Kulturë

Thirrja për mbështetjen e skenës së pavarur kulturore me subvencione deri në 100 mijë euro

“Mbështetja për zhvillimin organizativ dhe programor për OJQ të artit dhe trashëgimisë kulturore; Ngjarjet tradicionale të artit dhe trashëgimisë kulturore; Projektet dhe ngjarjet në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore; Projektet e krijuesve (artistëve) të rinj”, janë katër kategoritë e targetuara nga Ministria e Kulturës për të subvencionuar skenën e pavarur sivjet. Thirrja që do të jetë e hapur deri më 22 mars, sivjet është hapur më herët se vitin e kaluar

Nëpërmjet katër kategorive Ministria e Kulturës synon që të mbështesë skenën e pavarur kulturore dhe atë të trashëgimisë kulturore. Institucioni më i lartë kulturor në vend synon që me deri 100 mijë euro të përkrahë programet e organizatave joqeveritare që zhvillojnë aktivitet vjetor në art e kulturë e në trashëgimi kulturore.

“Mbështetja për zhvillimin organizativ dhe programor për OJQ të artit dhe trashëgimisë kulturore; Ngjarjet tradicionale të artit dhe trashëgimisë kulturore; Projektet dhe ngjarjet në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore; Projektet e krijuesve (artistëve) të rinj”, janë katër kategoritë e targetuara nga MKRS-ja.

Sipas thirrjes që do të qëndrojë e hapur deri më 22 mars, në funksion të prioritetit programor, thirrja për projekt-propozimet kulturore synon mbështetjen e projekt-propozimeve të OJQ-ve dhe individëve që zhvillohen në Republikën e Kosovës apo në shtetet ku është e koncentruar diaspora, të cilët përmbushin objektivat e përgjithshme. Aty specifikohet se objektivat janë: Promovimi i artit dhe trashëgimisë kulturore përmes pasurimit, diversifikimit dhe rritjes së cilësisë së jetës kulturore; Nxitja e vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në jetën kulturore brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës, me theks te fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara. Te objektivat renditen edhe fuqizimi i koordinimit dhe partneritetit ndërmjet institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe shoqërisë civile përmes fuqizimit të skenës së pavarur kulturore dhe nxitjes së aktorëve të rinj që veprojnë në fushën e kulturës.

“Projekt-propozimet e zhvilluara në përputhje me objektivat e përgjithshme dhe specifike duhet të synojnë gjithëpërfshirjen duke siguruar përfshirjen aktive të grupeve të ndryshme të komunitetit në aktivitetet përkatëse të projekt-propozimit, në veçanti të rinjtë, të moshuarit, vajzat dhe gratë, personat me aftësi të kufizuara, komunitetin LGBTIQ, komunitetet pakicë”, shkruhet në thirrje. Aplikacionet do t’i nënshtrohen vlerësimit administrativ dhe atij përmbajtjesor.

Te kategoria e mbështetjes për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të artit dhe trashëgimisë kulturore MKRS-ja synon fuqizimin e skenës së pavarur kulturore përmes zhvillimit të organizatave të dëshmuara të profilizuara në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore;

“Rritja e cilësisë së krijimtarisë artistike; Fuqizimi i partneritetit në mes të institucioneve publike dhe komunitetit kulturor në zhvillimin dhe zbatimin e politikave adekuate publike për fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore; Zhvillimi i diplomacisë publike përmes rritjes së cilësisë së aktiviteteve artistike dhe të trashëgimisë kulturore të cilët prezantohen në sferën ndërkombëtare, dhe përmes përfshirjes në rrjetet ndërkombëtare të organizatave të kulturës”, janë midis synimeve. Në këtë kategori ku mund të aplikojnë vetëm OJQ-të, shuma minimale e përkrahjes është 50 mijë euro kurse ajo maksimale 100 mijë euro.

