Kulturë

“Hapësirat e përbashkëta” si vend i komunikimit ndëretnik

“Hapësirat e përbashkëta” titullohet projekt i ri i “Autostrada Biennale” që ka për qëllim të shërbejë si vendtakim për të rinjtë dhe komunitetet e ndryshme, ku do të kenë mundësinë të kultivojnë komunikimin ndëretnik mbi çështjet sociale, kulturore, ekonomike ose mjedisore në nivel lokal.

Sipas njoftimit të “Austrada Biennale”, ky projekt mbështetet nga Ambasada e ShBA-së në Prishtinë në kuadër të projektit “Komisioni për Demokraci” dhe bashkëfinancohet nga Komuna e Prizrenit.

Marrëveshja është nënshkruar midis kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj, Kelsey de Rinaldis, ushtruese e detyrës së zyrtares për marrëdhënie me publikun nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe Leutrim Fishekqiut, bashkëthemelues i “Autostrada Biennale”.

“Si vazhdimësi e programit të edukimit dhe prodhimit të Autostrada Hangar në ITP Prizren, ne do ta zhvillojmë projektin e quajtur ‘Hapësirat e Përbashkëta’, i cili do të shërbejë si vendtakim për të rinjtë dhe komunitetet e ndryshme, ku do të kenë mundësinë të kultivojnë komunikimin ndëretnik mbi çështjet sociale, kulturore, ekonomike ose mjedisore në nivel lokal”, shkruhet në njoftim.

Sipas njoftimit, përmes edukimit, trajnimit dhe prodhimit të hapur drejt ekspozimit, synimi është të zhvillojnë modele të reja të prodhimit kulturor që fuqizojnë sektorin krijues si një motor për zhvillim të qëndrueshëm.

“Të rinjtë do të bëhen pjesë e dizajnimit dhe krijimit të hapësirave të përbashkëta, në këtë mënyrë ata do të bëhen pjesë e zhvillimit për të sjellë diskutime dhe ndryshime pozitive. Ky program i edukimit do të jetë një mundësi unike për të rinjtë që t’i shprehin dhe realizojnë idetë e tyre”, shkruhet në njoftim. Sipas shpjegimeve, hapësira me dy studiot e saj, punëtorinë e dizajnit industrial dhe laboratorin teknologjik, përmes programit të saj të edukimit do të angazhojë ekspertë në fushat e tyre dhe do të ketë një ndikim afatgjatë tek të rinjtë për profesionet e së ardhmes në lidhje me artin, teknologjinë dhe inovacionin.