terrakote të Bardhoshit. “Ky Muze renditet një nga më të rëndësishmit, por edhe ndër më të vizituarit për nga mënyra e kurimit dhe rolit edukativ, shkencor e më gjerë. Kjo ekspozitë po vlerësohet si një mundësi e veçantë që vizitorët nëpërmjet eksponateve dhe teknologjisë të mësojnë për historinë e lashtë dhe kulturën e pasur të shteteve pjesëmarrëse, përfshirë Republikën e Kosovës”, ka thënë Vjollca Aliu, zëvendësuese e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, e pranishme në hapje të ekspozitës

Dëshmitë e një kulture, që sipas gjetjeve arkeologjike, në këto anë daton këtu e 7 mijë vjet më parë, janë duke u shpalosur në një prej muzeve më me nam në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Relief dhe dy figurina parahistorike përfaqësojnë Kosovën në ekspozitën “First Kings of Europe” (Mbretërit e Parë të Evropës), që është hapur në Muzeun e Fieldit. Stela apo Reliefi i Kamenicës së bashku me dy figurinat antropomorfe të gjetura në Bardhosh të Prishtinës po qëndrojnë krahas artefakteve të dhjetë vendeve të tjera evropiane. Muzeu Kombëtar i Kosovës merr pjesë krahas institucioneve më të larta muzeore të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Hungarisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Rumanisë, Serbisë dhe Sllovenisë.

Në ekspozitën e hapur për publik të premten e që do të jetë në dispozicion të vizitorëve deri më 28 janar të vitit 2024, ata që ia mësyjnë “Field Museum” do të shohin reliefin e skalitur apo stelën e shfaqjes së procesionit mortor që pasqyron kortezhin funeral të një burri, arkivoli i të cilit përcillet nga ajo “që duket të jetë e shoqja e të ndjerit në krye të saj”. Me të dhënat e marra nga Guida Arkeologjike e Kosovës me autor arkeologun Milot Berisha, Stela paraqitet si një prej gjetjeve të rëndësishme për kulturën e këtyre anëve. Sipas të dhënave të Guidës, ishte gjetur rastësisht në arealin e Kalasë së Kamenicës, rrëzë saj në jugperëndim të monumentit.

“Është krijimtari e kohës së fundit të periudhës klasike (V-IV para Erës sonë), por mund të jetë edhe nga fillimi i periudhës helenistike (IV-I para Erës sonë)”, shkruhet në Guidë. Sipas asaj që ka shkruar arkeologu Berisha, kjo skenë i përngjan gjëmës apo vajtimit masiv që është një rit i organizuar, këndim vajtues në grupe, që praktikohet ende në Malësinë e Gjakovës dhe si e tillë mbase mund të trajtohet si trashëgimi shpirtërore mijëravjeçare.

“Në anën tjetër, nëse shikohen figurat e grave në këtë monument që paraqet një ceremoni funebër, vajtueset mbajnë të veshur një lloj fustani që ngjason me xhubletën ilire (në formë kambanore) dhe e cila mendohet se ishte një veshje tipike autoktone e grave, e përdorur që nga periudha e bronzit dhe që akoma praktikohet në viset e thella malore dhe në vendet e ngritura në trojet e banuara me shqiptarë”, shkruhet në Guidë.

Image
Stela e Kamenicës, e shekullit V-I para Erës sonë në ekspozitën “First Kings of Europe” (Mbretërit e Parë të Evropës), që është hapur në Muzeun e Fieldit në Chicago

Dy figurinat i takojnë kohës së neolitit 5200 deri në 4600 vjet para Erës sonë dhe ishin gjetur në Bardhosh të Prishtinës. Ajo antropomorfe mund të përshkruhet edhe simotër e “Hyjneshës në Fron”, një prej figurinave më reprezentative të Kosovës dhe dikur edhe ish-Jugosllavisë. I takojnë asaj që njihet si Kultura e Vinçes.

Sipas të dhënave të Guidës Arkeologjike, lokaliteti neolitik i Bardhoshit ishte identifikuar rastësisht në vitin 2002, me rastin e hapjes së themeleve për ndërtimin e një shtëpie banimi dhe anekseve shoqëruese. Aty tregohet se gërmim-shpëtimi i kryer në këtë lokalitet dëshmoi gjurmë të një vendbanimi rrafshinor me disa ambiente banimi me vatër dhe vegla pune, objekte dhe fragmente të qeramikës.

