Kulturë

Lamtumira për Edi Shukriun, akademiken e parë dhe zërin e barazisë

Në sallën qendrore të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të shumtë kanë qenë ata që të mërkurën kanë nderuar jetën dhe veprimtarinë e akademikes së parë të shtetit. Të pranishmit vdekjen e Edi Shukriut, në moshën 72-vjeçare, e kanë përshkruar si varfërim të vendit në disa fusha. Trashëgimia kulturore ka mbetur pa arkeologen e studiuesen, letërsia pa poeten e mesazheve për barazi e çlirim, kurse aktivizmi pa zërin që nuk u shua asnjëherë përballë të drejtave të njerëzve

Tingujt e violinës e të violonçelit bashkë me poezitë e saj në sfond kanë bërë që bota e Edi Shukriut të “mbështjellë” homazhet në nderim të saj. Në sallën qendrore të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të shumtë kanë qenë ata që kanë nderuar jetën dhe veprimtarinë e akademikes së parë të shtetit.

Të pranishmit, vdekjen e Shukriut në moshën 72-vjeçare, e kanë përshkruar si varfërim të vendit në disa fusha. Trashëgimia kulturore ka mbetur pa arkeologen e studiuesen, letërsia pa poeten e mesazheve për barazi e çlirim, kurse aktivizmi pa zërin që nuk u shua asnjëherë përballë të drejtave të njerëzve.

Salla e ASHAK-ut gjatë mbledhjes komemorative ka qenë e mbushur si rrallëherë. Shumë prej të pranishmëve ishin punonjës të institucioneve ku Shukriu kishte rol vendimtar në themelimin e tyre. Janë përkulur para arkivolit të mbuluar me flamurin kombëtar, duke nderuar veprën e akademikes, studimet e së cilës kanë zbardhur një pjesë të mirë të historisë së këtyre anëve. Poezitë e lexuara nga aktoret Rebeka Qena e Rozi Kryeziu, pos si krijimtari, kanë shpërfaqur edhe shpirtin aktivist të Shukriut.

Image
I shumanshëm është kontributi i Edi Shukriut në jetën shkencore e kulturore në Kosovë (Foto: Alban Bujari)

“Luftëtare e pakompromis për të drejtat e shqiptarëve e shtetndërtim”

Në mbledhjen komemorative kushtuar Shukriut, paraditen e së mërkurës, një ditë pas vdekjes së saj, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka thënë se shoqëria është varfëruar shumë.

“Nga sot do të jemi më të varfër për një arkeologe të shkëlqyer e historiane të antikitetit. Ajo ishte një personalitet i veçantë, e cila kishte ndjesinë e observimit intelektual”, ka thënë ai, duke përmendur se Shukriu ishte akademikja e parë në Kosovë. Sipas tij, ajo do t’u mungojë të gjithëve.

“Edi do t’u mungojë të gjithëve. Edhe atyre që e deshën më shumë, edhe atyre që e deshën më pak”, ka thënë ai.

Më pas sekretarja e Seksionit të Shkencave Shoqërore, anëtarja korrespondente e ASHAK-ut, Gjyljeta Mushkolaj, ka lexuar para të pranishmëve një kumtesë me biografinë dhe të arriturat e Edi Shukriut.

Ka treguar se ajo u lind në Prizren më 22 tetor 1950 dhe se shkollimin fillor e të mesëm i ka përfunduar në vendlindje, ndërsa studimet për arkeologji në nivel bazik dhe magjistraturë në Universitetin e Beogradit, për të doktoruar në Universitetin e Prishtinës.

“Prej vitit 1974 deri më 1979 ka punuar në Muzeun e Kosovës. Prej vitit 1979 në Universitetin e Prishtinës, duke ligjëruar në Degën e Historisë për arkeologjinë dhe historinë. Me iniciativën e saj do të themelohej grupi i arkeologëve të rinj, ‘Shtjefën Gjeçovi’”, ka thënë Mushkolaj. Ka treguar se Shukriu do të organizonte ekspedita arkeologjike, do të inicionte themelimin e Degës së Antropologjisë në Fakultetin Filozofik, me drejtimet antropologji kulturore dhe arkeologji, ku ligjëroi disa lëndë.

