Kulturë

“Elementet urbane” me ndërhyrje minore që ndryshojnë hapësirat publike

Janë projekte atraktive elementesh urbane që dëshmojnë se me pak ndërhyrje mund të bëhen ndryshime në jetën e përditshme dhe në pamjen e kryeqytetit. Gara e dizajnit “Elementet urbane” i ka bashkuar 15 prej tyre në ekspozitën ku janë shpallur edhe tre fituesit. E nisur prej “Space SyntaKS”, gara synon përmirësimin e hapësirave publike

Nuk janë ide të thjeshta projektet e arkitektëve e dizajnerëve të ardhshëm ato që janë ekspozuar nëpër panotë në hapësirën e Modelariumit të Fakultetit të Arkitekturës. Në fakt pamja e kryeqytetit mund të ndryshojë në favor të ambientit e të qytetarëve nëse do varej prej projekteve që e përbëjnë garën e dizajnit “Elementet urbane”. Një pjesë projekteve do t’i dërgohen Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes Publike Banesore.

E nisur prej “Space SyntaKS”, aktiviteti synon përmirësimin e hapësirave publike. Organizatorët kanë thënë se garën do ta bëjnë tradicionale.

Janë 15 projekte të përzgjedhura prej mbi 60 të atyre që kanë nisur të grumbullohen qysh prej janarit kur ishte hapur thirrja publike për dizajnimin e elementeve urbane. Tri kanë qenë ato: ulëse urbane, shporta të mbeturinave dhe mbrojtëse urbane. Parqet, sheshet e hapësira të tjera publike janë lokacionet që janë zgjedhur që i përshtaten më së miri. Ajo që organizatorët e kanë emërtuar si dizajnatonë ka qenë me karakter garues e të premten janë shpallur edhe tri projektet më të mira.

Projekti i Arbesa Demit, Erëblina Kidës dhe Fiona Avdiut për projektimin e ulëses urbane është shpërblyer me çmimin e parë. Për hartimin e tij, tri studentet e vitit të tretë në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës janë inspiruar prej formës së objektit të Pallatit të Rinisë e Sporteve dhe formës së shtëpive tradicionale. Fiona Avdiu ka thënë se konceptin e projektit e kanë zhvilluar bazuar në hulumtimin e hapësirave në kryeqytet. “Hapësira publike duhet të jetë e gjallë dhe e sigurt, lehtë e qasshme, festive ndonjëherë, bashkëpunuese e mikpritëse për të gjithë njerëzit. Kemi parë edhe aktivitete që mund të ndodhin brenda një ulëseje apo se si ajo mund të bëhet edhe si modul i plot të tjerave kur bashkohen të formojnë një hapësirë publike”, ka thënë ajo.

Image
Projekti i Arbesa Demit, Erëblina Kidës dhe Fiona Avdiut për projektimin e ulëses urbane është shpërblyer me çmimin e parë

Erëblina Kida ka thënë se janë munduar që ulësja urbane të jetë sa më funksionale dhe të përdoret prej të gjithë njerëzve.

“Ulësja është bërë që një pjesë e saj të jetë e lëvizshme dhe ajo të mund të kombinohet prej dy pjesëve dhe të shërbejë edhe si tavolinë. Është lehtë e lëvizshme pasi ka rrota dhe mund të kapet, të kombinohet. Jemi munduar që ajo të jetë sa më multifunksionale dhe sa më fleksibile”, ka shpjeguar Kida, duke iu referuar elementeve të ilustruara në panon e projektit të tyre.

E Arbesa Demi ka treguar se e kanë projektuar për t’u bërë me material të riciklueshëm dhe që ulësja të jetë sa më kreative.

“Kemi menduar ta bëjmë me dru të reciklueshëm dhe me ngjyra druri që t’i jepet sa më shumë gjallëri. I kemi bërë edhe disa kube që të mund të krijojmë pjesë të ndryshme që shërbejnë për funksione të ndryshme”, ka thënë ajo.

