Kulturë

Mentor Ejupi – Toro, guximtari i artit sensibilizues

U rebelua me art në kohë të zymta për shqiptarët e Kosovës. Godiste me karikatura e kur u zhvendos në Gjermani s’u shkëput shpirtërisht e artistikisht prej vendlindjes. Artisti Mentor Ejupi – Toro ka vdekur të enjten, në moshën 56-vjeçare. Për miqtë e tij e artistët që e njohën, vdekja e Toros pa dyshim që do të lërë zbrazëti jo veç në krijimtarinë artistike, por edhe në organizimin e ngjarjeve kulturore në qytetin verior të Gjermanisë

Në Prishtinën e viteve ‘80 do të njihej si artist rebel. Dozën e rebelimit në art do ta rriste në fund të asaj dekade e në fillim të tjetrës. Asokohe nëpërmjet karikaturës do të shpërfaqte krejt pikëpamjet e tij për regjimin në të cilin jetonin shqiptarët. Thumbonte shoqërinë që të hapte sytë, pasi bëhej fjalë për vitet kur Kosovës i ishte marrë autonomia e presioni mbi shqiptarët po rritej. Për këtë duhej guxim. E guximi e përcolli vazhdimisht në sensibilizimin e masës. Rebeli i dikurshëm e artisti që mbi dy dekada ka jetuar në Hamburg të Gjermanisë, Mentor Ejupi – Toro, vdiq të enjten. Ai ishte 56-vjeç. Lajmin e ka dhënë familja e tij.

Për miqtë e tij e artistët që e njohën, vdekja e Toros pa dyshim që do të lërë zbrazëti jo veç në krijimtarinë artistike, por edhe në organizimin e ngjarjeve kulturore në qytetin verior të Gjermanisë.

I lindur më 1967 në Prishtinë, Ejupi, që me emrin artistik do të njihej si Toro, edukimin bazik, shkollën fillore e atë të mesme do t’i përfundonte në Prishtinë. Më pas, më 1989, do të përfundonte studimet për pikturë në Prishtinë. Më 1991 kishte marrë pjesë në Sallonin e Karikaturës në Prishtinë. Asokohe ishte pikërisht karikatura që do ta bënte të njohur Toron. Veprat e tij botoheshin nëpër të përditshmet e kohës.

“Asokohe të bësh karikaturë e t’i ngucësh komunistët e regjimin ka qenë diçka e guximshme”, ka thënë miku i rinisë së Toros, artisti Gani Llalloshi, i cili jeton në Slloveni. E ka përshkruar Toron si një djalë me shumë energji e mik shumë të mirë. Edhe pse fati i kishte ndarë, bashkë komunikonin herë pas here.

“Ndoshta më pas nuk kemi komunikuar shumë, por gjithmonë kur jemi dëgjuar kemi folur si miq të mirë. Në vitet ’80 kemi qenë të rebeluar në Prishtinë. Ka qenë karikaturist shumë i mirë. Në Prishtinë më shumë e kemi njohur si karikaturist. Isha në Lubjanë e ai vinte atje. Edhe gazetat sllovene i patën botuar disa karikatura të tij”, ka kujtuar Llalloshi. Me të do të këshilloheshin për shumë koncepte si krijues.

Image
Vepra nga cikli për Nënë Terezën, në ekspozitën personale të Toros, “The Year of the White Spirit“, e hapur më 2016 në Hamburg

“Më ka pas ftuar që ta bëj një ekspozitë në galeri tek ai, por nuk u bë që të realizohej. U patëm konsultuar edhe rreth galerisë kur e pati hapur. Mua më ka pëlqyer si artist e edhe si mik”, ka thënë Llalloshi.

Prej vitit 2013, Toro ishte pronar i galerisë për art bashkëkohor “Mytoro“ në Hamburg. Në këtë hapësirë pos punimeve të veta kanë ekspozuar edhe shumë artistë. Hapësira kishte marrë vëmendjen e mediave gjermane shumë herë.

Para rreth dhjetë vjetësh në atë galeri kishte ekspozuar artisti Alban Muja. Ai ka thënë se Toron do ta njihte para rreth dy dekadash dhe shquhej për energji shumë pozitive.

“E kam njohur për energjinë që pos si krijues edhe ka organizuar ngjarje. Para nja gati dhjetë vjetëve e pati organizuar një ekspozitë për veprat e mia dhe të Driton Hajredinit. Aty jemi njohur personalisht. Kjo vdekje e ka mërzitur krejt komunitetin dhe familjen. Ngushëllime të gjithëve për këtë koleg”, ka thënë Muja.

