Kulturë

“Unë dhe Unë” me luftën e njeriut për të qëndruar në këmbë

Descriptive Text

Skena është krejt e errët. Në mes të saj shihet silueta e një vajze. Pas pak minutash, ndizet një dritë e zbehtë e cila ndriçon trupin e saj. Ajo nis t’i bërtasë dikujt teksa përsërit të njëjtat fjalë. Paralelisht me të, ajo shkon duke e rritur intensitetin e zërit dhe bashkë me të edhe dramacitetin. Fillon të ecë si e ndërkryer, sa në një cep në tjetrin, duke shpejtuar vazhdimisht hapat derisa rrëzohet përtokë. Për pak minuta rri ashtu.

Në tri anët e skenës gjendet nga një si dru i ngulur në tokë. Nga errësira, nuk mund të vërehet qartë se çfarë është por duket se aktores i shërben për të mbajtur gjësende. Publiku e sheh se ajo merr në dorë një maske të bardhë. E ofron afër vetes dhe nis ta ledhatojë sikur të ishte njeri. Pa thënë asnjë fjalë, nis ta përqafojë e pastaj edhe ta puthë me plot epsh. Më pas, vendos ta lidhë për koke. Nga publiku duket si njeri me dy fytyra. Merr një këmishë të bardhë dhe e vesh për së prapthi. Më pas, publikut ia kthen shpinën dhe tani duket sikur është maska ajo që ka marrë rolin në dorë.

E tërë kjo është pjesë e performancës “Unë dhe unë” të realizuar në Skenën e Fakultetit të Arteve nga Flaka Latifi. Në bashkëpunim me profesoreshën e Lojërave Skenike, Agnes Nokshiqi, aktorja Flaka Latifi performancën e saj e ka bazuar në dramën “Pulëbardha” të Anton Çehovit. Megjithatë, këtë e ka bërë duke qenë krejt e vetme në skenë. Monologët e “dialogët” i realizon të gjitha vetë dhe përveç kësaj, në të ka futur edhe artin performativ. Mbi gjysma e kohës u kushtohet lëvizjeve trupore. Aktorja shkon në qosh të skenës, lëshon një melodi të lehtë, ecën deri te mesi i skenës dhe nis të flasë përmes trupit. Nëpërmjet kësaj forme të komunikimit, Latifi si Nina e “Pulëbardhës” kapërcen disa gjendje emocionale e jetësore: gëzohet, qesh, i këndon foshnjës në bark, lind fëmijën, e merr në duar, e përkund, mbetet pa të, vajton e bie përtokë. Lehtësia dhe saktësia e lëvizjeve të saj, bëjnë që kokat e publikut të lëvizin paralelisht me trupin e saj. Ndokush që nuk ka zënë vend në rresht të parë, shihet duke lëvizur sa andej-këndej, duke u munduar, që nëpër hapësirat midis trupave të publikut, të shohë lëvizjet që Latifi i bën teksa gjendet edhe e shtrirë në tokë. Për realizimin e saj është dashur jo pak mund.

“Kam bërë shfaqje në grupe në të cilat kam kaluar shumë mirë. Është një ndihmë, një besim më i madh. Për çudi edhe detyrat që i kemi pasur në lëndën e aktrimit gjatë studimeve në shumicën ose në disa prej tyre, unë kam qenë vetëm dhe kam fituar një vetëkontroll në skenë. E kam vërejtur që mund edhe t’ia dal. Megjithatë, është e vështirë për kohën sa je në skenë. Shfaqja ka zgjatur diku 40 minuta dhe tani po e vërej se është mjaft e vështirë të bësh gjithçka vetë, me qenë non-stop në lëvizje, koncentrim të tekstit dhe gjithçka tjetër. Normalisht është edhe e lodhshme”, është shprehur Latifi teksa në të folurit e saj vërehej lodhja nga performanca.

Performanca synon të tregojë diçka nga jeta e njerëzve që vuajnë, shtypen e rrëzohen për toke, por që prapë dinë dhe ia dalin të ngrihen e të qëndrojnë në këmbët e veta. Një gjë të tillë e konfirmon edhe vetë profesoresha e Latifit, e cila gjithashtu ka ndihmuar në realizimin e kësaj performance.

“Për shkak të monologut të fundit, sepse lidhet edhe me faktin që ajo është vetë aktore dhe kjo ka qenë si një pikënisje për me ndërtu, dhe unë po besoj që edhe ka mbërritur ta tregojë një pozitë të kësaj vajze, këtë rast Ninës, e cila ka qenë një vajzë goxha e padjallëzuar, kurioze për jetën e artit dhe teatrin dhe mandej ajo pësoi një dëshpërim, por prapë ndalet në këmbët e veta dhe e vazhdon jetën. E mbledh veten sikurse edhe ne vetë në jetë, kur na ndodh diçka dhe vazhdojmë prapë përpara”, ka shpjeguar Nokshiqi.

Për projektin ka folur edhe vetë aktorja, Latifi. Ajo ka theksuar ndihmën dhe punën e palodhshme të profesoreshës Nokshiqi.

“Për katër vjet sa kam studiuar në fakultet plus një vit master, kam pasur fatin të kem profesorë të mrekullueshëm edhe në performancë dhe veçmas Agnes Nokshiqin. Jam shumë e lumtur që kam pasur rastin të marr shumë nga ajo. Shumë nga lëvizjet. Ajo ka bërë një punë të palodhshme dhe më ka motivuar gjatë gjithë kohës për të vazhduar përpara dhe për të mos u ndalur asnjëherë”, ka thënë Latifi.

Ndryshe nga aktrimet klasike, kur në skenë nuk je i vetëm dhe ku pothuajse gjithçka realizohet përmes dialogëve, te shfaqjet e tilla komunikimi bëhet pa folur, përmes mimikave e lëvizjeve trupore. Rëndësinë e një loje të tillë e ka vlerësuar edhe Agnes Nokshiqi e cila është edhe ligjëruese e Lojërave Skenike dhe Lëvizjes n Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

“Unë edhe në Fakultet e ligjëroj performancën dhe lojërat skenike dhe u them studentëve që është shumë e rëndësishme, e që me pasë art performativ, sepse ti nuk je doemos i lidhur me të tjerët. Ti mundesh edhe vetë me ndërtu ashtu si e ndërtoi edhe Flaka. Pra mundesh edhe vetë me punu dhe duhet ta dinë se gjuha nuk është barrierë. Ti mundesh gjithkund nëpër botë me shëtitë me performancë dhe kudo që shkon ajo kuptohet”, ka thënë Nokshiqi pas performancës së realizuar në kuadër të Fondit për Art Feminist të “Artpolisit”.