Çmimin e dytë e ka marrë Edi Alidema, studente e Arkitekturës në vitin e tretë, me projektin për ulësen urbane, në të cilën qëllimi është të jetë e rehatshme, ani pse e ndërtuar me material druri. Ajo sipas projektit të Alidemës duhet edhe të jetë e qëndrueshme dhe me material të ricikluar, i cili merret prej hekurudhave. Ulëset, sipas projektit, rrethojnë pemën dhe vishen me plot ngjyra. Vetë autorja e tij ka thënë se është munduar të bëjë ndërlidhjen me natyrën. Ka treguar se ka bashkëngjitur module ku mundësohet vendosja e çantave të shpinës dhe e biçikletave.

“Qëllimi im ka qenë të ketë një natyrë të qëndrueshme, njëkohësisht të jetë materiali i qëndrueshëm, të ketë gjendje fizike për njerëzit që i përdorin dhe të ketë lidhje me komunitetin. Kam filluar konceptin duke u frymëzuar prej një kompleksi banimi, pastaj kam punuar duke krijuar një modular që i bashkon sa më shumë njerëzit dhe i punuar me material çeliku të reciklueshëm që mund të merret prej hekurudhave”, ka treguar Edi Alidema.

Image
Çmimin e dytë e ka marrë Edi Alidema, studente e Arkitekturës në vitin e tretë, me projektin për ulësen urbane, në të cilën qëllimi është të jetë e rehatshme, ani pse e ndërtuar me material druri

Me çmimin e tretë janë shpërblyer Albina Krasniqi dhe Vesa Stavileci, studente të nivelit master në kolegjin “UBT” me projektin “Multifun Poles”. Në të përfshihet një ulëse dhe një shtyllë ndriçuese me synimin kryesor që të ofrohet siguri për njerëzit në hapësira publike, si dhe duke ofruar funksione të tjera të përdorimit. Ideja ka qenë që objekti të ketë sa më pak ndikim në mjedis. Pjesa mbështjellëse e ulëses është menduar të bëhet prej plastikës së ricikluar, konkretisht nga kapakët e shisheve të plastikës. Edhe për llambën ideja e Krasniqit dhe Stavilecit ka qenë të ndërtohet prej plastikës.

“Në këto ulëse kemi bashkëngjitur edhe një panel solar, i cili ofron funksione të tjera. Në këtë rast i jep asaj hapësirë të mbushen me bateri trotinetet dhe biçikletat elektrike. Aty janë edhe hapësirat që të mbushen edhe telefonat e mençur në të njëjtën kohë. Po ashtu ka edhe ekranet LED, të cilët mund të përdoren për reklamime të ndryshme, si dhe internet e IP kamerë që e monitoron ulësen 24 orë në mënyrë që të jetë sa më e sigurt”, ka treguar Krasniqi, derisa ka shtuar më tej se është menduar të vendoset në hapësira ku ka më pak qarkullim për shkak që me anë të ulëseve të ofrohet ndriçim edhe në ato pjesë. Çmimet janë ndarë në formë të shumave monetare.

Që në fillim, gara e dizajnit “Elemente urbane” ishte menduar si garë që ndihmon procesin kreativ të studentëve e të rinjve të Kosovës në përgjithësi për të përmirësuar hapësirat publike dhe rritur kualitetin e jetës në to. Të tilla në kuadër të “Space SyntaKS” ishin organizuar edhe më parë.

Gresa Neziri, drejtoreshë e “Space SyntaKS”, ka thënë se nëpërmjet garës kanë dashur të forcojnë dizajnerët e rinj për të menduar nga detajet më minore, të cilat përmes dizajnit mund të ndryshojnë sado pak jetën e përditshme dhe pamjen e kryeqytetit. Sipas saj, qysh në fillim të garës ideja ka qenë që projektet të jenë më shumë sesa prezantime në letër.