Ka përmendur se ajo do të udhëhiqte hulumtimet arkeologjike në Vërmicë (1974-1975), Gjonaj (1975), tumat e Porodimes, tumën e Cernicës tek Ulpiana (1987) dhe të Komoranit (1974), Kalanë e Veletinit (1986), Gradishën e Vlashnjës (2002) dhe në Ulpianën antike, si hulumtim i parë me bashkëpunim ndërkombëtar në kuadër të kurseve të Universitetit Veror të Universitetit të Prishtinës.

“Shukriu po ashtu ishte pjesë e ekipit të hulumtimeve në Kalanë e Prizrenit, Glladnicë te Graçanica, Bajë të Pejës, Romajë dhe Gadime të Epërme. Evidentoi vendbanimet e fortifikuara në Strezovc, Marec, Gushicë, Vuçak, Godanc, Korishë, Batushë, Harilaç e lokalitet të tjera”, ka thënë ajo.

Image
Në mbledhjen komemorative kushtuar Shukriut, paraditen e së mërkurës, një ditë pas vdekjes së saj, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka thënë se shoqëria është varfëruar shumë. “Nga sot do të jemi më të varfër për një arkeologe të shkëlqyer e historiane të antikitetit. Ajo ishte një personalitet i veçantë, e cila kishte ndjesinë e observimit intelektual”, ka thënë ai (Foto: Alban Bujari)

Ka thënë se gjatë viteve ’90, Shukriu u angazhua në lëvizjen për liri, krijimin e shtetit të Kosovës dhe zhvillimin e proceseve demokratike dhe njëkohësisht edhe për pjesëmarrjen e gruas në nivelet e vendimmarrjes. “Veproi në Ministrinë e Punëve të Jashtme (1991-1998). Ishte deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës (1992-1998). Pas qershorit të vitit 1999 bashkëdrejtoi Departamentin e Kulturës në kuadër të UNMIK-ut (2000-2001) dhe ishte deputete e Kuvendit të Kosovës (2002-2004)”, ka thënë Mushkolaj. Ka përmendur se Shukriu asokohe kishte përkrahur themelimin e Filharmonisë së Kosovës dhe kishte iniciuar themelimin e Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Ka thënë se Shukriu do të bashkëthemelonte Forumin e Gruas së LDK-së (1990) dhe ishte kryetare e këtij organi (1995-2000), më pas bashkëthemeloi partinë Alternativa Demokratike e Kosovës (2004-2013). Po ashtu ka treguar se Shukriu ishte kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (2009-2012), anëtare dhe më pas nënkryetare e PEN Qendrës së Kosovës.

“Në vitin 2012 Shukriu u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe në vitin 2020 anëtare e rregullt e saj. Prej vitit 2014 qe anëtare e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve në Salzburg. Për vepër jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore u dekorua me çmimin ‘Dea Dardanicae’ të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2017), Çmimin letrar “Beqir Musliu” (2019), Çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin poetik “Nënqielli” (1990) e Çmimin për librin shkencor të vitit “Dardania Paraurbane” nga Dukagjini (1996)”, ka thënë Mushkolaj.

Ka përmendur edhe disa veti personale të Shukriut.

“Ajo ishe një luftëtare e pakompromis për të drejtat e shqiptarëve e shtetndërtim dhe një zë i rëndësishëm për barazi gjinore”, ka thënë anëtarja korrespondente e ASHAK-ut.

Kontributi i Shukriut, trashëgimi e pavdekshme

Në emër të familjes Shukriu të pranishmëve u është drejtuar mbesa e Edi Shukriut, Vatilda Shukriu. Ajo ka thënë se si për të gjithë shoqërinë edhe për familjen Edi Shukriu ishte një intelektuale e veprimtare.

“Ne veç patëm rastin të jetonim për së afërmi zjarrin e saj, përpjekjet e saj këmbëngulëse e kokëforta për emancipim e barazi midis popujve e gjinive, përtej popujve e përtej gjinive”, ka thënë ajo. Të pranishmëve u ka thënë se mund të kujtojnë poezitë e saj “Ligji i Hamurabit” ose “Nëna” si një manifestim radikal të çlirimit e emancipimit.

