Punimet në restaurimin e Kalasë së Prizrenit janë në fazën përfundimtare.
Ambasadori amerikan, Greg Delawie, i cili ka inspektuar punimet, ka thënë se Kalaja është pikë turistike shumë e vlefshme, jo vetëm për Prizrenin, por për gjithë Kosovën.
Zyrtarë nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, si dhe nga organizata “Trashëgimia Kulturore Pa Kufij”, ia kanë prezantuar ambasadorit Delawie punimet që janë bërë në Kalanë e Prizrenit, ku Ambasada Amerikane ka investuar rreth 700 mijë dollarë.
Delawie ka thënë se Kalaja e Prizrenit është një prej vendeve më të mahnitshme në Kosovë dhe se shpreson që pas këtyre investimeve, ajo do të mund të bëhet e qasshme nga vizitorët për shumë vite në të ardhmen.
Ndërkohë, nga Instituti Arkeologjik i Kosovës kanë thënë se ky projekt pritet të përfundojë në fund të këtij viti.
Shafi Gashi nga ky Institut, ka thënë se investime do të ketë edhe për dy vitet e ardhshme.
Në investimet që po bëhen në Kalanë e Prizrenit, pos Ambasadës së ShBA-së, rreth 400 mijë euro ka investuar edhe Ministria e Kulturës.
-
27 korrik 2017 19:19
-
Shpërndaje në: