Kulturë

Edi Shukriu – arkeologia prijëse, intelektualja e zellshme

Edi Shukriu (22 tetor, 1950 – 17 janar, 2023)

Qysh prej viteve ’70 ajo do të bëhej prej më të shquarave në fushën e arkeologjisë, nismëtare e themeltare institucionesh në vend. Edi Shukriu nuk qe thjesht ndër të parat në këtë profesion, por edhe frymëzuese për gjeneratat e reja, kontribuuese në shkencë, politikane, poete, profesoreshë universitare e intelektuale në zë. Vdekja e saj, të martën në moshën 72-vjeçare, është përshkruar si humbje e madhe për artin, kulturën, shkencën e botën akademike në Kosovë

Si profesion arkeologjia njihej veç në qarqe krejt të ngushta. Përtej kësaj, në Kosovën e viteve ‘60 as që paramendohej se ndonjë vajze të re mund t’i shkonte mendja për t’u bërë arkeologe.

Por Edi Shukriu do të bëhej prijëse në këtë aspekt. Nuk qe thjesht ndër të parat në këtë profesion, por edhe frymëzuese për gjeneratat e reja, kontribuuese në shkencë, politikane, poete, profesoreshë universitare e intelektuale në zë. Akademikja Edi Shukriu vdiq të martën. Ajo ishte 72 vjeçe. Njoftimi është bërë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Ikja e saj është përshkruar si humbje e madhe për artin, kulturën, shkencën e botën akademike në Kosovë.

Edi Shukriu u lind në Prizren më 22 tetor 1950. Sipas biografisë së saj në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, shkollimin fillor e të mesëm i ka përfunduar në vendlindje, ndërsa studimet për arkeologji në Universitetin e Beogradit më 1972. Po në këtë Universitet magjistroi për të doktoruar në Universitetin e Prishtinës më 1990.

Për pesë vjet, prej vitit 1974 deri më 1979 ka punuar në atë që ishte Muzeu i Prishtinës, e tash është Muzeu Kombëtar i Kosovës. E prej vitit 1979 në Universitetin e Prishtinës, duke ligjëruar në Degën e Historisë për arkeologjinë dhe historinë. Me iniciativën e saj do të themelohej grupi i arkeologëve të rinj, “Shtjefën Gjeçovi”. Shukriu do të organizonte ekspedita arkeologjike, do të inicionte themelimin e Degës së Antropologjisë në Fakultetin Filozofik, me drejtimet antropologji kulturore dhe arkeologji, ku ligjëroi disa lëndë.

Veprimtaria shkencore

Edi Shukriu nuk ishte vetëm studiuese kabinetike. Veprimtarinë shkencore dhe profesionale e përqendroi në hulumtimet arkeologjike dhe të historisë antike, në mbrojtjen e integruar të trashëgimisë kulturore dhe prezantimit të trashëgimisë kulturore në vend dhe jashtë, të menaxhimit dhe të shfrytëzimit të saj për zhvillime shoqërore dhe ekonomike. Ajo do të udhëhiqte hulumtimet arkeologjike në Vërmicë (1974-1975), Gjonaj (1975), tumat e Porodimes, tumën e Cernicës tek Ulpiana (1987) dhe të Komoranit (1974), Kalanë e Veletinit (1986), Gradishën e Vlashnjës (2002) dhe në Ulpianën antike, si hulumtim i parë me bashkëpunim ndërkombëtar në kuadër të kurseve të Universitetit Veror të Universitetit të Prishtinës. Shukriu po ashtu ishte pjesë e ekipit të hulumtimeve në Kalanë e Prizrenit, Glladnicë te Graçanica, Bajë të Pejës, Romajë dhe Gadime të Epërme. Evidentoi vendbanimet e fortifikuara në Strezovc, Marec, Gushicë, Vuçak, Godanc, Korishë, Batushë, Harilaç e lokalitet të tjera. Akademikja Shukriu ishte një prej themelueseve të Muzeut Arkeologjik në Prizren më 1973.

Shukriu botoi disa monografi e studime të tjera, përfshirë “Dardanska božica – Dea Dardanicae, Društvo albanskih umjetnika Hrvatske-Dea”, Zagreb (2021), “Distinguished Albanian Women, Directorate of Culture, Youth and Sports” (2020), “Ancient Kosova, Museum of Kosova” (2018), ka punuar 35 zëra në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, “Saint Prenda Church – Prizren” (2017) dhe disa studime të tjera.

