Kulturë

200 mijë euro dhe premtime për 31 biblioteka komunale

Descriptive Text

Me 31 memorandume të nënshkruara, po kaq herë duartrokitje dhe shprehje urimesh, 31 bibliotekat komunale janë marrë vesh me Ministrinë e Kulturës që të marrin nga 6 mijë e 451 euro për të pasuruar fondet e tyre librare. Pos kësaj mbështetjeje, institucioni më i lartë kulturor në vend, si gjithmonë edhe sivjet do t’u japë libra të rinj bibliotekave në kuadër të blerjeve vjetore që bëhen tradicionalisht.

Përtej kësaj në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka dëgjuar nga përfaqësuesit e bibliotekave hallet me të cilat ata përballen.

Në takimin e mbajtur në hollin e bibliotekës kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, të pranishmit kanë marrë vesh se cilat janë politikat e Qeverisë për librin dhe bibliotekat.

Image
Përtej kësaj në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka dëgjuar nga përfaqësuesit e bibliotekave hallet me të cilat ata përballen (Foto: MKRS)

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se çështja e decentralizimit dhe bartja e bibliotekave komunale nën përgjegjësi të komunave ka krijuar një lloj shkëputjeje midis këtyre institucioneve dhe atyre qendrore.

“Por ne besojmë që mund të gjejmë forma të tjera të angazhimit të Qeverisë dhe MKRS-së për të mbështetur bibliotekat komunale në mënyrë që t’u dalim edhe komunave në ndihmë”, ka thënë ministri Çeku.

Ka treguar se sivjet është planifikuar që me një milion euro të mbështetet libri. Ka qartësuar se nga kjo shumë, 500 mijë euro janë për blerje dhe botim të librave dhe revistave, gjë për të cilën edhe është hapur thirrja.
“Librat e blerë u dhurohen bibliotekave. 200 mijë euro do t’i ndajmë në mënyrë proporcionale për të gjitha bibliotekat komunale në mënyrë që edhe vetë të keni mundësi të blini libra. 300 mijë eurot e mbetura u dedikohen drejtpërdrejt autorëve. Thirrja do të publikohet së shpejti dhe do të mbështesë autorin dhe do të fokusohet në zhvillim, botim dhe përkthim të librit, në programin e nxitjes së leximit, në rezidenca letrare dhe në audio-libra”, ka thënë ai.

Pos këtyre, ministri Çeku ka reaguar se sivjet do të kërkojnë nga secila komunë që të sjellë në MKRS raporte për gjendjen e ndërtesave të bibliotekave komunale dhe propozimet për ndërhyje në mënyrë që të planifikohet buxhet i veçantë për rinovimin e atyre që kanë nevojë.

Në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Drejtues të BKK-së, studiuesi e profesori universitar i gjuhës shqipe Bardh Rugova ka thënë se libri gjithmonë shihet në bazë të dy simbolikave kryesore. E para, sipas tij, ka të bëjë me dijen, duke e marrë si simbol të dijes.

“Nganjëherë harrojmë edhe elementin tjetër, që është edhe shprehi. Libri duhet të shndërrohet në shprehi. Kur libri bëhet shprehi, më vonë bëhet edhe dije”, ka thënë ai.

Përfaqësuesit e bibliotekave të komunave kanë folur për disa prej telasheve me të cilat përballen. Problemet infrastrukturore, pamundësitë për të trajnuar stafin e deri te krijimi i një rrjeti bibliotekar të Kosovës, kanë qenë ndër shqetësimet kryesore që janë shprehur.

Kurse Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ka thënë se janë në fazën e fundit për të shpallur tenderin për rrjetin bibliotekar.

“Nëse na ecën puna mbarë, do të jetë e arritura më e madhe e bibliotekave të Kosovës pas luftës së fundit”, ka thënë ai. Ka treguar se si institucion janë në fazën e licencimit të një programi kombëtar të arsimimit bibliotekar.

“Në momentin që do të licencohet programi, mundëson që bibliotekat të mund të marrin pjesën në trajnime të përditësuara në fusha të caktuara. Jemi duke përgatitur dosjen për ta dërguar në licencim”, ka thënë ai.

e qyteteve, mjetet që do t’i marrin nga MKRS-ja do t’i përdorin për blerje librash, duke qenë të lirë të zgjedhin se për çfarë botimesh kanë nevojë, në bazë të kërkesave të lexuesve të tyre.