Kulturë

“Ethnically Plugged” në rikthim me frymën e re të muzikës shqipe

I dyfishtë është rikthimi i “Ethnically Plugged” sa herë që vjen në skenë: pos grupit, rikthehen edhe këngët e moçme shqipe, bashkë me to edhe kompozime të reja me taban në thesarin muzikor kombëtar. Në 18 vjet rrugëtim, koncertet e këtij formacioni unik me maestro të interpretimit e të kompozimit, performancat e grupit nuk kufizohen vetëm te koncerti i një nate. “Ethnically...” e dokumenton muzikën e vjetër shqipe, hap kapituj të rinj për vlerat, dhe secila vepër e tyre dëgjohet gjatë

Kur flitet për muzikën e vjetër shqipe, është një prej grupeve që menjëherë pushton mendjet. Ekzistenca e këtij formacioni ndërlidhet me ruajtjen dhe promovimin e vlerave muzikore. E sa herë del në skenë, sigurohet që të hedhë dromca të përpunimeve, të cilat duartrokiten gjithnjë gjatë.

Edhe më të veçanta i kanë krijimet e tyre grupore. “Ethnically Plogged” është vulë e rrugëtimit i cili nisi 18 vjet më parë dhe bashkoi disa nga instrumentistët më profesionistë në vend. Por ajo që i jep edhe më shumë sharmë koncertit është fakti i një mungese të gjatë në skenë.

Publikut që për vite me radhë ia ka dëgjuar këngët në CD ka vendosur t’i falë festë për 15-vjetorin e themelimit të grupit. Pandemia bëri që planet e “Ethnically Plugged” të ndërroheshin. Atëherë kur e vendosën 25 gushtin e para një viti për pushtim të Amfiteatrit të Gërmisë me muzikë të vjetër, sërish kjo s’u realizua. Arsyeja ishte e njëjtë: hyrja e masave të reja anti – COVID-19.

Rikthimi u ndie edhe më fuqishëm për shkak të këtyre pengesave. Mitrovica u bë qyteti i parë që ua ndjeu shpirtin tradicional e modern në përpunimet jazz – fusion. Por edhe më kumbues se Muzeu i qytetit atje, u bë pushtimi i skenës në Prishtinë mbrëmjen e së hënës.

Që në fillim pritja e kitaristëve Ilir Tolaj e Luan Macula, pianistit Edon Ramadani dhe bateristit Teoman Ukça qe e jashtëzakonshme. Malli i publikut rrezaton që në këngët e para. Ndërkaq skenografia në të kuqe e Modelariumit të Fakultetit të Arkitekturës i dha më shumë ngrohtësi ambientit. Pjesëtarët e “Ethnically...” energjinë e kanë pasur në nivel dhe rikthimin e shënuan si festë. Por në të njëjtën kohë edhe audienca e dha mesazhin se u mungojnë net të tilla ku promovohen vlerat e muzikës së vjetër shqipe.

Atmosfera ndërrohej nga kënga në këngë, teksa “Hapi sytë”, “Kur e përcolla ylberin”, “Dasma e fshehtë”, “Hajredin Pasha”, “A.d.e.n” “Pse jo shqip”, “Vallja nr.2” ishin disa nga këngët që kompletuan rrugëtimin muzikor. Instrumentistët kanë përzgjedhur një program të larmishëm mes krijimeve të tyre autentike por edhe këngëve që janë vulë e vlerave tradicionale e popullore. Një pjesë e rëndësishme e koncertit qe bashkimi i instrumentistit Gëzim Sadiku në skenë. “O Dri i zi”, një krijim i kompozuar nga vetë ai, ngjall kërshëri për mënyrën e interpretimit. Edhe më të veçantë e bëri fakti që publiku ngacmohej nga instrumenti i tij, i cili në fillim jep përshtypjen e sazit turk apo mandolinës. Por përshtypja ndërron shpejt dhe kuptohet që Sadiku vetë e ka krijuar këtë instrument i cili ende s’ka emër.

“Ideja ka qenë me mbajt 15-vjetorin por ke pandemia edhe u bë e pamundur. Sonte më në fund jemi të lumtur që festuam 18-vjetorin bashkë”, ka thënë që në fillim të intervistës kitaristi Ilir Tolaj.

Ka treguar për hapat e parë të grupit “Ethnically Plugged” kur pjesë e bendit ishin kitaristi Agron Peni dhe perkusionisti Xhemil Gjini. Në fillim destinimi i parë i grupit ishte krijimi i këngëve. Por shpejt qëllimi ndërron kur prioritet është kultivimi i muzikës me vlera.