“Këtu u zbulua një sasi e konsiderueshme e figurinave antropomorfe të terrakotave tipike për variantin kosovar të Vinçës, gjegjësisht, të ‘stilit’ të Prishtinës”, shkruhet në Guidë, prej ku edhe janë marrë të dhënat për katalogun e ekspozitës “First Kings of Eurorope”, që në tregun online shkon deri në 70 dollarë. Kurse biletat për ekspozitën kushtojnë prej 12 deri në 16 dollarë.

Në hapje të ekspozitës kanë qenë Vjollca Aliu, zëvendësuese e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe arkeologia e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Zana Rama.

Aliu i ka thënë KOHËS nëpërmjet postës elektronike se konsultimet e para për këtë ekspozitë kanë filluar në vitin 2018, kur edhe institucionet e Kosovës janë njoftuar për konceptin dhe periudhën që do të prezantohet.

“Këto i kemi biseduar me një nga kuratorët e ekspozitës, Attila Gyucha, që ka qenë në Kosovë dhe ka takuar përfaqësues të Institutit Arkeologjik të Kosovës, Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS”, ka treguar Aliu. Sipas saj, ishin propozuar shtatë eksponate dhe më pas ishin përzgjedhur tre.

“Ministria e Kulturës vazhdimisht e ka mbështetur tërë procesin, përfshirë edhe pjesëmarrjen në këtë ekspozitë. Ekspozita përmban eksponate të 26 muzeve të Evropës Juglindore, duke përfshirë pjesëmarrjen e Muzeut Kombëtar të Kosovës”, ka thënë Aliu. Sipas saj, prezantimi i MKK-së nëpërmjet tri eksponateve vlerësohet i jashtëzakonshëm për vlerat unike dhe më reprezentative edhe për faktin se të njëjtat prezantohen për herë të parë në SHBA e veçanërisht në një muze si ai i Fieldit.

“Ky Muze renditet një nga më të rëndësishmit, por edhe ndër më të vizituarit për nga mënyra e kurimit dhe rolit edukativ, shkencor e më gjerë. Kjo ekspozitë po vlerësohet si një mundësi e veçantë që vizitorët nëpërmjet eksponateve dhe teknologjisë të mësojnë për historinë e lashtë dhe kulturën e pasur të shteteve pjesëmarrëse, përfshirë Republikën e Kosovës”, ka thënë Aliu pas hapjes së ekspozitës.

Sipas të dhënave të Muzeut të Fieldit – që e ka marrë emrin e Marshall Field (1834 – 1906) që dhuroi një milion dollarë për themelimin e institucionit – ekspozita ofron mundësinë e eksplorimit të ngritjes në pushtet të mbretërve dhe mbretëreshave të para të Evropës së lashtë dhe zbulon komunitetet bujqësore, pabarazinë dhe hierarkinë e asaj kohe.

“Udhëtoni në vitin 5000 para Erës sonë për të zbuluar se çfarë mund të na tregojnë artefaktet parahistorike, armët dhe skulpturat rituale për jetën në shoqëritë më të hershme të Ballkanit. Ekspozita ju zhyt në ceremonitë e epokave...”, shkruhet në të dhënat e “Field Museum”, i hapur më 1894, ndërsa i zhvendosur në ndërtesën aktuale më 1921. Aty përmendet edhe mundësia që të shihet pak nga një ceremoni varrimi të shoqërive të kamura parahistorike.

“Një nga gjërat më unike dhe më të veçanta në lidhje me këtë ekspozitë është bashkëpunimi ndërkombëtar që ndodh për të krijuar ‘Mbretërit e Parë të Evropës’”, ka thënë në hapje të ekspozitës Bill Parkinson, kurator në Muze dhe kuratori kryesor i ekspozitës. Ka shpjeguar se ekspozita është bërë në partneritet me 11 vende, duke shtuar edhe Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë.

“Shumë prej artefakteve nuk janë ekspozuar kurrë jashtë vendeve të origjinës së tyre dhe disa nuk janë ekspozuar asnjëherë. ‘First Kings of Europe’ është një mundësi unike për të parë këto objekte kulturore krah për krah”, ka thënë ai.

Krah për krah me thesaret më të çmuara të kësaj pjese të Evropës për gati një vit do të jenë edhe tri gjetje arkeologjike të Kosovës, si dëshmi e kulturës parahistorike të shtetit më të ri në Evropë e po ashtu edhe eksponate reprezentative të një vendi që çmon kulturën e trashëguar. Bëhet fjalë për figurinat më të çmuara pos 1200 eksponateve të tjera, të cilat prej kohës së luftës 1998–1999 mbahen peng në Beograd, pasi ishin marrë për një ekspozitë të përkohshme në Serbi.