MKRS-ja nëpërmjet kategorisë së ngjarjeve tradicionale të artit dhe trashëgimisë kulturore ka për qëllim të ngrijë cilësinë e krijimtarisë artistike dhe organizimeve kulturore në Republikën e Kosovës. Sipas thirrjes, në këtë rast synohet promovimi i trashëgimisë kulturore, në veçanti të asaj shpirtërore të të gjitha komuniteteve , nxitja e vullnetarizmit dhe pjesëmarrja aktive e të rinjve dhe personave me aftësi të kufizuara në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore dhe promovimi, pasurimi dhe diversifikimi i jetës kulturore përmes aktiviteteve gjithëpërfshirëse në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore. Në këtë kategori përkrahja minimale mund të jetë 25 mijë euro, kurse ajo maksimale deri në 35 mijë. Në këtë kategori janë të targetuara vetëm OJQ-të.

Te kategoria e projekteve dhe ngjarjeve në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore të drejtë aplikimi kanë OJQ-të dhe individët.

Promovimi, pasurimi dhe diversifikimi i jetës kulturore përmes aktiviteteve gjithëpërfshirëse në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore është midis synimeve në këtë kategori. Në thirrje është bërë e ditur, se në këtë rast po ashtu target janë zhvillimi i hulumtimeve, kërkimeve dhe prezantimeve në mediume të ndryshme të artit dhe trashëgimisë kulturore, edukimi joformal i gjeneratave të reja rreth artit dhe trashëgimisë kulturore, zhvillimi i turizmit kulturor dhe aktivitete të tjera të fushës së artit dhe trashëgimisë kulturore në përputhje me objektivat e kësaj thirrjeje. Në këtë kategori mbështetja minimale do të jetë 10 mijë euro e mund të shkojë deri në 20 mijë euro.

Projektet e krijuesve të rinj janë kategori më vete. Kjo kategori synon mbështetjen e individëve nga fusha e artit dhe trashëgimisë kulturore, në veçanti artin pamor, përfshirë instalacionet, pikturën, performancën artistike, fotografinë, skulpturën e grafikën. Arti muzikor dhe vallëzimi, arti skenik, përfshirë regjinë, monodramat, shkrimi i dramës e deri tek artin tradicional ku bëjnë pjesë zanatet tradicionale. Përtej këtyre në këtë kategori hyn edhe arti letrar, përfshirë letërsinë artistike, poezinë, letërsinë për fëmijë, kritikën, gazetarinë, shkrimin rreth artit. Filmi e multimedia po ashtu bëjnë pjesë në këtë kategori.

Këtu synohet vazhdimësia e jetës artistike, bartja e traditave nga e kaluara në gjeneratat e reja, pasurimi i shprehjes krijuese artistike bashkëkohore e gjenerimi i kuadrove të reja profesionale, të cilët do të kontribuojnë në ngritjen e kualitetit profesional në fushën e krijimtarisë artistike e kulturore në Kosovë.

“Nxitja e vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve dhe personave me aftësi të kufizuara në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore”, shkruhet te synimet. Mbështetja minimale në këtë kategori do të jetë 3 mijë euro kurse ajo maksimale 5 mijë euro. KOHA gjatë ditës së hënë ka pyetur Ministrinë e Kulturës se sa do të jetë buxheti në dispozicion për këtë thirrje, por MKRS-ja nuk është përgjigjur gjatë ditës. Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore MKRS-ja sivjet te kategoria e përkrahjes së kulturës, saktësisht të subvencionet e transferet posedon 5 milionë e 250 mijë euro.

Vitin e kaluar kishte kaluar gjysma e vitit derisa MKRS-ja ia kishte dalë të publikonte rezultatet. Një numër festivalesh tradicionale veç i kishte përfunduar edicionet e sivjetme pa e ditur se sa do të jetë përkrahja e MKRS-së. Vonesat kishin filluar qysh me hapje të thirrjes. MKRS-ja nuk ia kishte dalë që të publikonte “Thirrjen për projekt-propozimet kulturore për 2022 art dhe trashëgimi kulturore” deri në fillim të prillit. Arsyetim ka qenë ridizajnimi i thirrjes.