Themeluese e dardanologjisë

Arkeologu e profesori universitar i arkeologjisë, Arben Hajdari, ka thënë se që nga viti 1979 kur Shukriu u bë pjesë e Universitetit të Prishtinës, në këtë institucion nisi veprimtaria arkeologjike. Sipas tij, kësisoj, Edi Shukriu, përmes ligjëratave, organizimit të ekspozitave dhe promovimit të studimeve arkeologjike, si dhe organizimit të gërmimeve arkeologjike, u bë inspirim për gjenerata të tëra studiueses të fushës së arkeologjisë dhe historisë antike.

“Përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare, Edi Shukiu krijoi mundësi për një numër studentësh për të vazhduar studimet pasuniversitare në fushën e arkeologjisë. Pas krijimit të kuadrove të nevojshme, duke qenë koshiente për mungesën e kuadrove profesionale në fushën e arkeologjisë, në vitit 2014 inicioi themelimin e programit të arkeologjisë në kuadër të Departamentit të Antropologjisë, nga i cili program kanë dalë me dhjetëra studentë të cilët sot vazhdojnë studimet specialistike në fushën arkeologjisë dhe disiplinave të saj në universitete të ndryshme në Francë, Gjermani, Hungari, Itali, Zvicër e vende të tjera”, ka thënë Hajdari. Sipas tij, si arkeologe, Edi Shukriu shquhej si një studiuese serioze, e përkushtuar, origjinale dhe me një qasje bashkëkohore metodologjike. Si e tillë, sipas Hajdarit, ajo çmohet në botën shkencore brenda dhe jashtë vendit dhe pa asnjë diskutim, me punën dhe veprën e saj, mbetet arkeologia me e respektuar në fushën e dijes arkeologjike në Kosovë dhe njëra ndër me të rëndësishmet në gjithë hapësirën shqiptare.

“Duke qenë e vetëdijshme për debatin lidhur mbi hipotezat që mohonin përkatësinë ilire të dardanëve, Edi Shukriu u bë pjesë e këtyre debateve shkencore, duke ia kushtuar një pjesë të mirë të karrierës së saj shkencore kësaj çështjeje, ku me studimet, përmes analizës së kulturës materiale, në veçanti të qeramikës, arriti të argumentojë bindshëm përkatësinë ilire të dardanëve, duke argumentuar se kultura ilire në Dardani e zhvilluar mbi bazat e eneolitit autokton, respektivisht bronzit të hershëm, ka tipare dhe veçori të përbashkëta kronologjike dhe është e zhvilluar paralelisht me ato të territoreve ilire të Adriatikut jugor”, ka thënë ai. Gjithashtu, sipas Hajdarit, me studimet e shumta, të prezantuara, referuara dhe publikuara brenda dhe jashtë vendit, qoftë si studime të veçanta monografike apo artikuj shkencorë, Edi Shukriu ka dhënë një kontribut të çmueshme në ndriçimin e aspekteve të ndryshme të jetës politike, kulturore, socio-ekonomike dhe botës shpirtërore të dardaneve, duke vënë në pah kësisoj rolin dhe rëndësinë që luajtën dardanët si faktorë i rëndësishëm, shpeshherë determinues, në ngjarjet e ndryshme historike.

“Kësisoj, Edi Shukriu, me studimet e saj, bashkë me studiuesin Zef Mirdita, mund të konsiderohen edhe si themelues të dardanologjisë. Studimet e saj, në veçanti ato për dardanët dhe Dardaninë, mbetën referenca të rëndësishme për të gjithë studiuesit e fushës”, ka thënë Hajdari.

Nga korpusi i shumtë i veprave të saj, Hajdari ka veçuar studimet monografike “Dardania Paraurbane”, “Kosova Antike”, “Hyjnesha dardane”, “Studime për Dardaninë” dhe “Gratë e shquara Shqiptare”.

Angazhimet në jetën politike

Në periudha të ndryshme të Kosovës, Shukriu nuk qëndroi veç në petkun e studiueses. Gjatë viteve ‘90 u angazhua në lëvizjen për liri, krijimin e shtetit të Kosovës dhe zhvillimin e proceseve demokratike dhe njëkohësisht edhe për pjesëmarrjen e gruas në nivelet e vendimmarrjes. Veproi në Ministrinë e Punëve të Jashtme (1991-1998) në ato që ishin institucione paralele të regjimit serb. Ishte deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës (1992-1998). Pas qershorit të vitit 1999 kur Kosova u lirua Shukriu, prapë u bë pjesë e institucioneve të vendit duke bashkëdrejtuar Departamentin e Kulturës në kuadër të UNMIK-ut (2000-2001) dhe ishte deputete e Kuvendit të Kosovës (2002-2004).

