Kulturë

“Mirë se vini në tavolinë” me dhimbjen dhe pritjen e 24 vjetëve

Në ambientet e Muzeut Etnologjik të Kosovës, Ferdonije Qerkezi nuk ka ardhur veç me rekuizitat e përditshme. Në kuadër të ekspozitës “Mirë se vini në tavolinë”, me autor Artan Korenicën, është shfaqur edhe filmi 12-minutash që ilustron përditshmërinë e një prej nënave nga Kosova që lufta e ka lënë pa krejt familjarët. Duke u futur në botën e saj, krejt projekti merr formën e një thirrjeje për përgjigje mbi fatin e të pagjeturve

Ferdonije Qerkezi është zhvendosur përkohësisht në Prishtinë. Të mërkurën mbrëma ajo me vete në kryeqytet ka marrë edhe një shprehi. Atë të uljes në tavolinën e bukës me 6 pjata para. Sa herë vepron kësisoj tash e 24 vjet, gjella në 5 pjata mbetet e paprekur. Për më shumë se dy dekada ajo jeton e vetme në mungesë të katër djemve dhe bashkëshortit. Dy djem nuk i pret, çmallet te varret e tyre qysh prej vitit 2005, kur iu gjetën eshtrat. E bashkëshortin bashkë me dy djemtë e tjerë ende i pret pasi nuk ka asnjë lajm për ta, prej marsit të vitit 1999 kur policët fqinjë serbë në qytetin e Gjakovës ia morën nga shtëpia.

Në ambientet e Muzeut Etnologjik të Kosovës, Ferdonije Qerkezi nuk ka ardhur veç me rekuizitat e përditshme. Në kuadër të ekspozitës “Mirë se vini në tavolinë”, me autor Artan Korenicën, është shfaqur edhe filmi 12-minutash që ilustron përditshmërinë e një prej nënave nga Kosova që lufta e ka lënë pa krejt familjarët.

Pikënisja e krejt këtij projekti, është një foto e shkrepur nga Konenica më 2018, me Ferdonijen e vetme në tavolinën e bukës. Fotografia më unike që ka realizuar ndonjëherë, do të cilësonte kaherë mjeshtri i fotografisë. Ajo është e fuqishme edhe tash, kur merr një kontekst tjetër, të gjallë. Riprodhohet si veprim.

Në ekspozitë, duke filluar nga kati përdhes e deri te ai i sipërm i ndërtesës së shekullit të 19-të, zënë vend fotografitë e ndryshme të personave që lufta e fundit i ka lënë pa ndonjërin prej familjarëve të afërm. Midis tyre edhe ajo e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe e Rahovecit. Portretet ilustrojnë dhimbjet mbi dydekadëshe të tyre. E një dhomë e veçantë është ndarë për Ferdonije Qerkezin.

Të parët që janë ulur në tavolinën e saj me 6 pjata të mbushura me fasule ishin kryeministri Albin Kurti, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e aktorja që portretizon Qerkezin, Arta Muçaj. Ngjarja ka nisur me 10 minuta vonesë e po kaq edhe kryeministri e ka pritur ministrin e Kulturës. E pritja është çelësi i krejt ekspozitës bashkë me dokumentarin. Në krye të tavolinës dhe nikoqire e tyre ishte vetë Qerkezi. Udhëheqësit shtetërorë bashkë me pjesën tjetër të publikut janë gjendur përballë dy realiteteve: njërit konkret duke qëndruar në tavolinë si qëndron Qerkezi për më shumë se dy dekada e një tjetër vizavijë, duke hyrë në përditshmërinë e saj.

Filmi nis me Qerkezin (Arta Muçaj) duke lustruar këpucët. Përditshmëria e saj vazhdon me pastrimin e rrobave, përgatitjen e ushqimit e deri në punët e tjera shtëpiake që ajo bën. Shpesh i duket sikur dëgjon zëra. Mësyn te dera e hyrjes, por i përsëritet pamja e përhershme: boshllëku. Kjo thyerje emocionale përçohet zëshëm veç nëpërmjet portretit të Muçajt pa e thënë asnjë fjalë, ashtu siç është krejt filmi, pa narracion. Përditshmëria e vetë Qerkezit kishte ardhur në një tjetër projekt më 2016. Nëpërmjet dokumentarit prej 30 minutash, Gazmend Bajri në bardhezi kishte sjellë jetën e gruas që lufta e bëri të shndërrohej në nënë simbol për krejt të tjerat që kanë humbur fëmijët.

Por në veprën e Korenicës tavolina e bukës prej ku shikohet filmi është bash gjysma e konceptit. Pa të ndjesia e hyrja në botën e Qerkezit zor që funksionojnë.

Ata që kanë dalë nga dhoma ku filmi shihet vetëm me 5 veta në publik kanë qenë të rënduar emocionalisht.

