Kulturë

“Contempora” si urë lidhëse për dramat bashkëkohore të Kosovës

Descriptive Text

Përderisa objekti ku vepron teatri “Bekim Fehmiu” është në rinovim, kontakti me publikun po mbahet nëpërmjet leximeve skenike. “Contempora” titullohet cikli i këtyre leximeve që vijnë edhe si një lloj testi e promovimi i autorëve të rinj dhe urë lidhëse me regjisorët. Dramat futen në një garë e shpërblim është inskenimi i teksteve fituese

Cikli i leximeve skenike të dramës bashkëkohore të Kosovës ka vijuar në teatrin “Bekim Fehmiu” në Prizren me dramën “Pluhur Luminarie” të autores Arijeta Ajeti, nën regji të Kaltrim Balajt. Ky aktivitet është realizuar në Ditën Botërore të Teatrit, me ç’rast në sallën e “DokuKinos” në hapje është lexuar deklarata universale e teatrit e shkruar këtë vit nga aktorja egjiptiane, Samiha Ajub.

Image
“Pluhur Luminarie” trajton çrregullimin e stresit post-traumatik te veteranët e luftës

Në leximin e dytë skenik, në kuadër të ciklit “Contempora”, para publikut është prezantuar teksti i autores Ajeti, që flet për çrregullimin e stresit post-traumatik te veteranët e luftës dhe tendencën e tyre për vetëvrasje.

Aktori i këtij teatri, Xhevdet Doda, ka theksuar se është ndjesi e jashtëzakonshme takimi me publikun në Ditën Botërore të Teatrit dhe ka një mesazh që dëshmon vullnetin, ani pse në objekt po kryhen punimet për renovimin e Shtëpisë së Kulturës.

“Edhe përkundër situatës në të cilën gjendet Teatri i Prizrenit gjatë procesit të renovimit, ne po tregojmë që e duam punën tonë, profesionin tonë dhe po japim shembull konkret të vullnetit tonë dhe të përkushtimit për profesionin tonë, duke i bërë këto lexime skenike, të cilat janë një shembull shumë i veçantë, që në Kosovë pothuajse nuk kanë ndodhur fare, por në rajon e botë nuk janë të panjohura”, ka thënë Doda.

Cikli i leximeve skenike për regjisorin Kaltrim Balaj është një përvojë e veçantë, pasi pos të tjerash, publikut i ofrohet mundësia që tekstin ta “lexojë” me zërin e aktorëve.

"Është një iniciativë shumë e veçantë, ku me disa lexime skenike rresht ky Teatër u jep mundësi autorëve të rinj që të promovohen, u jep mundësi teksteve të reja të promovohen. I jep mundësi dhe qasje publikut të Prizrenit, edhe pse s'ka mundësi ta shtrijë aktivitetin e vet teatror, po funksionon aq mirë sa që i jep mundësi publikut edhe me lexu me zërin e aktorëve tekstin, edhe me qenë në hap me kohën në aspektin e rrjedhës dramaturgjike të vendit tonë”, ka thënë ai.

Autorja e dramës “Pluhur Luminarie”, Arijeta Ajeti, ka theksuar se leximi skenik është një test i mirë për dramën.

“Gjithandej nëpër botë dramat kur të shkruhen, fillimisht lexohen sepse është me rëndësi me e marrë një lloj feedbacku edhe prej audiencës, por edhe prej vetë aktorëve, është diçka krejt ndryshe. Edhe i uroj një nismë të re këtij festivali edhe uroj të ketë sa më shumë të tilla në qytete të ndryshme të Kosovës se është shumë e rëndësishme, edhe për shkrimtarët, por edhe për gjithë trupën teatrore, thjesht të bëhet një shtrirje leximi para se të inskenohet, është një test i mirë për dramën”, ka thënë Ajeti.

Fatos Berisha, drejtor artistik i teatrit “Bekim Fehmiu”, ka thënë se “Contempora” synon t’i promovojë dramat e reja vendore, duke krijuar ura lidhëse edhe me regjisorët e rinj.

“Teatri i Prizrenit e ka këtë iniciativë që ne e kemi titulluar si projekt më afatgjatë që është ‘Contempora’, pra që është fjalë latine për bashkëkohoren, që është projekt që synon përmes leximeve skenike të autorëve të rinj sidomos të zhvillojmë fillimisht dramaturgjinë vendore e pastaj edhe me regjisorët e rinj të bashkëpunojmë, njëkohësisht në të njëjtin projekt, që domethënë edhe t’i njohim ne ata, edhe ata ne, të krijojmë një përvojë, pra të jetë si të themi një ‘win-win’ situatë”.

Burim Mustafa, drejtor i teatrit “Bekim Fehmiu”, ka vlerësuar se projekti “Contempora” vjen si risi në skenën teatrore të Kosovës, meqë ka karakter garues.

“Qëllimi ynë është t’i shtyjmë dramaturgët të punojnë edhe të garojnë ndërmjet vete, edhe teksti më i mirë i këtij edicioni do të inskenohet në vitin tjetër nga teatri ynë. Shpresojmë që ky event të shkojë duke u rritur dhe të përsëritet çdo vit, edhe të rritet si format, por në esencë do të ketë përkrahjen e dramës së re shqipe”, ka thënë ai.

Edicioni i parë i ciklit të leximeve skenike të dramës bashkëkohore shqipe në Teatrin “Bekim Fehmiu” është hapur më 18 mars të këtij viti, me veprën “Crypto Kosova” nga Agush Mulliqi, nën udhëheqjen e regjisores Xheraldina Krasniqi.