Kulturë

Rinis restaurimi i monumentit të djegur në Ferizaj, hetimet vazhdojnë

Dhjetë ditë pasi mori flakë, e që dyshohet se ishte zjarrvënie e qëllimshme, kanë rinisur punimet për restaurimin e objektit të Shkollës së parë shqipe. Kostoja e projektit gjysmë milioni eurosh do të rritet rreth 10 për qind përderisa institucionet e drejtësisë vazhdojnë hetimet. Sipas kontratës, konkretizimi i projektit që objektin e bën qendër kulturore, do të finalizohet për tetë muaj

E rrethuar me shirita që ndalojnë afrimin te monumenti, Shkollës së Parë Shqipe në Ferizaj të premten i janë kthyer punonjësit që do ta bëjnë restaurimin e saj. Kjo është bërë dhjetë ditë pasi zjarri që dyshohet se i ishte vënë qëllimshëm, e bëri shkrumb krejt kulmin e ndërtesës së viteve 1928-1930. Një grup punonjësish të kompanisë punëkryese kanë nisur pastrimin e hapësirave përreth dhe brenda ndërtesës që njihet si Shkolla e Parë Shqipe “Ismail Qemali” e Gjimnazi i ulët shqiptar. Krahas pastrimit do të bëhet edhe rrethimi i vendpunishtes në mënyrë që të sigurohet perimetri ku po bëhen ndërhyrjet konservuese e restauruese.

Sipas institucioneve të drejtësisë hetimet ende janë duke vazhduar, përderisa sipas atyre të trashëgimisë kulturore, kostoja shtesë e financimit nuk shkon përtej 10-përqindëshit të kontratës fillestare, ose 50 mijë euro. Kontrata për ta shndërruar ndërtesën në qendër kulturore, peshon gjysmë milioni euro.

Gjatë ditës së premte, zyrtarët e kompanisë punëkryese bashkë me ata që Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Ferizaj e Gjilan kanë kërkuar që fillimisht të largohen veturat përreth. Për këtë kanë kërkuar edhe ndihmën e Policisë. Kanë treguar se parcela do të shenjëzohet nga një gjeometër në mënyrë që të rrethohet si e tërë.

Kulmi i ka rënë krejtësisht përderisa disa trarë gjysmë të djegur qëndrojnë lartë.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, Artan Hoxha ka thënë se fillimisht do të bëhet pastrimi.

“Me rinisjen e punëve do të bëhet pastrimi i hapësirës, do të rrethohet krejt vendpunishtja e më pas do të vazhdojnë punimet bazuar në projekt”, ka thënë Hoxha i cili, të premten ka qëndruar aty bashkë me zyrtarë të Qendrës që udhëheq e ata të QRTK-së në Ferizaj.

Ndërtesa prej kohësh ishte cak i zjarrvënieve. Të paktën dy herë kishte tentime për t’ia vënë flakën.

Por një ditë pas nisjes së restaurimit, në mëngjesin e 14 marsit ajo kishte marrë flakë. Institucionet e trashëgimisë kulturore bashkë me ato të drejtësisë qenë alarmuar për rastin. Atë ditë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku kishte dalë në vendngjarje bashkë me zyrtarët e prokurorisë Themelore në Ferizaj e ata të Policisë.

“Ekipet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kemi autorizuar që të merren edhe kamerat e sigurisë në të gjitha objektet përreth këtij objekti me qëllim që të identifikohen personat e dyshuar të cilët kanë kryer këtë vepër të rëndë penale. Ju siguroj se në momentin që identifikohet personi, ai do të arrestohet dhe do të sillet para drejtësisë”, kishte thënë kryeprokurori Shukri Jashari.

Image
Gjatë ditës së premte, zyrtarët e kompanisë punëkryese bashkë me ata që Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Ferizaj e Gjilan kanë kërkuar që fillimisht të largohen veturat përreth. Për këtë kanë kërkuar edhe ndihmën e Policisë

Zyrtarët e Prokurorisë i kanë thënë KOHËS se hetimet janë duke vazhduar. Sipas tyre, do të bëhen edhe disa intervistime e më pas do të ketë një pistë më të saktë. Nuk kanë dhënë më shumë detaje, shkaku i hetimeve. Po ashtu, janë marrë edhe pamjet e kamerave të ndërtesave përreth.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, atë ditë kishte thënë se Qeveria nuk do të heqë dorë nga restaurimi. Sipas tij, veprimi i bërë në raport me monumentin është krim kundër trashëgimisë kulturore.

“Kushdo që ka bërë përpjekje për ta dëmtuar një objekt apo një projekt të shtetit, ai nuk mund t’ia dalë sepse restaurimi do të vazhdojë shumë shpejt, pasi që zjarrfikësit do të na lejojnë të futemi në objekt. Ne e kemi formuar edhe ekipin, i cili do ta bëjë vlerësimin e dëmit të ndërtesës dhe në momentin që ta kemi vlerësimin e dëmit, atëherë do të nisin procedurat për sanimin e dëmit për të krijuar kushte që të vazhdojë projekti”, kishte thënë ministri Çeku.

Autoritetet komunale në Ferizaj kishin mbështetur mobilizimin për të gjetur zjarrvënësit e dyshuar. Por kishin pasur edhe kritika ndaj MKRS-së duke thënë se është dashur të krijojnë siguri për objektin para se të nisë implementimi i projektit.

Të dhënat për ndërtesën e shpërfaqin atë si një prej monumenteve më të rëndësishme në qytetin e Ferizajt. Në muret e të dyja anëve të pushimores është nga një pllakë mermeri. Të dyja shpërfaqin histori.

“Në këtë ndërtesë në vitin 1941 u hap Shkolla e Parë Shqipe, shkolla fillore ‘Ismail Qemali’ në Ferizaj me drejtorin e parë Fadil I. Hoxha nga Shkodra. Kurse në vitin 1946 u themelua Gjimnazi i Ulët Shqiptar me arsimtarin dhe drejtorin e parë Ekrem Kasapolli nga Peja. Ky program punoi deri më 1955”, shkruhet në pllakën që në fund, në të majtë, ka “nënshkrimin” Këshilli Organizativ e në të djathtë datën 30.06.2006, Ferizaj.

Përballë saj, pllaka tjetër, që është e zezë, me shkronja të bardha mbart gjithë emrat e, siç shkruan aty, “arsimtarëve që kanë punuar në Gjimnazin Shqiptar të Shtetit në Ferizaj në vitet 1946-1955”.

Ndërtesa ishte nxjerrë pak në pah në tetor të vitit të kaluar. Festivali i Teatrove në Ferizaj, më i vjetri në Kosovë, në edicionin e 52-të nëpërmjet konceptit të “Retroteatri”, kishte realizuar shfaqjen “Udha e shkronjave - 1965” në këtë ndërtesë. Festivali ka reaguar pas djegies së monumentit. Teatrit do t’i hyjë në punë edhe e djegur. Kanë kërkuar që shkaku i një skenografie të përdorin pak nga trarët gjysmë të djegur që do të hidhen në mbeturina. E pas restaurimit të plotë që sipas Kontratës do të bëhet për tetë muaj, qëllimi është që ndërtesa në qendër të Ferizajt të kthehet në qendër kulturore.