Kulturë

Në Prizren promovohet libri me titull “Shkollat dhe arsimi në Prefekturën e Prizrenit 1889 – 1944”

Historiografia e edukimit në Prizren për periudhën nga fundi i shekullit XIX deri në mesin e shekullit XX pasqyrohet në librin e titulluar “Shkollat dhe arsimi në Prefekturën e Prizrenit 1889 – 1944”, të autorit Metë Shatri, që është promovuar të shtunën në qytetin e vjetër.

Me këtë rast recensentët dhe redaktori, kanë vlerësuar se ky libër, që është botuar nga Botimet KOHA, zbardh pjesë të rrugës së vështirë të shkollës e arsimit shqip.

“‘Shkollat dhe arsimi në Prefekturën e Prizrenit 1889 – 1944’ i autorit, tashmë të mirënjohur për auditorin kosovar, Metë Shatri që është i mbarshtruar në mbi 500 faqe tekst bazë, paraqet një studim unik në fushën e historiografisë të shkollës dhe arsimit shqip në Kosovë. Autori me përkushtim gjurmon një temë me rëndësi kruciale, i cili duke u mbështetur në burime relevante arkivore dhe materiale tjera, e zbardh gjithanshëm rrugën e gjatë, të vështirë dhe plot kravata të shkollës dhe arsimit shqip, përgjithësisht dhe të shkollës dhe arsimit në prefekturën e Prizrenit, në veçanti”, ka thënë Demë Hoti, njëri nga recensentët e librit.

Pasi ka dhënë përshkrimin rreth përmbajtjes së tetë kapitujve të librit, Hoti ka bërë të ditur se libri mbështetet në dokumente relevante arkivore dhe literaturë bashkëkohore.

“Libri i Metë Shatrit me titull: ’Shkollat dhe arsimi në Prefekturën e Prizrenit 1889 – 1944’ paraqet një kontribut të çmueshëm dhe me rëndësi të veçantë për tendencën prore të vazhdueshme për frymim të lirshëm të shkollës dhe arsimit shqip”, ka deklaruar Hoti, duke përgëzuar autorin Shatri dhe Botimet KOHA, për këtë vepër.

Recensenti tjetër i librit, Fevzi Berisha ka theksuar se rëndësia e librit është e madhe, sidomos në Kosovë, pasi që traditë ka qenë që në këto hapësira të mos ruhen dokumente.

“Do ta përgëzojë autorin që ka grumbulluar këto dokumente, i ka analizuar, i ka shqyrtuar dhe na ka dhënë një libër, i cili do të jetë sirtar në të gjitha bibliotekat e Kosovës dhe një margaritar që ka rëndësi për brezat që vijnë”, ka thënë Berisha.

Redaktori i librit, Bajram Shatri ka pohuar se ky publikim ka vlerë shkencore dhe shoqërore, meqë për Prizrenin nuk ka pas ndonjë studim të veçantë, që i kushtohet zhvillimit të arsimit.

“Autori me këtë publikim e pasuron fondin librar shkencor të individëve dhe institucioneve kulturore shkencore të Kosovës”, ka thënë Bajram Shatri.

Botimin e librit, në emër të familjeve të personaliteteve që kanë punuar në arsimin shqip në Prizren, e ka përshëndetur edhe Arsim Fehmiu, i biri i Ibrahim Fehmiut.

Ndërkaq autori i librit, Metë Shatri ka theksuar se kanë qenë tri pikë nxitëse që e kanë shtyrë drejt hartimit të kësaj vepre.

para, karakteri i pathyeshëm i mësuesit shkodran, Mati Logoreci dhe ngulmimi i tij për hapjen dhe mbajtjen gjallë të shkollës së parë shqipe në Prizren... E dyta, shpjegimet dhe kujtimet që i kisha ruajtur nga rinia ime e hershme, të cilat lidheshin me kushëririn tim Halil Sylë Shatri, i cili në “kohën e Austrisë” 1915-1918 kishte qenë nxënës i shkollës fillore shqipe në fshatin Gjurakovc të Istogut, dhe derisa ishte gjallë nuk e kishte hequr nga goja mësuesin e tij, Muharrem Blakçorri nga Kavaja. E treta, ishte kureshtja ime për ta zbërthyer dhe analizuar kuptimin e mirëfilltë të togfjalëshit “Tri ditë Shqipëri”, të cilin e kishim dëgjuar aq shpesh në odat tona”. Lexuesit të këtij libri le t’i mbetet që ta vlerësojë se a ia ka vlejtur ky angazhim”, ka thënë autori Shatri.