Image
Filmi nis me Qerkezin (Arta Muçaj) duke lustruar këpucët. Përditshmëria e saj vazhdon me pastrimin e rrobave, përgatitjen e ushqimit e deri në punët e tjera shtëpiake që ajo bën. Shpesh i duket sikur dëgjon zëra...

Aktori Ylber Bardhi ka thënë se pak a shumë e ka ditur storien e filmit, por nuk e ka ditur se në çfarë mënyre do të shfaqej.

“Në momentin që e kam parë tavolinën dhe e mora vesh që nga ajo tavolinë ku ajo pret me vite do ta shikojmë filmin, ato 12 minuta për mua kanë qenë shumë të gjatë. Ne nuk është që na humbi durimi, por shkaku i përmbajtjes, ne 12 minuta mezi që pritëm, e kjo e dashura pret tash e 24 vjet. Këto nëna duan një përgjigje që e kërkojnë tash e sa vjet”, ka thënë ai.

Filmin për herë të parë e ka parë edhe ajo që luan protagonisten, aktorja Arta Muçaj. Ka treguar se kur kishte hyrë për herë të parë në shtëpinë-muze të Ferdonije Qerkezit dhe ishte ngjitur në katin e sipërm ku janë dhomat e fëmijëve, nuk kishte munduar të qëndronte gjatë.

“Kam dalë me vrap jashtë”, ka rrëfyer ajo. Ka treguar se ky rol ishte dhjetëfish më i vështirë sesa rolet e zakonshme fiktive.

“Bëhet fjalë për një personazh real që kalon nëpër një dhimbje të madhe. Jam e lumtur nëse e kam arritur dhjetë për qind. Nuk e di a mundemi të arrijmë atë që përjeton ajo për dy dekada. Është një nënë e fortë që nuk ka humbur shpresat akoma. Njeriu është tepër i fortë, ajo është e hekurt”, ka thënë Muçaj. Përballja me veshjet e krejt gjësendet e tjera që gjendeshin në shtëpi e kishin prekur fort, por njëkohësisht ishte kalitur për rolin.

“Besoj që kemi arritur që pak t’ju tregojmë të tjerëve se po i harrojmë shpejt gjërat, e rasti i saj për të është i freskët çdo ditë”, ka thënë Muçaj pas shfaqjes së filmit që është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Vetë Qerkezi pasi e ka parë filmin bashkë me udhëheqësit shtetërorë ka dalë pak jashtë për të pushuar. Ka thënë se filmi i është dukur i mirë dhe se Arta Muçaj e ka luajtur shumë mirë rolin e një nëne.

“Besoj që e shton kureshtjen e popullit, të institucioneve vendore e ndërkombëtare që sa më shpejt të gjenden të pagjeturit, bashkëshorti, djemtë e mi e shumë të tjerë”, ka thënë ajo duke qëndruar e ulur para fotografisë së saj me tavolinën plot ushqim e vetmuar dhe e rrethuar nga imazhet e kosovarëve të tjerë që kishin fatin pak a shumë sikurse të saj.

Aktori Edi Kastrati, si producent i filmit, ka thënë se koncepti bazik është që të lobohet sa më shumë për të zbardhur fatin e atyre që ende nuk janë gjetur.

“Koncepti tjetër është që i kemi ftuar të ulen në këtë tavolinë në fazën kur Kosova po ballafaqohet me tavolina të bisedimeve. Pra, le të ulen edhe të tjerët në tavolinën tonë dhe në njëfarë forme le të futen në lëkurën tonë. Filmi do ta ketë një rrugëtim të gjatë nëpër Evropë dhe në botë”, ka thënë ai. Kosova aktualisht gjendet në një ritëm tjetër të bisedimeve me Serbinë sa i përket asaj që quhet normalizim i raporteve. Takimet e Brukselit me ndërmjetësues nga Bashkimi Evropian zhvillohen në tavolina diplomatike. Një prej palëve në bisedime, kryeministri Albin Kurti, të mërkurën mbrëma e ka provuar një tjetër tavolinë. Atë të pritjes së një nëne. Me këtë ndjesi ai do të ulet edhe në tryezën e negociatave, sipas paralajmërimeve prapë këtë muaj. Por pala tjetër nuk e ka këtë ndjesi. Madje, presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 1999 ishte ministër i Informimit në regjimin që kreu krimet në Kosovë. Faktet qëndrojnë te tavolinat si ajo e Ferdonije Qerkezit, e diplomacia mbetet të gjejë forma që ndjesinë e një ambienti të tillë ta përkthejë në veprime kombëtare e ndërkombëtare. Pavarësisht rezultateve, Qerkezi do të vazhdojë të presë, siç bën tash e 24 vjet.