Kulturë

28 Nëntori i jep fund sagës me shtatoren e Anton Çettës

Të hënën, kur edhe shënohet Dita e Flamurit, shtatorja e Anton Çettës do të vendoset para Fakultetit të Filologjisë. Në nëntor të vitit 2020, Kuvendi i Komunës së Prishtinës kishte vendosur që shtatorja e mbledhësit të folklorit dhe prijësit të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, e porositur nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë, të vendoset afër udhëkryqit në oborrin e Fakultetit Filologjik. Kjo shtatore tash tre vjet qëndron në atelienë e skulptorit Agon Qosa, në Ferizaj. Kushtoi 60 mijë e 800 euro. Versioni i kësaj shtatoreje u zgjodh nga konkursi, në të cilin kishin marrë pjesë edhe Agron Blakçori, Idriz Balani, Agron Bytyçi, Maks Mero e Izeir Mustafa.

Për pamjen e shtatores kishin votuar njëzëri skulptori Burim Canolli, kryesues i komisionit, dhe anëtarët Ilir Balaj, po ashtu skulptor, Jetullah Sylejmani, piktor, arkitektja Donika Çetta, e bija e Anton Çettës, dhe inxhinieri Riza Krasniqi, anëtar i Këshillit iniciues për ngritjen e shtatores.

Ndërkaq problemet për lokacionin janë një histori më vete. Në shkurt të 2017-s vendosjen e gurit themeltar për bazamentin e shtatores e kishin penguar mosmarrëveshjet midis Institutit Albanologjik të Prishtinës me Komunën e Prishtinës e Ministrinë e Arsimit. Ministria e Arsimit kishte marrë leje nga Komuna e Prishtinës që shtatorja të ngrihej në oborrin e IAP-it.

Mosarritja e një pajtimi kishte bërë që t’i skadonte afati njëvjeçar pëlqimit për vendosjen e shtatores. Në korrik të vitit 2018, gazeta kishte raportuar se Instituti Albanologjik i Prishtinës zyrtarisht kishte refuzuar kërkesën që shtatorja e Çettës të vendosej në oborrin e këtij institucioni. Për udhëheqësit e IAP-it oborri nuk ishte vend adekuat për shtatoren e Çettës.

Në janar të vitit të kaluar Ipeshkvia e Kosovës kishte vendosur që ta vendoste një tjetër shtatore të mbledhësit të folklorit dhe prijësit të Lëvizjes për faljen e gjaqeve para hyrjes së katedrales “Shën Tereza” në Prishtinë bashkë me një shtatore të presidentit Ibrahim Rugova. Por, pas reagimit të vajzave të pajtimtarit Çetta, Ipeshkvia ishte tërhequr nga vendimi edhe për gjoja “padenjësinë sakramentale” të Çettës.