Kulturë

Skenat më të mira filmike të natës së Vitit të Ri

Gërmojmë thellë për filmat më të mirë të natës së Vitit të Ri, nga ata romantiko-komike dhe mjuzikllet te filmat dhe komeditë gangstere; nga festat për-dy te sekuencat djallëzore të përpunuara të kërcimit

“New Year’s Eve” (2011)

Shumica e filmave në këtë listë përmbajnë thjesht skena të cilat zënë vend në natën e Vitit të Ri. Megjithatë, jo bash natën e Vitit të Ri, sepse e gjithë nata e Vitit të Ri nënkupton vetëm një ditë. Në këtë mes hyn filmi “Love Actually” (pjesa e mesme e të cilit fillon me Ditën e Shën Valentinit dhe përfundon me Ditën e Nënës), ky film bëri për vete artistë si: Halle Berry, Robert Downey Jr, Hilary Swank dhe Jon Bon Jovi. Është po ashtu i pazakontë, por ju e dinit këtë.

“Stacioni Fruitvale” (2013)

Ajo që e bën natën e Vitit të Ri kaq tërheqëse për filmin është se, ndryshe nga dita e Krishtlindjeve, ajo nuk ka një temë universalisht të pranueshme për secilin. Mund të jetë argëtues, ekstravagant, i vetmuar ose – në rastin e dramës së Ryan Coogler – të paraqesë skena rrëqethëse të brutalitetit të Policisë. Një film tërheqës, i rëndësishëm, por ndoshta jo për t'u shfaqur në një ditë feste.

“Sunset Boulevard” (1950)

Image
Gloria Swanson dhe William Holden në “Sunset Boulevard”

Të gjitha tubimet e natës së Vitit të Ri kanë një potencial të lartë për katastrofë, por “Sunset Boulevard” kryeson në përcaktimin e ndoshta më katastrofikut. Aktorja pothuajse e harruar, Norma Desmond fton një skenarist në festën e saj të Vitit të Ri. Ai merr pjesë, teksa kupton se është i vetmi mysafir. Desmond përpiqet ta joshë atë, por ai e kundërshton. Më pas ajo i prenë kyçet e duarve. Një film tejet shqetësues edhe pas shtatë dekadash nga realizimi i tij.

“Holiday Inn” (1942)

“Holiday Inn” është një film që flet për një vend argëtimi që hapet vetëm gjatë festave kombëtare. Të shumtë janë ata që menduan se ishte një film Krishtlindjesh dhe më pas iu desh të vuanin për pjesën mjaft fyese që kishte të bënte me ditëlindjes së Linkolnit. Megjithatë, në natën e Vitit të Ri, Fred Astaire dhe Marjorie Reynolds performojnë një kërcim të jashtëzakonshëm.

“About time” (2013)

Romani i udhëtimit në kohë nga Richard Curtis duket se po shijon diçka të një ringjalljeje kritike për momentin. Fillon në natën e Vitit të Ri, ku Domhnall Gleeson ka një takim romantik jashtëzakonisht të vështirë me një vajzë dhe më pas mëson se mund të udhëtojë në kohë. Gjë për të cilën më kanë thënë se nuk është diçka që ndodh në jetën reale.

“The Poseidon Adventure” (1972)

Image
Shelley Winters në “The Poseidon Adventure”

Ju do të mbani mend se “The Poseidon Adventure” është një film me një kastë që shkëlqen nga prania e një numri të madh yjesh. Ai flet për një anije që goditet nga valë baticash dhe fundoset në mes të oqeanit. Por a ju kujtohet se vala godet varkën natën e Vitit të Ri? Ndoshta jo, por gjithsesi kjo është prova përfundimtare se nata e Vitit të Ri është më e keqja.

New Year’s Evil (1980)

T’ju them një gjë: Unë nuk e dija që ky film ekzistonte derisa fillova të hulumtoj për ta bërë këtë listë dhe më pas e gjeta në kanalin YouTube. Horrori i valës së re ka të bëjë me një vrasës që zotohet të vrasë një grua për çdo orë që kalon deri në ardhjen e vitit të ri. Nëse keni dashur ndonjëherë të shihni një film brutal me skena sulmesh me thikë dhe që shtojnë edhe më shumë zhurmën e borive të Vitit të Ri, ky filmi është për ju.

“Strange Days” (1995)

Edhe pse nata e Vitit të Ri ka kohë që është bërë e mërzitshme, ia vlen të kujtojmë se në kapërcyell të mijëvjeçarit, ajo ishte gjithashtu shkak për shumë ankthe. Pak filma e përshkruajnë këtë siç di ta bëjë “Strange days”, një film tejet fantastiko-shkencor i Kathryn Bigelow. Ai flet rreth MiniDisqeve që në njëfarë mënyre mund të ruajnë ndjesitë fizike. Nuk ka kuptim ta shpjegosh, mezi ka kuptim ta shikosh, por megjithatë është mjaft argëtues.

