Kulturë

“Marsi...” ndërton rrëfimin unik për gratë e vajzat e UÇK-së në front

Me fanatizëm do ta ruante thesarin e fotografive të shkrepura në luftë. Mirvete Hasani ishte kujdesur madje për rrobat që mbante në trup, duke i konsideruar si të shenjta e me peshë për vlerat që bartin. Rreth 60 fotografi tok me uniforma bashkëluftëtaresh të saj e gjësende të tjera, dëshmi të luftës, vijnë për herë të parë me ekspozitën “Marsi – gratë dhe vajzat e UÇK-së”

“Marsi – gratë dhe vajzat e UÇK-së” ka sjellë imazhe lufte e krenarie njëkohësisht. Janë dëshmi unike të Mirvete Hasanit me bashkëluftëtare, të cilat për herë të parë ndahen me publikun, në ekspozitën e hapur të premten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, pikërisht në 24-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s kundër forcave të regjimit serb.

Hasani, me fanatizëm do ta ruante këtë thesar fotografish, përkundër barrës fizike e emocionale gjatë luftës e deri më sot. Ishte kujdesur madje për rrobat që mbante në trup, duke i konsideruar si të shenjta e me peshë për vlerat që bartin. Prej tyre, ditari, një palë çorape që kishte veshur ditën kur ishte plagosur, një peshqir dhe uniforma e saj, ende kanë aromë lufte tek qëndrojnë në tavolinat ekspozuese. Pranë tyre janë shiritat fotografikë ku këtu e një çerekshekull më parë kishin nisur të projektohen shkrepjet e ish-luftëtares së UÇK-së, të cilat janë pjesa thelbësore e ekspozitës “Marsi”.

Veshjet e fotografitë janë eksponate dhe nëpërmjet tyre shpaloset një pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës, me fokus në gruan luftëtare. Fotografia e Shkëndije Zogut nga vija e frontit, ajo e Shqipe Mehmeti-Selimit dhe Mirvete Hasanit në festën e Ditës së Flamurit më 28 nëntor 1998 e fotografia e Fidajete Spahiut, Afërdita Qerkinit, Hatixhe e Xhemile Jasharit me rastin e betimit në Kleçkë janë disa prej atyre imazheve që shpalosin kontributin e grave në luftë. Secila fotografi përcillet me shënimet që tregojnë për vendin e shkrepjes, protagonistët në të, datën e rastin e fotografisë. Ato vijojnë me vizitat në familje të autores së ekspozitës, e atë që e kishe realizuar me bashkëluftëtaren Irfete Spahiu.

“Ishte një mot i ftoftë dhe frynte një erë e fortë, por ne s’pyesnim për kohën”, shkruhet në fotografinë e shkrepur me 6 mars 1999 në Prekaz.

Ani pse në rrethana lufte, tradita e shënimit të datave historike nuk mungonte as atëherë. Njëra prej fotografive paraqet Antigona Fazliun tashmë dëshmore, më datë 28 nëntor 1998 në Prekaz. Organizimet, qoftë ato simbolike e në situata të vështira, kishin bërë që mjetet e ndryshme të ktheheshin në funksion të përgatitjes së një skene modeste e ku festa ishte shënuar me paraqitjen e ushtarëve aty. Në një tjetër fotografi të asaj dite shihen luftëtarët tek mbajnë fotografinë e Adem Jasharit me rastin e shënimit të ditës kur u lind komandanti. Te fotoja e datës 26 mars 1999 në Likoc të Skenderajt, autorja është e vetmja grua krahas bashkëluftëtarëve që ishin angazhuar në mbrojtje të vendit. Fotografia tjetër, e një dite më pas, ishte shkrepur në mungesë të njërit prej bashkëluftëtarëve të saj.

“Një ditë pas rënies së Ilir Lushtakut. I paharrueshëm do të jetë kujtimi për Ilirin. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të lirisë!”, shkruhet poshtë fotografisë.

Krejt elementet që e përbëjnë ekspozitën e vendosur në korridorin e katit të sipërm të Bibliotekës Kombëtare në kryeqytet, dokumentojnë forcën e grave shqiptare, që sikurse burrat, rrokën armët.

