Kulturë

Balerini i gjeneratës së parë, Elez Nikçi: Artisti shndërrohet në gjithçka, politikani s’bëhet kurrë artist

I takon grupit të 25-shës që më 1968 do t’ia mësynte Shkollës së Mesme të Baletit në Shkup. Më 1972 do të ktheheshin për t’u bërë pjesë e atij që ishte Teatri Popullor Krahinor. Qenë Elez Nikçi e shokë të tij pjesëtarë të kësaj gjenerate, të prirë prej Ahmet Brahimjat, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës, ata të cilët u angazhuan edhe për ringjalljen e baletit pas luftës në Kosovë. Pjesa tjetër është histori me shumë personazhe e po aq rrëfime. Rrëfimi i Nikçit është frymëzues e me plot sfida. Njëri prej kapitujve është edhe ai në kohën kur regjimi serb i përjashtoi nga skena e ai u bë truprojë e Ibrahim Rugovës, sikurse edhe biseda me Fatos Nanon kur ai qe kryeministër i Shqipërisë. Një dëshirë e tij dhe e shokëve të tij mbetet ende e parealizuar

Qëndrimin e drejtë të një balerini e ka edhe sot kur ulet në karrige. Por ky qëndrim i kishte shërbyer jo veç në skenë, por edhe në profesionin që iu imponua kur baleti u përjashtua nga jeta publike.

Elez Nikçi, i lindur më 1953 në Shtupeq të Madh të Pejës, vallëzimin tradicional e kishin traditë familjare. Si fëmijë s’ia kishte idenë se çka nënkuptonte baleti. Por dëshira për vallëzim që bëhet në anët e Rugovës ishte një bazë e mirë për të për t’ia mësyrë rrugës së baletit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Shtupeq i Madh dhe në Pejë, kurse për shkollimin e mesëm u zhvendos në Shkup. Në kohën kur u shpall konkursi për shkollim të mesëm për balet, shumëkush e edhe vetë Nikçi ia kishin pak ose hiç idenë se çfarë ishte baleti. Elez Nikçi i takon grupit të 25-shës e cila më 1968 do t’ia mësynte Shkollës së Mesme të Baletit në Shkup. Më 1972 do të ktheheshin për t’u bërë pjesë e atij që ishte Teatri Popullor Krahinor. Qenë Nikçi e shokë të tij pjesëtarë të kësaj gjenerate, të prirë prej Ahmet Brahimjat, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës, ata të cilët u angazhuan edhe për ringjalljen e baletit pas luftës në Kosovë. Pjesa tjetër është histori me shumë personazhe e po aq rrëfime.

Image
Elez Nikçi në rolin e Halilit në shfaqjen “Halili dhe Hajrija” të Panajot Kanaçit, dhënë më 9 tetor 1979 në Prishtinë

Tradita nga Rugova dhe Shkupi i dikurshëm si Parisi i sotëm

Shkuarjen në Shkup, Elez Nikçi e cilëson se një vendim goxha të madh. Thotë se atëkohë shkuarja atje ishte si të shkosh në Paris sot. Shkollimin e përshkruan si jo fort të lehtë dhe jo gjithkush ia dilte ta çonte deri në fund.

“Unë kam pasur prirje për vallëzim, sepse familjarët i kam pasur pjesë të ansamblit ‘Rugova’. E kam pasur traditë familjare vallëzimin popullor, por jo atë modern. Pastaj pata fatin që në konkursin e hapur të jem i zgjedhur në mesin e 25 nxënësve”, ka treguar balerini Elez Nikçi.

përfundimit të shkollimit katërvjeçar për balet, takimi me balerinin e njohur Abdurrahman Nokshiqi ishte një bazë e mirë për balerinët e gjeneratës së Nikçit. Bashkë me të thotë se mësuan se çfarë është skena. “Shkolla është tjetër, kurse skena tjetër, kështu që filluam me të”, ka rrëfyer tutje balerini në emisionin “Pro X” të KTV-së. Në skenën e asokohe Teatrit Popullor Krahinor për herë të parë në skenë e vunë vallëzimin “Motivet kosovare”, që ishte një modifikim i vallëzimit tradicional në atë modern. Vetë Nikçi shprehet se atëbotë si gjenerata e parë e balerinëve e kishin drojën se si do ta presë publiku këtë art skenik. Andaj edhe vallëzim i parë në skenë ishte i tillë, një hap më tej të njohurës.

