Kulturë

Poetja Irma Kurti nderohet me çmim të parë në Itali

Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti nderohet me çmimin e parë në Edicionin e XXIII-të të Konkursit Ndërkombëtar të Poezisë: “Poseidonia- Paestum” në (Salerno) të Italisë, në seksionin e autorëve të huaj me librin “Senza patria”(Pa atdhe).

Juria e konkursit drejtohej nga gazetari dhe shkrimtari i njohur Ermanno Corsi si dhe personalitete të tjera të botës letrare italiane.

Ky çmim i cili i është ndarë Kurtit më 8 korrik e ka gëzuar edhe vetë poeten shqiptare, e cila përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, është shprehur krenare dhe e gëzuar që po ndanë me bashkëvendësit e saj këtë sukses, shkruan KultPlus.

“Jam krenare dhe e gëzuar të ndaj me ju suksesin tim më të ri: Çmimin e parë në seksionin e poetëve të huaj në Edicionin e XXIII të Konkursit Ndërkombëtar të Poezisë: “Posedonia-Paestum” për librin me poezi: “Senza patria”(Pa atdhe). Ceremonia e dorëzimit të çmimeve u zhvillua në datën 8 Korrik 2017, në Paestum(Salerno)”, shkruan Irma Kurti.

Irma Kurti ka nisur të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në publikun shqiptar ajo njihet si krijuese e talentuar dhe e suksesshme e teksteve të këngëve të muzikës së lehtë. Është pjesëmarrëse në dhjetëra anketa muzikore, festivale kombëtare në RTSH e në koncerte pranvere dhe plot krijime të saj janë nderuar me çmime.

Irma Kurti ka botuar 15 libra në gjuhën shqipe si dhe nëntë në gjuhën italiane. Librat e saj janë përkthyer në disa gjuhë të botës: në anglisht, frëngjisht, spanjisht dhe gjermanisht. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.