Kulturë

Drande Mita-Tupeci, mësuesja misionare kundër analfabetizmit

“Shkuam në një lagje periferike në Prizren. Ishte lagjja me e varfër dhe më e prapambetur. Të gjithë merreshin me bujqësi dhe ishin punëtorë krahu. Analfabetë qind për qind”, do të thoshte disa vjet më parë mësuesja Drande Mita-Tupeci. Lufta kundër analfabetizmit u bë mision i saj jetësor. Veteranes së arsimit, të shtunën, iu dha lamtumira e fundit. Ajo vdiq në moshën 96-vjeçare

Mësimdhënia dhe lufta kundër analfabetizmit ishin dy çështjet me të cilat mësuesja nga Prizreni, Drande Mita-Tupeci, ishte preokupuar gjatë gjithë jetës. Dashurinë për këtë profesion e kishte trashëguar nga familja. Ajo ishte edhe mbesë e mësuesit të shkollës së parë shqipe, Dom Mikel Tarabulluzi. Këtë profesion, fort të dashur për të, e kishte nisur qysh kur kishte qenë 16- vjeçare dhe i kishte qëndruar besnike deri në frymën e fundit. Të shtunën i është dhënë lamtumira e fundit. Drande Mita-Tupeci vdiq në moshën 96-vjeçare.

Sipas biografisë së saj, e lindur në vitin 1927 nga dy prindër të arsimuar, në familje atdhetare me traditë arsimin, Drande Mita-Tupeci kreu shkollën fillore dhe kursin e parë pedagogjik më 1943 në Prishtinë. “Po këtë vit, në moshën 16-vjeçare nisi edhe punën si mësuese në Prizren. Shkollimi në ato vjet, kur vetëm një numër i vogël shqiptarësh ndiqnin shkollën, nuk ishte aspak i lehtë”, shkruhet në biografi.

Në një profil për RTK-në në vitin 2016, Mita-Tupeci do të tregonte lidhjen e saj të parë me mësuesinë. Mësuesi i saj i fillores ia kishte shkruar qëllimshëm, mbiemrin gabimisht.

“Shkollën fillore edhe atë të mesme, atë që kam arritur ta bëj deri në 41-n kam shkuar në serbisht. Nuk ka pasur shkollë shqipe. Mësuesi në fillore ka qenë malazez dhe ka qenë kundër shqiptarëve. Ma pati ndërruar mbiemrin. Jam regjistruar në klasën e parë. Shkova. Po i thërret emrat dhe po pyet se kujt nuk ja kam thirrur emrin. U çova unë. Isha në klasë të parë. Ai më tha: ‘Po kjo Mitezoviq Dranda a je ti?’ Nuk po e njohsha emrin tim Drande Mita! E kam pasur në parashkollor një murgeshë. Ka qenë shkodrane dhe ma pati shkruar aty, Drandja e Mitës e ai pastaj e kishte bërë Mitezoviq Dranda dhe më pati mbetur ashtu deri në 41-n”, do të kujtonte ajo vitet e hershme.

Punësimi në një shkollë shqipe në Prizren e kishte gëzuar jashtë mase Drandën gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Megjithatë, duke qenë se kishte të përfunduar vetëm shkollën fillore, ajo dinte edhe të shqetësohej se mos ndoshta nuk mund t’ia dilte ta realizonte punën ashtu siç duhet.

“Kur përfundova shkollën, u hapën shkollat në Kosovë në 41-n. U paraqit nevoja për mësuese. U lajmërova. Në 43-n erdha këtu në kurs si 16-vjeçare. Kursi pedagogjik u bë në Prishtinë. E përfundova kursin dhe më pas u emërova mësuese në Prizren. Kur shkova në mbledhjen e parë isha me frikë dhe me gëzim. Me frikë sepse frikësohesha mos nuk do të di ta plotësoj detyrën si duhet. Isha e re dhe s’kisha kushedi çfarë arritjeje”, kishte treguar ajo në emisionin “Imazh”.

Mësimdhënia në kohët e atëhershme ishte shumë më ndryshe. Shumica e nxënësve vinin nga prindër analfabetë. Me nxënës të tillë i kishte rënë të punonte edhe Mita-Tupecit. Lufta kundër analfabetizmit u bë misioni i saj.

“Shkuam në një lagje periferike në Prizren. Ishte lagjja me e varfër dhe më e prapambetur. Të gjithë janë marrë me bujqësi dhe ishin punëtorë krahu. Analfabetë qind për qind. Kushtet minimale. Tash prindërit po ankohen për çantat e rënda të fëmijëve, që është e vërtetë, por atëherë nxënësi im vinte me një laps, fletoren dhe abetaren në dorë. Mirëpo prej asaj gjenerate më ka dalë një doktor shkence dhe disa me fakultet”, kujtonte ajo.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, mësuesja Drande kreu edhe dy kurse pedagogjike dhe mori diplomën e mësuesisë në Gjakovë. Më 1948 u emërua drejtoreshë e Gjimnazit të Femrave në Prizren dhe kur organet e pushtetit mbyllën këtë gjimnaz, kaloi me shërbim mësuesie në shkollat fillore të Prizrenit. Këtë profesion e vazhdoi deri kur doli në pensionim, në vitin 1978.

“Pas tre vjetëve më çuan në një shkollë në qendër dhe gjatë kohës kam punuar me kurset analfabetike. Vinin vajza të reja me çarçaf. Analfabete. Para lufte, në gjimnaz kanë shkuar vetëm motrat Kabashi – Vehidja dhe motra e madhe e saj – dhe Jëlldez Gjoni. Mandej u paraqit nevoja për kurse dhe lufta për ta hequr ferexhenë. Atëherë jemi përgatitur dhe kemi shkuar nëpër shtëpi, ku kemi biseduar me gratë lidhur me emancipim”, kishte përfunduar tregimin e saj mësuesja veterane.

Në njoftimin për vdekjen e saj, shkruhet se zelli për punën dhe dashuria ndaj leximit e mbajtën aktive dhe të kthjellët deri në ditët e fundit të jetës së saj. Ajo ishte dekoruar edhe me medalje presidenciale nga presidentja Atifete Jahjaga për vepër jetësore, kontribut ndaj kombit dhe shtetit. Më 7 mars të këtij viti, Drande Mita-Tupeci u nderua me mirënjohje institucionale për kontributin e dhënë në edukimin dhe arsimimin e brezave, nga drejtoresha e Departamentit të Kulturës dhe Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj-Gutaj.