Kulturë

Muriqi e Berisha nderohen për vepër jetësore si aktore “pamoshë”

Për krejt kontributin e tyre, Muradije Muriqi, aktore e teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë, e Mejreme Berisha, aktore e Teatrit të Gjilanit, janë nderuar me Çmimin kombëtar për vepër jetësorë në fushën e teatrit. Ato kanë pranuar çmimet në ceremoninë e mbajtur në kabinetin e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, të hënën, në Ditën Botërore të Teatrit

Me dekada kanë portretizuar role të ndryshme në skenë. Këtë e kanë bërë edhe në kohën kur jo shumë gra mund të realizonin qëllimet e tyre për të qenë aktore. Për krejt kontributin e tyre, Muradije Muriqi, aktore e teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë, e Mejreme Berisha, aktore e Teatrit të Gjilanit, janë nderuar me Çmimin kombëtar për vepër jetësore në fushën e teatrit. Ato kanë pranuar çmimet në ceremoninë e mbajtur në kabinetin e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, të hënën, në Ditën Botërore të Teatrit.

Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë në fushën e teatrit i është dhënë qendrës “Multimedia” për shfaqjen “The Handke Project”. Këtë shfaqje “Multimedia” e ka dhënë në disa vende të Evropës, përfshirë edhe Beogradin. Shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt godet nobelistin austriak Peter Handke, si mohues i gjenocidit të bërë nga regjimi serb.

Sipas vlerësimit të jurisë së përbërë nga Luan Jaha, Agon Myftari, Drita Begolli, Kumrije Hoxha e Alban Beqiraj, Çmimi kombëtar për regjinë më të mirë për vitin 2022 i është ndarë regjisorit Fatos Berisha për shfaqjen “Pornography”, prodhim i teatrit të Gjakovës, “Hadi Shehu”.

Çmimi për aktoren më të mirë i është dhënë Ilire Vincës për rolin e saj te shfaqja “Babai dhe babai”, nën regji të Kushtrim Koliqit e tekst të Jeton Nezirajt. Për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar çmimi i ka takuar Teatrit të Gjilanit.

Sipas arsyetimit të jurisë, Berisha e Muriqi janë nderuar për vepër jetësore për angazhimin e karrierën e gjatë skenike, profesionalizmin, disiplinën, përkushtimin, begatinë artistike, përvojën nëpër festivale të rëndësishme në vend e rajon, “për rolet e shumta në teatër e film, qofshin ato të mëdha apo me të vogla; zëri i tyre asocion me vetë teatrot e tyre përkatëse, thuajse aktoret në fjalë janë të pamoshë”.

Aktoret veterane kanë falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët e tyre.

“Faleminderit familjes sime, faleminderit teatrit të Gjakovës ‘Hadi Shehu’, veçanërisht faleminderit publikut”, ka thënë Muradije Muriqi. Shumë mirënjohëse për këtë vlerësim ka thënë të jetë aktorja Mejreme Berisha. “I jam mirënjohëse shtëpisë sime teatrore, kolegëve të mi, puna pa të cilët nuk do të ishte e mundshme”, ka thënë Berisha.

Sipas arsyetimit të jurisë. Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë “The Handke Project” i është ndarë për karakterin kërkimor të një produksioni të përmasave të pazakonta, punën intensive të një ansambli ndërkombëtar, “realizimin skenik të një materiali të dendur dramaturgjik, inovativ si komentim ndaj ngjarjeve reale të kohës.

“Për kritikën ekspresive ndaj qëndrimeve kontroverse politike të nobelistit Peter Handke, kundërvënien si formë estetike – kritike – teatrore ndaj propagandës mediale, ironisë e shtrembërimit të fakteve mbi mohimin e gjenocidit në Ballkan dhe dilemave të tjera që shpalosin kufij të ndjeshëm humanë dhe artistikë”, shkruhet në arsyetim. E në arsyetimin për Çmimin vjetor për regjinë më të mirë në fushën e teatrit për
Fatos Berishën për shfaqjen “Pornography”, shkruhet se regjisori ka bërë inskenimin jolinear dhe trajtimin e materies së dendur dramaturgjike, intensitet shumëplanësh të lojës aktoriale, zbërthimin e gjetjet regjisoriale nëpër hapësira të ngushta skenike, “pasqyrimin mbresëlënës ndaj shkrirjes së kufijve të dramës familjare dhe fatit social të zonave të mëdha urbane, drejt një dehumanizimi global”.

Çmimin vjetor për aktoren më të mirë Ilire Vinca e ka pranuar duke e vlerësuar rolin e saj te shfaqja “Babai dhe babai”.

“Për performancën dhe estetikën ekspresive në mishërimin e personazhit, nuancat dhe kompleksitetin e karakterit në dramën familjare mbi personat e pagjetur, gjallërinë vokale dhe transformimin fluid skenik, shkathtësinë e ndërthurjes së lojës dhe ‘mungesës’ së tjetrit, përfaqësimin e suksesshëm, tashmë nëpër shumë festivale teatrore, si dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm në portretizmin e rolit të Sarës”, shkruhet në arsyetim.

E sa i përket Çmimit vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar, Teatri i Gjilanit është vlerësuar për shembullin e suksesshëm të prezantimit ndërkombëtar nëpër festivale të rëndësishme të teatrit të Evropës Qendrore. “Për mjeshtërinë e trajtimit të dramës së refugjatëve, si protestë skenike kundër luftës dhe domosdoshmërisë për të parë tragjedinë e ‘tjetrit’, si dhe për rëndësinë sociale, organizative e sensibilizuese të ansambleve të qyteteve rajonale të Kosovës drejt pistave e përvojave të reja reprezentative-teatrore”, shkruhet në arsyetimin që para të pranishmëve është lexuar nga anëtari i jurisë, Alban Beqiraj.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore ka vlerë financiare 5 mijë euro, kurse çmimet vjetore nga 2.500 euro.