Kulturë

“OneBeat Balkans” thyen kufijtë me muzikë

Descriptive Text

Në Prishtinë e Novi-Sad do të bashkohen vlerat muzikore të vendeve të Ballkanit në koncertet “OneBeat Balkans”. Si pjesë e projektit me të njëjtin titull, në koncerte do të interpretojnë 13 muzikantë nga Kosova, Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi e Kroacia. Atyre u bashkohen edhe ata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët pos që i bashkon skena muzikore, gjithashtu do të udhëtojnë nëpër vendet e Ballkanit, të krijojnë muzikë të re dhe vepra multidisiplinore. Në Prishtinë koncerti do të mbahet më 7 prill, si dhe do të zgjerohet edhe me aktivitete të tjera në qytete të Kosovës e në shtetet ballkanike. E në Novi-Sad koncerti do të mbahet më 10 prill.

Në atë që tashmë është kthyer si Amfiteatër i Teatrit Kombëtar në Prishtinë, mysafirë specialë do të jenë kori “Okarina” dhe violinisti Visar Kuçi. Të tjerë nga vendi janë ftuar edhe jazz këngëtarja Agona Shporta, Bajram Kinolli, lideri i grupit “Gipsy Groove”, njëherësh edhe drejtor artistik i “OneBeat Balkans” në Prishtinë, e bateristi Granit Paçarada. Gjithashtu do të interpretojnë Tomor Kuçi, Iliriana Gjoni, Aleksandra Aleksandroviq, Mak Murtiq, Marta Kolega, Chad S Brown Leland Baker, Oliver Nastovski e Sara Renar.

Drejtori artistik i “OneBeat Balkans”, Bajram Kinolli, e ka vlerësuar të rëndësishëm misionin e ngjarjes për qëllimet e saj. “Si mjet përdoret muzika dhe arti performues në përgjithësi. Qëllimi kryesor është të ndërtojë ura ndërlidhëse ndërmjet komuniteteve në Kosovë dhe më gjerë”, ka thënë Kinolli.

Fokusi i ngjarjes është që pjesëmarrësit të kapërcejnë ndarjet stilistike dhe kulturore së bashku në kërkim të mundësive të reja muzikore. Muzikantët vlerësohen të jenë të përkushtuar ndaj komuniteteve të tyre dhe se janë në kërkim të mënyrave të reja për t’u përfshirë e angazhuar në zgjidhjen e konflikteve dhe dialogon global përmes muzikës si dhe të tjera që ndihmojnë në arritjen e demokracisë e barazisë në shoqëri.

“’OneBeat Balkans’ ua jep muzikantëve mundësinë të bashkëpunojnë me projekte të reja dhe të gjurmojnë tradita të reja muzikore. Ne vend se t’i tregojnë talentet individuale, muzikantët e ‘OneBeat Balkans’ do të punojnë së bashku, nëpërmes ndasive kulturore, duke mësyrë mundësi të reja muzikore”, ka njoftuar Kinolli përmes një përgjigjeje me shkrim.

“OneBeat Balkans” është pjesë e aktivitetit global “OneBeat” që së pari filloi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për herë të tretë në Prishtinë ngjarja zbatohet nga organizata “Balkan Art Zone”. Edicionin e parë e kishte zhvilluar në shkurt të vitit 2019. Aktivitetet e ndryshme ishin zhvilluar, ndër të tjera, edhe në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, në teatrin “ODA” në Prishtinë e në qendrën kulturore “Tulla” në Tiranë. Në përfundim të tij organizatorët kishin dalë me përfundime se pasuria kulturore e rajonit është manipuluar për të theksuar ndarjet mes vendeve. Ishin përfshirë gjuhë e zhanre të ndryshme si hip hop, jazz modern, elektronikë eksperimentale dhe polifoni tradicionale maqedonase.

Me edicionin e parë “OneBeat Balkans” kishte ndërprerë aktivitetin në formë fizike deri më tani për shkak të situatës me pandeminë. Edicionin e dytë e kishte zhvilluar në formë virtuale në prill të vitit 2020. Nga Kosova kishin interpretuar Granit Paçarada, Bajram Kinolli e Iliriana Gjoni. I treti vjen si vazhdimësi e edicionit të kaluar ku artistë të vendeve të Ballkanit dhe atyre nga ShBA-ja do të qëndrojnë në Prishtinë ku do të zhvillojnë prova të përbashkëta, sikurse edhe në Novi-Sad të Serbisë.

Aktivitete të tjera përfshijnë edhe seminare publike ku arti përdoret për të rivendosur besimin dhe zhvillimin ekonomik në këtë pjesë të Evropës. Visar Kuçi është i ftuar special edhe për koncertin në Novi-Sad e bashkë me të edhe Marko Louis dhe “Pop Hor Radio”.

Drejtori artistik Bajram Kinolli e vlerëson “OneBeat Balkans” si rezidencë muzikore, e cila jep mundësi bashkëpunimi mes trojeve ballkanike e më gjerë. Kjo pasi pjesëmarrësit qëndrojnë prej 24 deri në 30 ditë së bashku me aktivitete të ndryshme. “ ‘OneBeat Balkan’ është inkubator muzikor, ku muzikantët nga e gjithë bota krijojnë projekte bashkëpunuese të dizajnuara për të pasur ndikim pozitiv në komunitetet lokale dhe globale”, ka thënë Kinolli më tej.

Në prezantimin e “OneBeat” bëhet e ditur se në kuadër të saj organizohen rezidenca njëmujore një apo dy herë në vit për të shkruar, prodhuar dhe performuar muzikën origjinale dhe për të zhvilluar strategji për angazhim social të bazuar në art. Ishte themeluar në vitin 2012. “Deri më sot ‘OneBeat’ ka vizituar 34 qytete të SHBA në 21 shtete, ndërsa ka mbledhur mbi 1.5 milionë dollarë për të financuar projekte të reja krijuese që trajtojnë çështjet kryesore me të cilat përballen komunitetet në mbarë botën, duke përfshirë fuqizimin e grave, angazhimin e të rinjve, shkrim-leximin digjital, sipërmarrjen, zgjidhjen e konflikteve dhe shumë të tjera”, shkruhet në njoftim, ku theksohet se programet e saj dekurajojnë rritjen e përçarjes dhe ekstremizmit.

“OneBeat Balkans” është pjesë e projektit global “OneBeat”, i cili filloi në SHBA, me iniciativën e Byrosë së Çështjeve Arsimore dhe Kulturore të Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Për herë të tretë “OneBeat Balkans” zbatohet nga organizata “Balkan Art Zone”, me mbështetje shtesë nga ambasadat e SHBA-së në Kosovë dhe Serbi dhe organizata “Found Sound Nation” nga SHBA-ja.