“Në një moment të shkurtër pushimi sa për të ndezur një cigare. Pas disa minutash, dëgjohen të shtëna armësh në drejtimin tonë”, shkruhet në një tjetër fotografi.

Mirvete Hasani i përjetësoi të gjitha ato momente në fotoaparatin e saj që e barte me vete kudo.

“Fotografitë, një numër i vogël kanë qenë të bashkëluftëtarëve të mi, shumica janë shkrepur prej një fotoaparati të vogël që e mbaja gjatë luftës çdoherë në xhep të uniformës”, ka treguar Hasani, e cila i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur kishte qenë rreth 25 vjeçe dhe po studionte në Universitetin e Prishtinës.

Fotografitë i ruan me fanatizëm edhe sot, e për ekspozimin e tyre ishte angazhuar me ish-bashkëluftëtarë për një vit e gjysmë. Mbi 60 fotografi të ekspozuara janë veç një pjesë e vogël e asaj që ruhet në arkivin e Hasanit. “Për fat shumë të mirë që fotografitë më kanë shpëtuar. E kam si lloj albumi që flet mjaft. Ka qenë e vështirë t’i ruaj materialet, pasi zhvendoseshim nga një vend në tjetrin dhe as gjërat e mia personale nuk i kam ruajtur më shumë se gjërat e luftës si fotografitë, uniformën, çizmet. Kanë qenë parësore për mua. Kanë pasur vlerë më shumë se fëmijët e mi, janë gjëra që i kemi përjetuar vetë ne”, është shprehur Hasani në një bisedë për KOHË-n, pas vernisazhit të ekspozitës, e cila ka stërmbushur hollin e BKK-së.

Në tavolina ekspozimi, pos uniformës së saj e gjësendeve tjera, janë ekspozuar edhe uniforma e Malsore Tërshanit, e Shqipe Ahmetit, e Fidajete Spahiut, Sevdije Mehmetit e kapela e Ardita Bylykbashit.

Në njërën prej fotografive, Mirvete Hasani shihet pranë fëmijëve të familjes Jashari.

“Së bashku me shoqen time të luftës Fidajeten, takuam fëmijët e shpëtuar të familjes. Ndjenjë dhimbjeje dhe krenarie për pasardhësit e Jasharëve”, ka shkruar autorja për fotografinë me rastin e njëvjetorit të Epopesë së UÇK-së më 6 mars 1999. Profile të grave luftëtare jepen në fotografitë që përbëjnë ekspozitën “Marsi – Gratë dhe vajzat e UÇK-së” ku autorja shihet edhe pranë Xhevë e Fehmi Lladrovcit.

“Ekspozita, gradualisht nga pozicioni i dokumentarit, merr karakter filozofik, fakti që ngjarja, interpretohet me ngjyra e nuanca të kësaj natyre, ndërsa, figurat, nëpër shekuj vizuelizohen, ndërsa armët e tyre marrin kuptim tjetër, trupi, mëndja, fytyra, marrin dimension historik, madje, mbi të drejtën estetike, artistët e ngritin në çështje studimore veprimtarinë e tyre”, ka shkruar kuratori, dramaturgu e regjisori Naser Shatrolli për ekspozitën.

Autorja e ekspozitës ka thënë se nëpërmjet saj, kanë dashur të shpalosin edhe heroizmin e grave dhe vajzave që sipas saj, nuk është promovuar dhe se është dashur të angazhohen vetë ato. Materialet e ekspozuara e kanë kthyer në momentet e para 25 vjetëve.

“Na kanë kthyer shumë në kohë fotografitë, sepse secilën e kam mbajtur në xhep të uniformës. Menjëherë pas një ofensive të atij fronti jemi fotografuar, kemi folur, kemi qeshur. Janë fotografi të gjalla që sot kur i shoh më duket që ende jam aty. Po humbin gjurmët e gjërat po harrohen. E pashë të nevojshme të bëjmë diçka patjetër”, ka thënë Hasani.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës deri më 29 mars.