“Ne as vetë s’kemi besuar që një art kaq i ri në mesin e një vendi që nuk ka pasur asnjë lloj të artit, kemi pasur mëdyshje se si do të na presin. Por falë Nokshiqit që vumë në skenë vallëzim me motivacione kosovare atëherë filloi edhe publiku ta kuptojë se edhe pse është valle me një stil tjetër e ka njëfarë lloj shije”, tregon balerini Nikçi. Tutje kishin vazhduar me baletin “Sokoli dhe Mirusha” të Akil Kocit. Në shumë prej roleve të para të historisë së baletit kosovar, Nikçi kishte rolet kryesore. Në “Këngën e Rexhës” të Kocit kishte luajtur Rexhën, te “Kush e Solli Doruntinën” ka luajtur korbin, e shumë role të tjera. Por nga të gjitha rolet kryesore që ka luajtur e veçon atë të Halilit në vënien në skenë të baletit “Halili dhe Hajrija” të Panajot Kanaçit dhe asistim të Pëllumb Agalliut. Premiera e kësaj shfaqjeje qe dhënë më 9 tetor 1979 në Prishtinë. Rolin e Hajrijes do ta luante Nexhmije Selca.

Image
Elez Nikçi në shfaqjen “Motive kosovare”, Prishtinë, 1982

“Halili më ka lënë më së shumti mbresa, sepse ka domethënie shumë të madhe, është vepër e jona”, ka rrëfyer tutje ai.

Fundi i viteve ‘80 ishte fundi i vrullit të gjeneratës së tij në skenë baleti. Në kohën e okupimit serb balerinët u dëbuan nga Teatri. Këtë Nikçi e përshkruan si kapitull të dhimbshëm për baletin kosovar.

Trupa e Baletit ishte urdhëruar të përgatiste shfaqjen e re “Banoviq Strahinja”, rrëfimi për një trim serb që në poemat serbe kishte rënë duke luftuar për të mbrojtur popullin e tij në qershor të vitit 1389, kohë kjo që veçmas për historiografinë serbe njihet si datë e Betejës së Kosovës. Balerinët shqiptarë e kundërshtuan kategorikisht, gjë që pasoi me urdhrin për largimin e Trupës së Baletit nga Teatri.

Prej përjashtimit nga skena në truprojë të presidentit Ibrahim Rugova

“Shumë institucione në mënyrë parciale janë larguar nga puna, ndërsa baleti është institucioni i parë që u mbyll. Mua më qiti Zoti nga ajo kohë e në Presidencë”, rrëfen Nikçi. I mbetur pa punë, Nikçi nga skena kaloi në një detyrë tjetër – atë të truprojës. Ai u bë pjesë e trupës së sigurisë së presidentit të atëhershëm, Ibrahim Rugova.

Në mendje i ka mbetur një bisedë gjatë një konference në Kështjellën e Vjenës, ku takoheshin liderët e Ballkanit. Ish-kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë, Fatos Nano, e kishte kuptuar që Nikçi kishte qenë balerin dhe ia drejton një pyetje, përgjigjja e së cilës ende e bën të mburret balerinin e dikurshëm.

