Kulturë

Filharmonia me “Frymë” për herë të parë në Kamenicë e Viti

Programi “Filharmonia në lëvizje” shkon përtej koncerteve e decentralizimit të aktiviteteve të kulturës. Me “Frymë” – siç janë pagëzuar koncertet – ka një mision të qartë e të mirëmenduar. Në Kamenicë e Viti koncertet nuk kanë vetëm peshë si fakte historike – të parët e Filharmonisë në këto dy qytete – po synojnë ta “infektojnë” publikun me vlerat që shpalos

Kamenica dhe Vitia do të jenë nikoqire të Filharmonisë së Kosovës dhe prej aty institucioni më i lartë i muzikës në vend do të nisë aktivitetin për këtë vit. Në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje”, e cila ka nisur prej vitit të kaluar, orkestra frymore e Filharmonisë së Kosovës do të performojë për herë të parë në këto dy qytete. Atje shkon me “Frymë” – siç janë pagëzuar koncertet – dhe ka një mision të qartë e të mirëmenduar me aktivitete si këto.

Filharmonia rëndom i ka mbajtur koncertet në Prishtinë, që vazhdon të mbetet pa një sallë operistike. Koncerte të tjera kanë përfshirë edhe disa prej qyteteve të mëdha të Kosovës, megjithatë të paprekura prej tingujve të saj kanë mbetur qytetet e vogla.

Me “Frymë” në Kamenicë me Orkestrën Frymore do të jetë sonte (e enjte) për të vazhduar në Viti, vetëm një ditë më pas.

“Në kuadër të planifikimeve për vitin 2023, programi ‘Filharmonia në lëvizje’ edhe këtë vit është paraparë të vazhdojë rrjedhën e tij duke lëvizur nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim të prezantimit të programit të Filharmonisë edhe jashtë kryeqytetit. Në këtë program varësisht nga hapësirat adaptohet edhe programi artistik e së këndejmi nëpër këtë rrugëtim Filharmonia do të prezantohet me Orkestrën Simfonike, atë Frymore, Harkore dhe me Korin e Filharmonisë”, ka thënë Dardan Selimaj, menaxher i Filharmonisë së Kosovës.

Përveç mundësisë për të parë dhe dëgjuar një koncert të Filharmonisë së vendit të tyre, nëpërmjet këtij programi synohet edhe inspirimi i gjeneratave të reja të këtyre qyteteve të vogla.

“Synimi parësor është decentralizimi i prezantimit të programit të Filharmonisë dhe afrimi me publikun jashtë kryeqendrës me theks të veçantë tek qytetarët të cilët nuk kanë qasje dhe mundësi ta përcjellin aktivitetin në qendër. Njëkohësisht është program i cili mund të inspirojë të rinjtë nëpër qendra të tjera të Kosovës, ta shohin si mundësi orientimin në edukim muzikor e njëkohësisht mund të shërbejë si nxije edhe për krijimin e ansambleve nëpër qytete gjithandej Kosovës”, ka thënë Selimaj, njëherësh koordinator i programit “Filharmonia në lëvizje”.

Por, qytetarët e Kamenicës e Vitisë do të kenë mundësi të dëgjojnë edhe një program të larmishëm në të cilën përfshihen edhe kolona zanore filmash të njohur.

“Programi do të jetë i miksuar me kompozitorë të huaj dhe vendorë. Pjesa e parë e programit do të jetë e gjitha me vepra të huaja, me kolona zanore filmash. Disa janë vepra që i kemi interpretuar më parë, disa janë vepra të reja që i kemi futur në program. Pjesa e dytë e programit është muzikë shqiptare që përfshin vepra të njohura dhe besoj që publiku do t’i shijojë ato”, ka shpjeguar dirigjenti Hajrullah Syla, i cili do të jetë i pranishëm në këto dy koncerte së bashku edhe me dy dirigjentë të tjerë, atë të Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, dhe dirigjenten Lirjona Sylejmani.

Teksa ka folur për këto dy koncerte, Syla ka theksuar se me gjithë mungesën e një salle orkestrale në Prishtinë, shumica e qyteteve të Kosovës ofrojnë salla që i plotësojnë shumë më mirë kushtet për të organizuar një koncert.

“Koncerti në Kamenicë do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës, ku na pret një ambient tejet i bukur dhe që na ofron mundësi shumë të mira për koncerte, sepse ne po e dimë më këtë punën e mungesës së sallës orkestrale në Prishtinë por, në qytetet e tjera që me të vërtetë janë ndoshta qytete shumë më pak të zhvilluara në aspektin e muzikës dhe aspektit kulturor në përgjithësi, posedojnë salla shumë më të mira. Kështu që ne kemi vendosur t’i shfrytëzojmë ato salla”, është shprehur Syla.

Në Kamenicë “Filharmonia në lëvizje” do të vijë edhe si pjesë e “Flakës së Janarit”, me të cilën Hajrullahu ka thënë se kishin bashkëpunuar edhe më herët. Ai ka potencuar edhe faktin se për Filharmoninë është shumë e rëndësishme që t’i ofrohet publikut që nuk ka mundësi të jetë pjesë e koncerteve në Prishtinë.

“Do të jetë hera e parë edhe në Kamenicë, edhe në Viti. Jemi duke menduar të lëvizim në qendrat më të vogla, në vende ku Filharmonia nuk ka qenë më herët. Në aspektin e kulturës që thjesht ata të mishërohen dhe të dëgjojmë muzikën klasike, një formacion e orkestrës frymore që nuk kanë dëgjuar apo s’e kanë pasur idenë që ekziston. Ne e dimë që fokusi më i madh i aktiviteteve kulturore është në Prishtinë ose qytete të tjera të mëdha, por në qytete të vogla nuk ka paraqitje dhe ngjarje kulturore”, ka thënë ai.

Deri më tani “Filharmonia në lëvizje” ka realizuar koncerte në Prizren, Suharekë, Obiliq dhe Mitrovicë, ndërsa pas Kamenicës e Vitisë pritet të vazhdojë nëpër qytete të tjera si: Hani i Elezit, Istog, Vushtrri, Drenas, Shtime, Gjakovë, Pejë, Deçan dhe Podujevë. Por, në agjendë Filharmonia për sivjet ka edhe koncerte në kryeqendra evropiane.