Kulturë

Lum Çitaku, anëtari më i ri i Kosovës në Akademisë Evropiane të Filmit

Descriptive Text

Regjisori, antropologu e njëherësh zëvendësuesi i drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Lum Çitaku, është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit. Institucioni i themeluar më 1988, e që ka qëllim avancimin e interesave të industrisë së përbashkët evropiane të filmit, si dhe edukimin dhe kultivimin e audiencës së grupmoshave të ndryshme, deri më tani ka mbi 20 anëtarë nga Kosova.

Lajmi për ftesën që Akademia ia ka bërë Çitakut është bërë i ditur nga Qendra Kinematografike e Kosovës

“Lumi ka afër dy dekada karrierë të pasur në filmbërje, arte vizuele dhe mbi dhjetë vjet përvojë në menaxhim të kulturës. Ai ka punuar si regjisor e krijues, drejtues programesh kulturore e kinematografike, producent, ligjërues dhe hulumtues i filmit e mediave te reja në kontekste të ndryshme kulturore e teknologjike”, thuhet në faqen zyrtare të QKK-së në Facebook.

Çitaku në një prononcim për KOHËN ka vlerësuar anëtarësimin në një institucion kaq të rëndësishëm, duke theksuar dinamikën kulturore e kinematografike të kohës.

“Jam i gëzuar dhe i nderuar t’i bashkohem institucionit më të rëndësishëm evropian të filmit në një periudhë të ndryshimeve të shpejta të kulturës dhe kinemasë evropiane dhe botërore. Këto ndryshime të përshpejtuara, përveç kulturore, janë paralelisht edhe ndryshime të botëkuptimeve dhe botëpërjetimeve nëse mund të themi; janë lëvizje shoqërore, politike, ekonomike dhe të vetëdijeve kolektive”, ka thënë Çitaku, i cili ka garuar për t’u bërë drejtor i QKK-së. Ka thënë se në kohë e momente të mira, arti e filmi shërbejnë si frymëzim, pasqyrë e festë e jetës së përbashkët.

“Ndërsa në kohë, momente, e vende të vështira, ne duhet të punojmë që ato të vazhdojnë të kenë rol reflektues për sistemet dhe shprehitë shpeshherë të padrejta që kemi ndërtuar dhe që ky rol përveç reflektues, të jetë edhe transformues për individët dhe shoqëritë”, ka thënë Çitaku.

Në rolin e udhëheqësit të QKK-së, Çitaku ka folur edhe për rëndësinë e bashkëpunimin me organizata të ndryshme evropiane të filmit, të cilat, sipas tij, do të ndihmojnë në zhvillimin e kinematografisë vendore.

“Si regjisor e hulumtues, e posaçërisht si udhëheqës i institucionit të filmit, për mua është shumë me rëndësi të intensifikojmë bashkëpunimin me organizatat kryesore evropiane e botërore të filmit në projekte të përbashkëta për vazhdimin e zhvillimit të artit të filmit dhe kulturës për kinemanë. Është kohë sfiduese për kinemanë, por edhe për vendin e formave të reja të të shprehurit artistik përmes audiovizueles”, ka thënë Çitaku.

Pjesëmarrja në këto institucione, sipas Çitakut, shërben edhe në kontekst të reflektimit dhe edukimit kritik e kreativ.

“Në të njëjtën kohë kjo është mundësi për të reflektuar dhe vepruar në gjetjen e vendit të imazhit lëvizës për këtë dekadë dhe dekadat e ardhshme. Sidomos në kontekst të edukimit kritik dhe kreativ për dhe përmes imazhit lëvizës, kulturës së përgjithshme për filmin, rolit që mund të luajnë këto në nxitjen e shëndetit, kohezionit shoqëror në vend dhe promovimit të vlerave njerëzore në kontekst evropian dhe botëror”, ka shpjeguar ai.

Kosova në European Film Academy ka 23 anëtarë, teksa prijnë Gjermania me 532 anëtarë, Britania e Madhe me 321 e të tjerë. Anëtarë të saj janë edhe Ilire Vinca, Eshref Durmishi, Faton Bajraktari, Ismet Sijarina, Sevdije Kastrati, Fatmir Spahiu, Edon Rizvanolli, Valon Bajgora, Yll Uka e të tjerë.

Rëndësinë e një numri sa më të madh anëtarësh nga Kosova e ka vlerësuar edhe anëtari më i ri.

“Deri vonë Akademia Evropian e Filmit ka luajtur rolin e ofrimit të platformës së përbashkët evropiane për festimin dhe promovimin e artit të filmit, që kulmon çdo vit me ndarjen e Çmimeve Evropiane të Filmit. Në këtë kontekst, rritja e numrit të kineasteve nga Kosova në EFA është me rëndësi për të krijuar masë votuese dhe lobuese në vlerësimin e filmave që bëhet çdo vit”, ka thënë ai.

Nisur nga bashkëpunimi dhe komunikimi i vazhdueshëm me Akademinë Evropiane të Filmit, Çitaku ka përmendur edhe ndryshimet që e kanë karakterizuar këtë institucion kohëve të fundit.

“Por ka një vit e gjysmë që kryesia dhe menaxhmenti i ri i EFA-s kanë marrë iniciativa dhe kanë filluar biseda të përbashkëta me qendra të filmit të vendeve aktive të fushës, për të realizuar projekte me interes vendor dhe evropian. Jam posaçërisht i gëzuar me këto zhvillime dhe inicime të projekteve konkrete në kontekst të mbrojtjes dhe festimit të trashëgimisë kinematografike të të gjitha kulturave dhe gjuhëve te kontinentit, të vetë objekteve e hapësirave të kinemave me vlerë në kontekst të trashëgimisë, si dhe në bashkërendimin e projekteve për edukimin e audiencave të reja në vend dhe Evropë”, ka thënë ai.