Image
“Këtë gjysmëshekulli do të duhej të festonim në shtëpinë tonë. Baleti ka mbetur akoma në salla ku mbahen fushata e fjalime politike”, kishte thënë Elez Nikçi në emër të gjeneratës së parë të balerinëve në Kosovë, në kremtimin e 50-vjetorit të themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës, më 9 tetor 2022, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë

“’Si nga balerin në truprojë?!’, më pyeti Nano. I thashë: ‘Shumë lehtë artisti shndërrohet në gjithçka e politikani s’bëhet kurrë artist”. Më tha: ‘Mirë ma ke thënë’”, kujton me buzëqeshje Nikçi. Të ushtruarit e profesionit të truprojës prapë nuk e mbante larg nga baleti. Pas luftës indirekt merrej edhe me balet, ku në krye me Ahmet Brahimajn e kishin për mision t’ia kthenin baletin skenës. Me shfaqjen “Fyelltari” ia dolën ta kthejnë edhe një herë publikun në ulëse për të parë shfaqje baleti. Balerinët veshën edhe një herë këpucët e baletit. Kjo ishte edhe shfaqja e fundit në skenë për Nikçin, i cili thotë se me përkushtim ende përcjell çdo shfaqje të gjeneratës së re – mësues i të cilëve ishte ai bashkë me balerinët Jonuz Beqiraj e Ahmet Brahimaj, kur kjo paralele u hap në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova”. Atij dëshira për të luajtur në skenë baleti nuk i është shuar kurrë. Në shfaqjen “Fyelltari” ndonëse mosha i kufizonte për të qenë të dikurshmit në skenë – dolën dhe një herë për të dëshmuar nevojën e vazhdimit të traditës së nisur për balet.

“Disa vjet ne kishim ngelur pa ushtrime dhe në shfaqjen e fundit më tepër ishim improvizues, mirëpo ai improvizim ishte i mirë”. Baleti “Nita” i papërfunduar i Rexho Mulliqit i kishte mbetur peng që ta luante. Dhe ky kishte qenë peng edhe i vetë Mulliqit.

“Edhe atij i ka mbetur zhig, sepse më thoshte: ‘Për ty e kam bërë këtë balet’”, ka theksuar Nikçi.

Brenga e përhershme – objekt e shkollë baleti

Balerini i gjeneratës së parë e përjetoi një grimë skenën edhe muajin e kaluar në ceremoninë me të cilën Baleti Kombëtar i Kosovës shënoi 50-vjetorin. Bashkë me disa prej kolegëve e kolegeve të gjeneratës iu bashkuan balerinëve të sotëm të BKK-së, tek luajtën një pjesë të shfaqjes ikonë “Halili dhe Hajrija”, në sallën “1 Tetori”. Qe Nikçi që mbajti edhe një fjalim në emër të së parës gjeneratë, asaj që vuri themelet e baletit në Kosovë. Do të thoshte se bëhet fjalë për një rrugë të gjatë e me shumë sfida. Do të kujtonte se e dinin se çfarë po bënin e po ashtu çfarë donin.

“Sot e themi me bindje se qëllimi ynë ishte artistik, por edhe shtetëror”, kishte thënë Nikçi në ceremoninë e 9 tetorit. Sipas Nikçit, në 50 vjet jetë secili prej gjeneratës së parë ka vendosur nga një tullë për të ndërtuar folenë e Baletit. Disa herë kishte përmendur faktin se institucioni ende nuk ka ndërtesë të veten.

“Një brengë e madhe që po na përcjell të gjithëve është objekti që nuk e kemi akoma. Këtë gjysmëshekulli do të duhej të festonim në shtëpinë tonë. Baleti ka mbetur akoma në salla ku mbahen fushata e fjalime politike. Kjo është brengë e imja, e brezit tim dhe e brezit të ri”, kishte thënë ai në ceremoninë e jubileut.

Po këtë e rithekson edhe në intervistë. Një skenë e shkollë të denjë për gjeneratën e re të balerinëve është dëshira më e madhe e balerinit në pension. E përsërit thirrjen që të ndërtohet shkolla e baletit pranë shkollës së muzikës. “Kjo do të ishte dëshira ime që të mos shkoj me këtë merak si miku im Ahmet Brahimaj”, shprehet në fund të intervistës balerini Nikçi.