Ka qenë shtatori i vitit 2014, kur kishte kuruar ekspozitën e dyshes Muja e Hajredini. E kishte titulluar “Beautiful travellers”. Hajredini ka thënë se e kishte konceptuar si paraqitje të artistëve që janë detyruar të ikin nga vendet e tyre, por kjo ishte lidhur edhe me shkëmbimet kulturore që bëhen kur ka dyndje popujsh.

“Ambienti e atmosfera ishin shumë të mirë. Me aq sa kam parë, veprat e tij asnjëherë nuk janë shkëputur nga fryma e vendlindjes. Kishte shumë elemente shqiptare, si për shembull Nënën Terezë. Në vendin ku ka jetuar ka qenë goxha i njohur. Ka pasur projekte me komunën, e ka qenë i angazhuar edhe në art publik”, ka thënë Hajredini.

Në vitin 2016, në një bisedë për “E Diela me Kohën Ditore”, Toro kishte shpalosur një pjesë të krijimtarisë së tij. Asokohe kishte përfunduar një cikël punimesh për Nënë Terezën dhe thoshte se si artist kishte dëshirë që të hynte më thellë e të mos ndalej veç te portreti. Portretimin e shihte si punë të fotografëve.

“Unë pikturoj shpirtin e saj”, thoshte Ejupi. Veprimtarinë e tij thoshte se e ka mision dhe se “arti s’mund ta ndryshojë botën”, por ndiqte maksimën se duhet sensibilizuar nëpërmjet krijimtarisë. Atë vit në qytetin e Hamburgut ishte hapur ekspozita e tij personale “The Year of the White Spirit“ (Viti i shpirtit të bardhë) kushtuar Nënës Terezë. Me ngjyra të lehta, por me shumë kombinime, kishte portretizuar nobelisten.

Piktura nuk është i vetmi stil i artit ku Ejupi shkrinte talentin. Prej vitit 1993 jetonte në Port të Hamburgut. Thoshte se jeton i rrethuar nga “Elbe e Fan Nolit“, kur fliste për lumin që zuri vend midis vargjeve të poezive të shkrimtarit, përkthyesit e politikanit shqiptar. Ejupi kishte pikturuar shumë portin dhe është marrë me vite të tëra me ujin si frymëzim krijues. Projektin “Das Wasser Projekt“ (Projekti i ujit) e kishte realizuar në vitin 2006, ku puna e tij u ekspozua në selinë e organizatës “Kunstverein Harburger Bahnhof” në Hamburg. Këtë projekt e veçonte pasi kjo ishte puna që ia dha vizën në skenën e artit në Evropë.

“Instalacioni në fjalë ishte një nga punët më të mundimshme që kam realizuar ndonjëherë. Për tre vjet hulumtova dhe eksperimentova në lumin e Elbes”, kishte thënë ai. Kishte vendosur pëlhura gjigante në kanalet e Elbes. Kishin dimensione 10 me 2 metra, ku pjesa dërrmuese ishte e zhytur në ujë, që të regjistrojë lëvizjet e botës nënujore.

Temat sociale e kishin tërhequr gjithnjë. Në vitin 1997, nëpërmjet pikturës “Refugjatët”, kishte paraqitur fytyrat e ngrysura të tre personave. Fytyrat e tyre janë të ngrysura dhe të vendosura njëra mbi tjetrën. Sytë nuk u shkëlqejnë fort dhe duket sikur refugjatët kanë humbur shpresat. Ejupi në listën e tij të ekspozitave rendit dhjetëra sosh. Më 1991 kishte marrë pjesë në Sallonin e Karikaturës në Prishtinë, më 1994 kishte hapur ekspozitën e parë në Hamburg e prej këtij viti deri në fund të jetës numëroi më se 30 ekspozita personale nëpër Evropë.

“Unë nuk kam qëllime të caktuara që janë konstante. Së pari punoj për të shuar etjen që kam ndaj krijimit, pastaj merrem me atë që unë e shoh të arsyeshme, por asnjëherë i orientuar në parimet e tregut apo faktorëve të tjerë që më rrethojnë”, thoshte ai. Sensibilizimin e masës e kishte një prej motiveve në krijimtari. Hulumtimi dhe analizimi i jetës urbane po ashtu ishin preokupim i tij. “Arti nuk mund ta ndryshojë botën, por mund ta sensibilizojë atë”, thoshte Ejupi.