“Proxy Hudsucker” (1994)

Image
Paul Newman dhe Tim Robbins në “The Hudsucker Proxy”

Filmi i vëllezërve Coen, për të cilin frikësoheni të thoni se ju pëlqen, është gjithashtu shumë festiv. Kur e vret veten Hudsuckeri i vjetër, i cili hidhet nga një dritare rrokaqielli? Në dhjetor. Kur ngjitet Tim Robbins në majën e të njëjtit rrokaqiell, me qëllime të ngjashme vetëvrasëse? Në natën e Vitit të Ri. Një komedi fantastike gjysmëmbinatyrore sezonale.

“An Affair to Remember” (1957)

Image
Cary Grant dhe Deborah Kerr në “An Affair to Remember”

Një ribërje e “Love Affair” e vitit 1939. “An Affair to Remember” është një film i vjetër klasik, ku Cary Grant dhe Deborah Kerr, pavarësisht lidhjeve romantike që kanë krijuar me njerëz të tjerë, gjejnë kohë që të largohen së bashku mu në natën e Vitit të Ri. Është një moment jashtëzakonisht romantik, por, siç do ta shohim së shpejti, që atëherë ai është uzurpuar nga një tjetër film, një ribërje e mundshme.

“While You Were Sleeping” (1995)

Një film që historianët e ardhshëm do ta përdorin për të demonstruar saktësisht se sa i ngatërruar ishte zhanri romantiko-komik në kohën e tij. “While you where sleeping” ka një premisë problematike. Sandra Bullock shikon një të huaj i cili është plagosur tmerrësisht dhe, falë të gjitha trillimeve të komplotit, e bind familjen e tij se ajo është e fejuara e tij. Ai zgjohet dhe, duke qenë se vuan nga amnezia e fortë tronditëse, pranon të martohet me të. Por - oh oh! – ndërsa ai ishte në koma, ajo ra në dashuri me vëllain e tij. Oops! Gjithsesi, një pjesë e kësaj zë vend në natën e Vitit të Ri.

“Bridget Jones’s Diary” (2001)

Ndërkohë, kjo jo vetëm që është shumë më pak e bezdisshme, por në fakt i përshtatet jashtëzakonisht mirë temës së natës së Vitit të Ri. Sepse është një ditar, apo jo? Të gjithë ditarët mbarojnë në natën e Vitit të Ri. Dhe kështu, çfarëdo që kërkon makineria e zhanrit romantiko-komik, ne të gjithë mund të jemi të qetë duke ditur se do të përfundojë në natën e Vitit të Ri. Për fat të mirë për ne, ky është një nga ato romancat me ritëm të shkathët që ka aksione realiste dhe absolutisht asnjë mashtrim të pacientëve të pashëm në koma. Ky është komplimenti më i lartë i mundshëm.

“An American in Paris” (1951)

Image
Gene Kelly dhe Leslie Caron në “An American in Paris”

Klasiku i Vincente Minnellit është film më pak i pavarur dhe të themi muzikali i parë i xhukboksit në botë – një komplot i lirshëm i formuar rreth kompozimit të George Gershwin. Edhe pse pika kulminante e tij – një kërcim 17-minutësh ëndërrimtar, i mbushur me art, pa dialog mes Gene Kelly dhe Leslie Caron – është ajo që njerëzit kujtojnë më së shumti, sekuenca e natës së Vitit të Ri është gjithashtu jashtëzakonisht e përpunuar. Momenti kur një personazh bie nga ballkoni në krahët e një pritësi, nuk ndalet së qeni i tmerrshëm.

“Boogie Nights” (1997)

Siç do ta shohim, Paul Thomas Anderson është bërë mjaft ekspert kur bëhet fjalë për natën e Vitit të Ri. Ndoshta skena e tij më e famshme e Vitit të ri është “Boogie Nights”. Ai shfaq një festë plotësisht të shthurur të yjeve porno që arrin kulminacionin – pas zbulimit të tradhtisë martesore – me një vrasje të dyfishtë dhe një vetëvrasje. A ka qenë ndonjëherë më i mirë William H. Macy se kur endet i habitur nëpër shtëpi teksa në dorë mban një armë, i vendosur se më mirë do ishte të vriste veten sesa të jetojë gjatë viteve 1980? Ndoshta jo.