“Punimet do të futen në një katalog të përbashkët të ekspozitës. Ai do t’i dhurohet Komunës së Prishtinës e më pas edhe komunave të tjera që në raste të nevojave për intervenim në hapësira publike, ata të kenë dizajne të gatshme që mund t’i përdorin. Pritet që katalogu të publikohet gjatë muajit të ardhshëm”, është shprehur Neziri, e cila ka qenë edhe koordinatore e garës.

“Space SyntaKS” është institut hulumtues me qendër në Prishtinë. Puna kryesore e tij konsiston në kryerjen e hulumtimeve me njeriun në qendër për të thelluar të kuptuarit e raportit të fenomeneve urbane me kushtet e tyre sociale e ekonomike. Në tërësi janë 15 projekte që janë përzgjedhur si të tilla që do të mund të implementohen në planet urbane në kryeqytet. Fituesit janë përzgjedhur nga juria profesionale në përbërje të arkitektit, ligjëruesit e kritikut Arbër Sadiki, arkitektes e dizajneres urbane Donika Çetta, arkitektit Gëzim Paçarizi, profesoreshës Ardita Byci-Jakupi dhe arkitektes e dizajneres urbane, Arlinda Rushaj-Sadiku.

Image
Me çmimin e tretë janë shpërblyer Albina Krasniqi dhe Vesa Stavileci, me projektin “Multifun Poles”

Rushaj-Sadiku, profesoresha e dizajnit urban, arkitekturës peizazhore dhe dizajnit bazuar në komunitet, në Fakultetin e Arkitekturës në UP, ka thënë se pikë fokusi për vlerësim ka qenë aspekti i funksionalitetit, ai financiar, aspekti i fleksibilitetit, inovacionit e kreativitetit.

“Është çdoherë e vështirë kur në pyetje janë projekte të cilat pothuajse për nga kualiteti janë cilësore dhe të ngjashme. Por në përgjithësi, mendoj se në raport me konkurset e tjera ku kam marrë pjesë, këtu e kemi pasur ndoshta pak më të lehtë pasi kemi pasur punime kualitative dhe mesatare, nuk kemi pasur prej tyre që janë të dobëta. Projektet janë ndihmë për institucionet përkatëse në nivelin lokal, e cila në faza të caktuara mund t’i ndihmojë Prishtinës në një zgjidhje të problemit”, ka thënë Byci-Jakupi, njëra prej gjashtë anëtarëve të jurisë përzgjedhëse.

Çmim nderi u është ndarë 12 projekteve të tjera të përzgjedhura si më të mirat në mesin e mbi 60 sosh. Njëri prej këtyre projekteve është ai i Jeta Hajrizit me titull “Silueta dinamike”, në të cilin është përfshirë ulësja që mbahet prej materialit të betonit dhe në pjesën e sipërme mbulohet me material druri. Një pjesë më e ultë anash ulëses është menduar për vendosjen e çantave shkollore të fëmijëve. Hajrizi ka thënë se qëllimi ka qenë që ulësja të jetë ergonomike, por edhe e bukur në të njëjtën kohë.

“Kemi menduar të jetë multifunksionale si për ata që duan të pushojnë, të punojnë, e të ushqehen. Kemi menduar që edhe njerëzit me aftësi të kufizuara të kenë një vend të tyre, për këtë arsye edhe është hapësira në të. Gjithashtu gjelbërimi që i bashkohet luan rol shumë të madh”, është shprehur ajo.

Ekspozita me dizajne elementesh urbane është konsideruar si mundësi e mirë për të parë punën e dizajnerëve të rinj, si dhe për të takuar ata profesionistë të fushës. Gara “Elemente urbane” është organizuar në partneritet me “Architecture for Humans”, “Trembelat”, Fakultetin e Arkitekturës në UP dhe Ndërmarrjen Publike Banesore - Prishtina, me mbështetje të Komunës së Prishtinës dhe UNDP Kosova.