Shukriu do të bashkëthemelonte Forumin e Gruas së LDK-së (1990) dhe ishte kryetare e këtij organi (1995-2000), më pas bashkëthemeloi partinë Alternativa Demokratike e Kosovës (2004-2013). Ishte kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (2009-2012), anëtare dhe më pas nënkryetare e PEN Qendrës së Kosovës.

Në vitin 2012 Shukriu u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe në vitin 2020 anëtare e rregullt e saj. Prej vitit 2014 qe anëtare e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve në Salzburg. Për vepër jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore u dekorua me çmimin “Dea Dardanicae” të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2017), Çmimin letrar “Beqir Musliu” (2019), Çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin poetik “Nënqielli” (1990) e Çmimin për librin shkencor të vitit “Dardania Paraurbane” nga Dukagjini (1996).

Kontributi i Shukriut, trashëgimi e pavdekshme

Akademia e Shkencave e Shqipërisë të martën nëpërmjet një telegrami ka vlerësuar se vdekja e Shukriut është një humbje e thellë për institucionin e ASHAK-ut, Universitetin e Prishtinës, si dhe për gjithë shkencën shqiptare në tërësi, si një emër i çmuar në fushën e arkeologjisë, fushë në të cilën ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme.

“Duke qenë një ndër arkeologet e para shqiptare, ajo vuri themelet e dijeve arkeologjike në Kosovë, të cilave ua kushtoi pothuajse tërë jetën, duke themeluar e drejtuar institucione e projekte të ndryshme kërkimore shkencore”, shkruhet në telegram. Aty shkruhet se redaksia Qendrore e Enciklopedisë Shqiptare (ASHSH - ASHAK), gjatë mbledhjes së të martës u njoftua për lajmin e hidhur, e mbajti një minutë heshtje në nderim të emrit dhe veprës së saj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një telegrami ngushëllimi ka thënë se ndarja nga jeta e Edi Shukriut është humbje e thellë për dijet e për shkencën shqiptare, pasi ajo ishte një emër i çmuar në fushën e arkeologjisë e të historisë, fusha në të cilat ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme.

“Duke qenë ndër arkeologet e para shqiptare, ajo i vuri themelet e dijeve arkeologjike në Kosovë, së cilave ua kushtoi pothuajse tërë jetën, duke themeluar e drejtuar institucione e projekte të ndryshme kërkimore e shkencore”, shkruhet në telegram. Sipas telegramit, Shukriu ishte njeri me vokacion të theksuar poetik që ka lënë trashëgimi edhe disa vepra poetike.

E ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, po nëpërmjet një telegrami të ngushëllimit ka thënë se si një profesioniste e pashoqe e arkeologjisë, arritjet e saj do të mbesin shembull për t’u ndjekur nga brezat e rinj.

“Kontributi i saj si akademike, profesoreshë universiteti dhe shkrimtare ishte i jashtëzakonshëm dhe do të mbetet një trashëgimi e pavdekshme, duke frymëzuar edhe më tej kultivimin e vlerave krijuese”, shkruhet në telegram.

Nëpërmjet një telegrami profesori Jean-Luc Lamboley nga Universiteit “Lumier Lyon 2” në Francë ka thënë se falë Shukriut ka mundur të zbulojë trashëgiminë e pasur arkeologjike të Kosovës dhe ditët e kaluara së bashku në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës me studentët e saj, do të mbeten gjithmonë të gdhendura në kujtesën e tij. Ai ishte bashkëpunëtor i Shukriut në gërmime arkeologjike.

“Bashkohem në këtë mesazh me të gjithë ata që sot vajtojnë humbjen e një shkencëtareje me famë ndërkombëtare, por edhe të një gruaje me zemër të madhe, e cila ishte shumë e përkushtuar ndaj vendit të saj dhe nuk u dorëzua asnjëherë përballë vështirësive”, shkruhet në telegram.

Sipas njoftimit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, mbledhja komemorative do të mbahet në mjediset e ASHAK-ut sot (e mërkurë) në orën 11:00, kurse homazhet do të bëhen prej orës 12:00 deri në orën 13:00. Varrimi i së ndjerës do të bëhet në orën 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.