“The Godfather II” (1974)

Këtu kemi ndoshta një nga skenat më të famshme të Vitit të Ri të shfaqura ndonjëherë në kinema. Gjatë një feste të zhurmshme në Kubë, Michael Corleone kupton papritur se vëllai i tij Fredo u përpoq të orkestronte një atentat ndaj tij. Michael kap vëllain e tij nga koka, e puth dhe i thotë: “E di që ishe ti”. Pasojat e këtij momenti janë të mëdha; aq i madh, në fakt, sa Al Pacino do të vazhdojë t’i referohej festës në theksin e tij të jashtëzakonshëm Dunkaccino, i cili mbyll filmin e Adam Sandler Jack and Jill.

“The Apartament” (1960)

Image
Jack Lemmon dhe Shirley Maclaine në “The Apartment”

Ndoshta ka diçka në ajër, por kam vënë re se “The Apartament” po konsiderohet si një nga filmat më të mirë të Krishtlindjeve këtë vit. Dhe kjo është në rregull, edhe pse nëse doni të grindeni, mund të sugjeroni se është teknikisht një nga filmat më të mirë pas Krishtlindjeve. Të gjitha gjërat e mira – shkëmbimet më të frytshme mes Jack Lemmon dhe Shirley MacLaine – ndodhin në mes të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Nuk duhet të jetë befasi që finalja e setit të natës së Vitit të Ri është lehtësisht skena më e ëmbël e të gjithë filmit.

“Trading Places” (1983)

A është vërtet “Trading Places” film i Vitit të Ri? Me gjithë sinqeritetin, ndoshta jo. Për sa i përket plotit, filmi është i ndarë në mënyrë të barabartë mes Ditës së Falënderimeve, Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Dhe, nga këto, Krishtlindjet janë ndoshta më të paharrueshmet, falë imazhit të Dan Aykroyd, që duket si Babadimri më i keq në botë. Pra, pse renditet kaq lart këtu? Kjo është e thjeshtë: “Trading Places” duket më shumë si një film të cilit i mbaron me shpejtësi jetëgjatësia, plot me shaka që po plaken, si dhe qumësht të ngrohtë. Tani për tani, ajo ende kualifikohet si një nga komeditë më të mira të bëra ndonjëherë. Megjithatë, pesë vjet nga tani, të gjitha shakatë e tij mund ta ikin pa kthim. Nëse po e lexoni këtë, pesë vjet nga tani, meqë ra fjala, jam dakord që është shumë i keq dhe pa shije. Mos vini pas meje.

“Sleepless Seattle” (1993)

Këtu është ajo ribërja e “An Affair to Remember”, e cila gjithashtu ndodh të shfaqë një “Affair to Remember” si një mjet rrëfimi. Natyrisht, “Sleepless in Seattle” është një ripërpunim i përmirësuar shumë, i cili arrin ta shmangë mjeshtërisht pabesinë e katalizatorit duke pasur Tom Hanks si një të ve të pikëlluar. Megjithatë, nata e Vitit të Ri vazhdon ta luajë rolin e saj. Kjo është kur Hanks imagjinon një takim të fundit me gruan e tij të vdekur, përpara se të mund të vazhdojë tutje, si dhe të gjejë dashurinë që meriton.

“When Harry Met Sally” (1989)

Kryevepra e Nora Ephronit përfshin një periudhe të gjatë kohore, kështu që ka kuptim vetëm që ai përdor natën e Vitit të Ri, si mjet për të shënuar shpejtësinë me të cilën kalon koha. Në një festë të Vitit të Ri, Harry dhe Sally ngadalë e kuptojnë se kanë ndjenja për njëri-tjetrin, por tërhiqen shpejt nga rrethanat. Dhe, pak më vonë, dyshja zgjedh natën e Vitit të Ri për të rrëfyer më në fund dashurinë ndaj njëri-tjetrit. Natyrisht që emocionet e natës së Vitit të Ri pasohen gjithmonë nga mjerimi i ftohtë dhe gri i Vitit të Ri, por filmi me mençuri e injoron këtë.

“Phantom Thread” (2017)

Skena më e re e Paul Thomas Anderson në natën e Vitit të Ri është padyshim më realistja që kemi parë ndonjëherë. Një çift ka dy ide të ndryshme. Njëri dëshiron të kalojë mbrëmjen duke kërcyer, tjetri dëshiron të qëndrojë në shtëpi. Ka një luftë dhe një shpërthim stuhish dhe pastaj hektarë keqardhjeje reciproke. Në film, Reynolds Woodcock i Daniel Day-Lewis përfundimisht tërhiqet, duke ndjekur Vicky Krieps në një sallë të mrekullueshme, të mbushur me tullumbace, ku – pas një takimi fillestar të pasigurt – ata përfundimisht bashkohen. Por më pas ajo gjithsesi e helmon atë. Morali i historisë është se marrëdhëniet janë të këqija.

Përktheu: Mirjetë Sadiku