Kulturë

“Feminizmi në art” pikturon kauzat për barazi

Teksa ekspozita “Feminizmi në art” sjell këndvështrime të ndryshme në përkrahje të kauzave për gratë, si në mozaik, veprat thurin mesazhe. Ka të tilla që nderojnë edhe figura të shquara artistesh e aktivistesh. Ekspozita provon edhe atë që cilësohet si aktivizëm me art

Ekspozita “Feminizmi në art” ka bërë bashkë nëntë artistë të rinj për të përçuar mesazhin e përbashkët për gruan dhe rolin e saj. Aty thyhen tabu, portretizohen gra të zakonshme e ikona që kapërcyen barrierat. Më të hyrë në “Kultplus Caffe Gallery”, ku janë ekspozuar veprat, figurat e shumta të grave janë ato që qysh në takimin e parë shëmbëllejnë idenë e ekspozitës, e cila provon edhe atë që cilësohet si aktivizëm me art. Tek sjell këndvështrime të ndryshme në përkrahje të kauzave për gratë, si në mozaik, veprat thurin mesazhe. Ka të tilla që nderojnë edhe figura të shquara artistesh e aktivistesh.

Në secilën prej nëntë veprave të shpërndara nëpër katër muret e galerisë “Kultplus” shpalosen profile të ndryshme grash, si nga jeta reale apo edhe ato të krijuara nga vetë artistët, por që në thelb përçojnë mesazhe për rolin e saj.

“Gjithsej janë të përfshira nëntë piktura, përkatësisht jemi koncentruar në mediumin artistik të pikturës ku janë nëntë artistë që kanë sjellë vepra që kanë të bëjnë me simbolikën e gruas. Kjo ekspozitë e avokon jo vetëm 8 Marsin si një ditë të gruas, por avokon edhe barazinë gjinore, të drejtat dhe në të njëjtën kohë kemi të bëjmë me përfshirjen e tabuve të ndryshme nëpërmjet figurave të shumta. E vërejmë se pjesa më e madhe e pikturave përfshijnë portrete, autoportrete dhe figuracione”, ka thënë kuratorja e ekspozitës Diella Valla, e cila njëherësh është edhe ideatore e këtij projekti.

Me ekspozitë u krijohet hapësirë artistëve të rinj, dhe ky për organizatorët ka qenë qëllim më vete.

“Në përgjithësi e kam pasur një bashkëpunim shumë të mirë. Por, në të njëjtën kohë e kam pasur shumë të lehtë për shkak se janë studentë të Fakultetit të Arteve, dhe kjo ka qenë edhe njëra nga arsyet kryesore. Duke marrë parasysh që ekspozita është financuar nga Komuna e Prishtinës, një prej pikësynimeve ka qenë edhe promovimi i artistëve të rinj, duke pasur parasysh se ne artistët e rinj tërë kohën mundohemi t’i avokojmë, në këtë rast, të drejtat tona, t’i ekspozojmë punët tona”, ka thënë Valla.

Jo pak simbolika fshihen prapa veprave. Njëra prej tyre, ajo me vajzën hipur në zebër. Është pikturë e Debora Hetemit.

“Figurat e gruas i kam goxha të spikatura në pikturat e mia. Mund të vërehet goxha sikurse kjo që kam përzgjedhur për ta ekspozuar këtu. Arsyeja se pse e kam vendosur zebrën ka qenë për shkak se duke e vlerësuar gruan si shumë të veçantë për karakterin që ajo ka, në anën tjetër e kam parë zebrën e cila është shumë e veçantë si gjallesë për shkak të vijave që ka dhe për faktin se çdo zebër dallon nga tjetra për shkak të vijave. Asnjëra nuk ka vija të njëjta në trupin e vet. Kështu kam vendosur që çdo karakteristikë që e veçon zebrën ta vendos në pikturë bashkë me gruan, si dy qenie kaq të veçanta”, ka shpjeguar ajo.

Hetemi ka folur edhe për sfidat e ekspozitave të tilla që synojnë të bartin një mesazh.

“Çdo ekspozitë ka ato sfidat e veta. Në fakt, jo vetëm ekspozitë por edhe secila pikturë ka sfidat e saj për shkak se gjithmonë duhet menduar nëse po e përçon mesazhin e duhur, nëse kuptohet drejt ai mesazh që ti ke dashur ta përçosh në audiencë. Edhe kjo ekspozitë më ka ofruar një ndjenjë më ndryshe duke e ditur që jemi të gjithë nga Fakulteti i Arteve dhe jemi ende në fillet e rrugëtimit tonë në art”, është shprehur ajo.

Artistja Albiona Berisha ka zgjedhur një mënyrë më ndryshe për të përçuar mesazhin e një gruaje të fuqishme. Në mesin e një sërë pikturash individuale, nga ateleja e saj Berisha ka nxjerrë një profil që ajo dikur ia kishte bërë mikes së saj, Diella Valla.

“Diellën, para së gjithash, e kam një shoqe shumë të dashur dhe kam menduar ta portretizoj të paktën që edhe nëpërmjet një imazhi me mbet gjallë një artiste që i premton shumë artit kosovar”, ka treguar ajo.

Në mesin e nëntë pikturave është një portret i artistes së shndërruar në ikonë edhe për feminizëm. Eris Havolli ka sjellë Frida Kahlon. Ndryshe nga fotografitë dhe autoportretet shumëngjyrëshe, të njohura tashmë, Kahlo në versionin e Havollit është punuar me një ngjyrë kremi të lehtë. Në të ai ka vendosur të ruajë vetullat e saj karakteristike, por jo edhe kurorën prej lulesh.

“Arsyeja se pse unë e kam zgjedhur Fridën për ta ekspozuar sot, më 8 Mars, është se ajo ka qenë një artiste që ka thyer shumë tabu me artin e saj. Kjo është ekspozita e dytë kolektive në të cilën marr pjesë. Është emocionuese duke e ditur sidomos arsyen se përse po mbahet, dhe po shpresoj që nëpërmjet artit do të arrijmë t’i luftojmë ca gjëra që po e pengojnë shoqërinë”, ka thënë Havolli.

Në mesin artistëve që kanë ekspozuar kanë qenë edhe Drilon Shoshi, Tinka Kelmendi, Nderim Bytyçi, Dijeta Smajlaj, Gerta Hameli, sikurse edhe kuratorja Diella Valla. Ekspozita “Feminizmi në art” do të qëndrojë e hapur dy javë.