“Mandej kur e pamë që po shkojmë drejt rrugës së rikrijimit të këngëve të vjetra thamë pse mos t’i marrim disa nga këngë të vjetra si kompozimet e kitaristit të TNT-së, Nexhat Macula. Kemi bërë një kombinim të një etno-projekti. Ndoshta nga 70 për qind janë kompozime tona dhe 30 për qind janë kompozime të ripërpunime”, ka thënë Tolaj.

Përgjegjësia është edhe më e madhe kur grupi identifikohet për vlerat që ka. Si e tillë edhe dalja në dritë e krijimeve të reja iu nënshtrohen proceseve më të gjata.

Image
Që në fillim pritja e kitaristëve Ilir Tolaj e Luan Macula, pianistit Edon Ramadani dhe bateristit Teoman Ukça qe e jashtëzakonshme. Malli i publikut rrezaton që në këngët e para

“Këngët që janë popullore janë të njohura shumë, është vështirë të kompozojmë diçka që u afrohet atyre. Në bashkëdyzim pak me rock e jazz jemi munduar t’i afrojmë në frymën tonë”, ka thënë kitaristi Luan Macula.

Ai ka thënë se nuk mund ta ndajë asnjërën prej këngëve si më të mirën. Rëndësi të madhe për të ka publiku dhe ambienti në të cilin performojnë. Përmend se në ambiente të ngrohta, “Hapi sytë” arrin t’ia marrë zemrën. Por jo më pak energji i jep “Malet e Dibrës” apo tashmë e njohur si “Hajredin Pasha”. Veçmas në net si e këtij koncerti, kur luajnë me plot jetë.

“Emocione ka gjithnjë në performim, pavarësisht a janë 50 a më shumë persona. Unë më shumë kam emocione kur atmosfera është si sonte, më e këndshme, më pak njerëz, afërsia më e madhe”, ka thënë Macula.

Gati dy dekada jetë e grupit është kohë e gjatë. Sidomos për pianistin Edon Ramadani, i cili vit pas viti merret me projekte të ndryshme muzikore.

“Vitet po shkojnë shpejt, s’e kam ndjesinë që jemi 18 vjet. Por është bukur kur e dimë që jemi bashkë kaq gjatë me shokë në skenë. Kohë pas kohe po tentojmë me fut gjëra të reja në program, por profili i grupit dihet dhe aty jemi munduar me mbet, edhe pse ka pasur lëvizje të instrumentistëve”, ka thënë Ramadani.

Për koncertin në Mitrovicë, i cili u mbajt më 5 dhjetor, ka thënë se ndjesitë kanë qenë intensive edhe aty.

“Edhe atje, edhe këtu si n’shtëpi, s’mund të bëj ndonjë dallim në ndjenjat që kisha”, shprehet ai, duke thënë se grupi e ka ndërmend të festojë rikthimin.

Teoman Ukça, mjeshtër në bateri me ritmin e të cilit këngët tingëllojnë edhe më të fuqishme, ka thënë se gjithë ky rrugëtim i jep ndjenjë pozitive. Por që çdo koncert arrin t’i falë emocione të ndryshme.

“Muzika jonë shqipe duhet të interpretohet më shumë, të paktën në mënyrë të pastër. Një prej mënyrave është edhe kjo që e bëjmë. Ndoshta është dashur të ketë më shumë bende, projekte që e promovojnë muzikën e pastër shqipe”, ka thënë ai për mesazhin e ekzistencës të vetë grupit.

Me humor thotë se ndihet më i vjetër kur kthehet prapa në vitin 2004 – atëherë kur grupi u themelua.

“Shpresoj se kemi me punu hala. I kemi edhe 18 vjet përpara”, ka thënë Ukça.

Ndërkaq Ilir Tolaj e çmon mënyrën se si instrumentisti Gëzim Sadiku tenton të ruajë muzikën dhe vlerat shqipe. Edhe nëpërmjet krijimit të një instrumenti të ri.

“Kemi kontaktuar me të në rrjete sociale edhe jam mrekulluar nga mënyra se si ai interpreton. Instrumentin që e pamë e ka shpikur ai, nuk ka emër, e ka patentuar dhe mbrojtur me ligj një instrument që ende po tentojmë ta ruajmë edhe këtu. Është një krijim interesant. Ne kemi qenë të nderuar që ai ka ardhur me ne”, ka thënë Tolaj për Sadikun.

Koncerti i “Ethnically Plugged” do të transmetohet në programin festiv të Kohavisionit. “Ethnically Plugged”, i themeluar në vitin 2004, është një grup i përbërë nga disa prej muzikantëve shumë të njohur të Kosovës. Të gjithë anëtarët e grupit kanë përvojë mbi 20-vjeçare me grupe të ndryshme kosovare si “TNT”, “Marigona” e bende të tjera. Ata publikuan audio CD dhe DVD në vitin 2005, që asokohe u shpërnda me gazetën “KOHA Ditore”. Deri më tani kanë pasur shumë performanca të suksesshme nëpër Kosovë.