Kulturë

Paralajmërimi për ndërhyrje nga aktivistët e klimës, mbyll muzeun e njohur në Boston

Muzeu “Isabella Steward Gardner” në Boston është mbyllur në 33-vjetorin e vjedhjes së disa veprave të famshme. Muzeu ka bërë të ditur se ishte i informuar se aktivistët e klimës të grupit “Extinction Rebellion” po planifikonin të organizonin një “instalacion gueril të artit” brenda Muzeut, sipas mediave lokale.

“Aktivistët e klimës kanë protestuar në mbarë botën, për fat të keq duke përdorur muzetë e artit si një skenë për të promovuar kauzën e tyre”, ka bërë të ditur Muzeu në një deklaratë.

“Isabella Stewart Gardner e përfytyroi Muzeun si një vend për të ndarë artin, komunitetin dhe bisedat. Ajo ishte një avokuese e të gjitha formave të artit, si dhe mjedisit, veçanërisht hortikulturës”, ka thënë drejtoresha Peggy Fogelman.

“Ndërsa misioni ynë është të ruajmë vlerat e Isabelës, ne nuk e mbështesim këtë lloj taktike që synon institucionet e artit dhe mund të rrezikojë koleksionin, stafin dhe vizitorët e Muzeut.

Sipas fotografes Lita Kelly, grupi planifikoi të varte vepra arti origjinale që nxirrnin në pah humbjen e biodiversitetit në tri korniza boshe në dhomën holandeze të Muzeut ku ishin vjedhur pikturat.

Si rezultat i mbylljes së Muzeut, protestuesit e “Rebelimit e zhdukjes” mbanin flamuj dhe pankarta të kuqe dhe organizuan performancë përpara ndërtesës së Muzeut të shtunën pasdite. Dy persona kishin veshur kostume kafshësh.

Më 18 mars 1990, hajdutë të veshur si oficerë të policisë së Bostonit hynë në Muze dhe morën 13 vepra arti që vlerësohen të kenë vlerë më shumë se 500 milionë dollarë. Veprat përfshinin “Koncertin” e Johannes Vermeerit, disa nga Edgar Degas, tri vepra nga Rembrandt dhe “Chez Tortoni” të Édouard Manet. Muzeu “Isabella Gardner” po ofron një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për këdo që ka informacion që mund të çojë në kthimin e tyre të sigurt.

Njerëzve që blenë bileta të avancuara për në “Isabella Stewart Gardner” u janë dhënë rimbursimet dhe Muzeu u rihap prapë.