Kulturë

Historiani Daut Bislimi kujtohet si vizionar i zbardhjes së të vërtetës

Descriptive Text

Gati dy vjet pas vdekjes, Daut Bislimi është kujtuar në tryezën shkencore “Veprimtaria shkencore dhe intelektuale e prof. dr. Daut Bislimit”. Të premten ai është vlerësuar si individ i dalluar i institucionit e i shoqërisë e që për veprën e tij do të dëshmojnë edhe vetë titujt në raftet e bibliotekave

Tryeza shkencore prej rreth një orë e gjysmë ka sjellë pikëvështrime të ndryshme për jetën e veprën e studiuesit e profesorit Daut Bislimi. Kontributi i tij i shumanshëm shkencor në fushën e historisë është vlerësuar si referencë e trashëgimi e pasur për studiuesit e rinj. Përtej anës intelektuale, të premten në Institutin e Albanologjisë është kujtuar edhe në dimensionin prej njeriu dashamirës, solidar, korrekt, i sinqertë e i gatshëm për të ndihmuar. Bislimi vdiq më 25 nëntor 2020, në moshën 74-vjeçare.

Autori i shumë monografive, punimeve shkencore, recensioneve, dhjetëra kumtesave e mijëra publikimeve në gazetën shkencore të Institutit, “Gjurmime Albanologjike”, qe angazhuar profesionalisht e intelektualisht deri në fund të jetës, edhe pas pensionimit. Ka qenë këshilltar shkencor në Degën e Historisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Vetë trashëgimia e pasur që ka lënë pas është konsideruar si ngushëllimi më i madh. Kolegë, miq e familjarë kanë mbushur gjithë sallën e mbledhjeve në katin e dytë të Institutit. Kanë theksuar se Bislimi si individ i dalluar i institucionit e shoqërisë u mungon ambienteve të punës ku kishte kaluar rreth pesë dekada të jetës, por që, përveç në mendjet e zemrat e secilit, për prezencën e tij do të dëshmojnë edhe bibliotekat.

Gati dy vjet pas vdekjes Daut Bislimi është kujtuar në tryezën “Veprimtaria shkencore dhe intelektuale e prof. dr. Daut Bislimit”, e hapur me pikë muzikore nga Diar Aliu në kitarë, nxënës në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova”. Ka interpretuar suitën “Etude 11” të kompozitorit brazilian Heigor Villa Lobus.

Memli Krasniqi, udhëheqës i Degës së Historisë në Institutin Albanologjik, u ka paraprirë serisë së prezantimit të kumtesave kushtuar studiuesit të ndjerë. Është shprehur se merita kryesore e Bislimit qëndron në ndriçimin e paanshëm dhe të argumentuar të së kaluarës në kohën e ish-Jugosllavisë, gjë që kishte qenë mision i pamundur për studiuesit seriozë. Ka përmendur se në kuadër të ballafaqimit me problemet e Lëvizjes Antifashiste në Kosovë, profesor Bislimi kishte arritur të vendoste një vijë të qartë në dallimin mes dy rrymave të komunistëve shqiptarë. Sipas Krasniqit, kishte qenë ajo pro-jugosllave dhe ajo me orientim kombëtar. “...në tezën e tij të doktoratës, të titulluar: ‘Formacionet politiko-ushtarake në Kosovë 1941-1945,' arriti të çlirohej nga barrierat e njëanshme ideologjike të kohës dhe të përqendrohet në zbardhjen sa më afër të së vërtetës historike të proceseve e ngjarjeve nga Lufta e Dytë Botërore. Në këtë vepër shkencore të botuar nga Instituti Albanologjik, studiuesi Bislimi në qendër të trajtimit ka formacionet ushtarake në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare të rreshtuara në kuadër të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe njësive të Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare”, ka thënë ai.

Studiuesi Naser Ferri me kumtesën “Daut Bislimi – koleg, mik e bashkëpunëtor” ka vlerësuar se veprat e sjelljet e Bislimit kanë ngritur vetë monumentin e tij prej shkencëtari, aktivist i denjë e njeri me vlera të larta etike. “Miqësia jonë 40-vjeçare kishte më vete shumë momente të këndshme, por edhe momente të hidhura siç ishin: dëbimi i punonjësve të Institutit me dhunë, me maltretime të ndryshme, rrahje brutale e thyerje dhëmbësh nga ana e policisë e të paramilitarëve serbë më 8 mars 1994. Pastaj periudha disavjeçare e punës sonë në kushte tejet të vështira në shtëpinë e Musa Haxhiut në ‘Rrugën e Dubrovnikut’ në ‘Kodër të Diellit’, kthimi në ndërtesën e Institutit më 2 prill 1998 falë ndërmjetësimit të OJQ-së ‘San Egidio’ nga Roma dhe të priftit italian Vincenzo Paglia dhe dëbimi i dytë nga Instituti më 24 mars 1999, fill pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, kur edhe i patëm humbur kontaktet për disa muaj”, ka thënë Ferri.

Studiuesi Nebi Dervishi ka vlerësuar se Bislimi është vënë në ballë të proceseve të reja me shpresë se do të vijë dita kur shqiptarët duhet t’i fitojnë të drejtat e tyre të mohuara e të nëpërkëmbura nga regjimi komunist. “Kontributi i prof. dr. Daut Bislimit në ndriçimin e ngjarjeve në trevat lindore shqiptare” ka qenë tema e kumtesës së tij. Ka adresuar disa fjalë edhe në emër të mësimdhënësve dhe studentëve në Universitetin e Tetovës.