“Vetë jeta është poezi. Nuk mendoj që të shkruash është aq e jashtëzakonshme. Unë nuk jam shkrimtare grua, poete grua dhe dua të kujtohem si shkrimtare e poete. Kam luftuar t’u shpëtoj këtyre paragjykimeve dhe të kem mundësinë të garoj me të gjithë si shkrimtare. Jo si shkrimtare grua”, ka cituar ajo Edi Shukriun.

Shukriu botoi disa monografi e studime të tjera, përfshirë “Dardanska božica – Dea Dardanicae, Društvo albanskih umjetnika Hrvatske-Dea”, Zagreb (2021), “Distinguished Albanian Women, Directorate of Culture, Youth and Sports” (2020), “Ancient Kosova, Museum of Kosova” (2018), ka punuar 35 zëra në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, “Saint Prenda Church – Prizren” (2017) dhe disa studime të tjera.

Të martën, në ditën kur u dha lajmi për vdekjen e Shukriut, arkeologu e profesori universitar i arkeologjisë, Arben Hajdari, kishte thënë se që nga viti 1979, kur Shukriu u bë pjesë e Universitetit të Prishtinës, në këtë institucion nisi veprimtaria arkeologjike. Sipas tij, kësisoj, Edi Shukriu, nëpërmjet ligjëratave, organizimit të ekspozitave dhe promovimit të studimeve arkeologjike, si dhe organizimit të gërmimeve arkeologjike, u bë inspirim për gjenerata të tëra studiueses të fushës së arkeologjisë dhe historisë antike.

“Përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare Edi Shukriu krijoi mundësi për një numër studentësh për të vazhduar studimet pasuniversitare në fushën e arkeologjisë. Pas krijimit të kuadrove të nevojshme, duke qenë koshiente për mungesën e kuadrove profesionale në fushën e arkeologjisë, në vitin 2014 inicioi themelimin e programit të arkeologjisë në kuadër të Departamentit të Antropologjisë, nga i cili program kanë dalë me dhjetëra studentë, të cilët sot vazhdojnë studimet specialistike në fushën arkeologjisë dhe disiplinave të saj në universitete të ndryshme në Francë, Gjermani, Hungari, Itali, Zvicër e vende të tjera”, ka thënë Hajdari. Si e tillë, sipas Hajdarit, ajo çmohet në botën shkencore brenda dhe jashtë vendit dhe pa asnjë diskutim, me punën dhe veprën e saj, mbetet arkeologia me e respektuar në fushën e dijes arkeologjike në Kosovë dhe njëra ndër me të rëndësishmet në gjithë hapësirën shqiptare.

“Kësisoj, Edi Shukriu, me studimet e saj, bashkë me studiuesin Zef Mirdita, mund të konsiderohen edhe si themelues të dardanologjisë. Studimet e saj, në veçanti ato për dardanët dhe Dardaninë, mbetën referenca të rëndësishme për të gjithë studiuesit e fushës”, ka thënë Hajdari.

Nga korpusi i shumtë i veprave të saj, Hajdari ka veçuar studimet monografike “Dardania Paraurbane”, “Kosova Antike”, “Hyjnesha dardane”, “Studime për Dardaninë” dhe “Gratë e shquara shqiptare”.

Të martën vonë kryeministri i Kosovës nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se me pikëllim ka marrë lajmin për vdekjen e akademikes Edi Shukriu, një prej pioniereve të arkeologjisë në Kosovë. Sipas Kurtit, ajo ishte një grua e fortë, aktiviste dhe vizionare, e cila do t'i mungojë shumë shoqërisë, për të cilën u angazhua shumë.

“Ajo dha kontribut të çmuar në fushën e arkeologjisë, të historisë, të letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale, akademike dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare. Arritjet e saja do të mbesin shembull për t’u ndjekur nga brezat e rinj”, ka thënë ai. Sipas Kurtit, kontributi i saj si akademike, profesore universiteti dhe shkrimtare ishte i jashtëzakonshëm dhe do të mbetet një trashëgimi e pavdekshme, duke frymëzuar edhe më tej kultivimin e vlerave krijuese”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Shukriu është varrosur të mërkurën, në orën 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.