Botimi i fundit i studiuesit Bislimi – “Formacionet politiko-ushtarake në Kosovë 1941-1945” – është konsideruar kryevepër nga bashkëpunëtorët e tij. Ishte angazhuar deri në ditët e fundit të jetës për të. Realizimin e këtij libri nuk kishte pasur mundësi ta shihte.

Studiuesi Jahja Drançolli ka prezantuar të premten temën “Historiani prof. dr. Daut Bislimi spikat karakterin kombëtar të studimeve”. Drançolli ka vlerësuar se Bislimi ka arritur të rishikojë veprimtarinë e Partisë Komuniste, veçanërisht në rolin që ka luajtur lidhur me çështjen e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi.

“Konstatohet se politika antishqiptare Luftës së Dytë Botërore është përcjellë me sukses nëpërmjet ideologjisë komuniste nga rryma e komunistëve shqiptarë, si dhe nga udhëheqja e PKSh-së, e cila po zbatonte këtë politikë në emër të internacionalizmit proletar. Konstatohet se do përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e kësaj politike nga ndonjë anëtar i Kryesisë së PKSh-së ishte tashmë e dënuar të dështonte dhe nismëtarët e saj vuajnë në forma të ndryshme, edhe me jetën e tyre”, ka thënë Drançolli, derisa krijimtarinë e Bislimit e ka vlerësuar si mozaik të madh të historisë kombëtare.

Studiuesi Nuridin Ahmeti ka thënë se janë gjithsej 2 543 njësi bibliografike të Bislimit, të botuara në hapësirën për fushën e shkencave historike në revistën shkencore “Gjurmime Albanologjike”.

“Në qoftë se në Tiranë studiuesit Zef Jubani, Faik Drini dhe Gazmend Shpuza, në vitet ‘70 dhe ‘80 publikuan bibliografinë nga fusha e historisë duke i ndarë periudhat historike të arkeologjisë e historisë së lashtë, Shqipërisë dhe Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të cilët mbajnë epitetin e bibliografëve të parë nga fusha e historisë, pas Luftës së Dytë Botërore në Republikën e Shqipërisë, Daut Bislimi në Prishtinë i vetëm hartoi bibliografinë nga fusha e historisë në Kosovë”, ka vlerësuar Ahmeti para të pranishmëve nga prezantimi me temën “prof. dr. Daut Bislimi si hartues i bilbiografisë”.

Daut Bislimi u lind më 10 tetor 1945 në Verban të Vitisë, ku edhe e kreu shkollimin fillor, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Beograd. Më 1971 filloi punën në Institutin Albanologjik si bibliotekar. Në vitin 1978 kreu studimet në Degën e Historisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe magjistroi më 1982 me temën “Zhvillimi i historiografisë së Kosovës”, ndërsa doktoroi më 1996 me temën “Formacionet politiko-ushtarake në Kosovë 1941-1945”. Prej vitit 1988, kur u zgjodh hulumtues i pavarur, u bë pjesë e stafit shkencor të Institutit Albanologjik. Gjatë punës së tij kërkimore-hulumtuese në kuadër të Degës së Historisë i mori të gjithë titujt shkencorë, ndërsa edhe pas pensionimit, më 2010, e deri pak ditë para vdekjes i vijoi punën dhe projektet shkencore që përfshinin historinë e re të shqiptarëve, duke qenë njëri ndër bashkëpunëtorët më të rregullt të Institutit Albanologjik, qoftë si pjesëmarrës në aktivitete shkencore, qoftë si recensent a mentor i kolegëve të rinj.

Studiuesi Qerim Lita ka thënë se Bislimi ka qenë meritor edhe për arritjet e tij shkencore në fushën e historisë dhe jo vetëm. Prezantimi nga kumtesa “Si u njoha me prof.dr. Daut Bislimin” e vlerëson si vizionar, i cili vazhdimisht frymëzonte që ai të jetë këmbëngulës dhe i paluhatshëm në zbardhjen e së vërtetës.

“Ndihmesa e prof. dr. Daut Bislimit në revistën ‘Gjurmime Albanologjike’, seria e shkencave historike”, ka qenë tema e prezantimit të studiuesit Alban Dobruna, ku figura e historianit Daut Bislimi paraqitet me qëllimin për t’i shërbyer vetëm të vërtetës shkencore.

Miku i studiuesit të ndjerë, akademik Mehmet Halimi, në fjalën e mbajtur para të pranishmëve ka thënë se ikja e Bislimit ka lënë zbrazëti shpirtërore e fizike jo vetëm për familjarët, por edhe për shoqërinë e shkencën. “Pikëllueshëm ka jehuar ndarja fizike e profesor Dautit, historianit tonë të çmuar, bibliografit të shquar, atdhedashësit të flaktë të historisë e të kulturës kombëtare, studiuesit të drejtpërdrejtë të bibliografisë kombëtare ndërmjet dy luftërave botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Halimi.

Isuf Mavraj, kryetar i shoqatës së historianëve “Ali Hadri” në Istog, ka ndarë mirënjohje për familjen Bislimi në emër të kësaj shoqate.

“Para dy vjetëve ishte kohë shumë e vështirë, kohë pandemie, e cila mori jetët e shumë njerëzve, ashtu edhe të prindit tonë, të cilin do ta kujtojmë për të gjitha sakrificat. Ne do të jemi gjithmonë krenarë me të, por do të jemi krenarë po ashtu edhe me ju pasi dëshmuat në kohët më të vështira se ishit rezistenca intelektuale e kombit”, është shprehur krejt në fund përmes një fjale përshëndetëse Yll Bislimi, djali i studiuesit të ndjerë.