Kulturë

Kori në gjurmim kulturash e traditash deri te rrëfimi muzikor arbëresh

Descriptive Text

Tashmë nuk është befasi as për publikun që Filharmonia e Kosovës qoftë me Kor a Orkestër përherë të sjellë risi në koncerte. I tillë ka qenë edhe koncerti koral me dirigjentët Mary Konstantinidou nga Greqia dhe Hajrullah Syla nga Kosova. Nëpërmjet veprave ka përcjellë mesazhe të fuqishme, gjurmim kulturash e traditash. Kapitull më vete ka qenë “Kurorë glëmbash”, kompozuar nga Rafet Rudi, një vepër që për zanafillë ka këndimet tradicionale liturgjike arbëreshe

E kaltër ka qenë ngjyra e cila ka dominuar skenën nëpërmjet ndriçimit, por shumëngjyrësh ka qenë repertori i veprave në koncertin e Korit të Filharmonisë së Kosovës, në kishën “Shën Ndou” në Prishtinë.

Nën drejtimin e dirigjentes Mary Konstantinidou nga Greqia dhe Hajrullah Sylës nga Kosova, koncerti koral ka gërshetuar vepra stilesh e kohësh të ndryshme, muzikantësh anglezë, amerikanë, norvegjezë, grekë e atij shqiptar Vasil Tole. Veçanti ka qenë interpretimi i “Kurorë glëmbash”, kompozuar nga Rafet Rudi.

e pianos janë dëgjuar gjysmë ore para kohës së paraparë për nisjen e koncertit, derisa Andi Duraku ka filluar ngrohjen për koncertin e së shtunës mbrëma, i dyti koncert i Filharmonisë brenda muajit, pesë ditë pas atij të Orkestrës dhe Korit dhe Orkestrës në përmbyllje të “Ditëve të Nënë Terezës”, dhe një javë para koncertit me të cilin do të hapet sezoni 2022/2023, me koncertin në Prizren, që do të mirëpresë Robert Bishën me premierën e tij botërore.

Në sekondat e para të orës njëzet, në skenë ka dalë grupi i burrave e më pas edhe gratë. Janë përcjellë me duartrokitjet e publikut derisa janë renditur në hark. Atyre u është bashkuar edhe dirigjentja greke Mary Konstantinidou. Koncertin e kanë hapur me interpretimin e “Peace I Leave With You” të kompozitorit norvegjez Knut Nystedt.

Image
“Kemi gjetur gjuhë të përbashkët dhe jam ndier shumë mirë derisa kemi punuar së bashku. Energjia, koncentrimi, të bërit muzikë të mirë, të gjitha këto janë kriteret kryesore për të bërë diçka për t’i bërë njerëzit të lumtur”, ka thënë dirigjentja Mary Konstantinidou

Krah dirigjentes Konstantinidou, koncertin e ka drejtuar edhe Hajrullah Syla. Para 50 anëtarëve të Korit është pozicionuar dirigjenti kosovar i cili i ka drejtuar ata në interpretim të veprës “Broj, broj, broj” të kompozitorit shqiptar Vasil Tole. Pas dy interpretimeve më të lehta në hapje të koncertit, “Numerations” e lituanit Jonas Tamulionis ka qenë tejet dinamike. Veçantia e kësaj vepre është se ritmi dhe teksti, ashtu siç bëhet e ditur që në titull, ngjan në numërime. Kur interpretimi duket se sapo ka përfunduar dhe frekuencat e zërit janë në pikën më të ulët, gradualisht rritet deri në pikën më të lartë e më pas ndërpritet. Këtë interpretim nga Kori dhe atë të “You Raise Me Up” të kompozuar nga norvegjezi Rolf Lovlamd e ka drejtuar dirigjentja Konstantinidou.

Një kapitull i ri i koncertit ka qenë kur në skenë kanë dalë Zana Abazi-Ramadani në flaut dhe Andi Duraku në piano. Së bashku kanë interpretuar “Kurorë glëmbash” për soprano, kor, flaut dhe piano të kompozitorit të shquar nga Kosova, Rafet Rudi. Kjo vepër vokaliste e shoqëruar me instrumental ka qenë veçantia e koncertit të së shtunës. Është cikli i gjashtë dhe i fundit i tërësisë së veprave “Afresk arbëresh” të kompozitorit Rudi. Siç kishte shpjeguar vetë autori, teksti ka simbolikën e një relikti arbëresh dhe është ndeshje e çastit me një botë, fatkeqësisht, të zhdukur.

Pikënisja për kompozimin e këtij cikli kishte qenë e rastësishme.

“Ndeshja ime e parë me një libër të këndimeve kishtare arbëreshe të jugut të Italisë, i titulluar ‘Këndimet tradicionale liturgjike arbëreshe’, për mua ka qenë ndeshje e parë e imja me një botë fascionante tingullore”, kishte thënë Rudi për këtë cikël. “Sidomos tërheqëse më janë dukur modet që përdoren në këtë këndim. Për më tepër, segmentet e caktuara në strukturën melodike më janë dukur analoge me disa këngë shqipe… të gjitha këto i kam formësuar në një cikël, të cilin e quajta “Afresk arbëresh”, thuhet në tekstin informues për veprën. “Kurorë glëmbash” është kompozuar në vitin 2014. Asaj i paraprijnë “Kambanat arbëreshe” për piano, “O zembra ime, ku vate” për tenor solo dhe kor të përzier dhe “Malli i udhëtarit të humbur” për kor të përzier për solist, dy piano narratorë dhe shirit magnetik, të tria të kompozuara më 1993; “Laudatio Funebris” për soprano solo dhe orkestër harqesh më 2006 dhe “Concerto-Fantasy” e vitit 2012 për violinë solo dhe kor të përzier.

Image
“Koncerti u prit mjaft mirë nga publiku, të gjitha pjesët kishin secila bukurinë e vet dhe sigurisht se jemi mjaft të kënaqur me rezultatin që e kemi arritur deri tash...”, ka thënë dirigjenti Hajrullah Syla

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se koncerti ka qenë gërshetim interesant, në veçanti vepra e dirigjentit Rudi.

“Ka qenë një program mjaft i larmishëm, secila vepër ka pasur specifikat e veta. Vlen të theksohet vepra e profesor Rafet Rudit ‘Kurorë glëmbash’ e cila ishte një vepër tejet origjinale me solist, flaut, piano, pra një vepër vokalo-instrumentale shumë e ndjeshme me peshë të madhe artistike dhe ishte premierë për Korin që u dha. Është interpretuar edhe më parë, por sonte ishte e përpunuar në mënyrë më profesionale”, ka thënë Jashari.

Shoqëruar në piano prej Andi Durakut, Kori ka interpretuar “Magnificat Anima Mea” të kompozitorit anglez John Rutter. Ka qenë interpretim më emocional që në njëfarë forme ka futur edhe publikun në përjetim të saj. Fjala latine "magnificat" është përmendur dhjetëra herë e me të edhe është mbyllur interpretimi. Në drejtim të Korit ka qenë sërish Konstantinidou, e cila ka dirigjuar me Filharmoninë edhe në marsin e sivjetmë. Ftesa e dytë për të ka qenë e natyrshme.

“Më mars të këtij viti ka qenë dhe ka lënë shumë përshtypje para Korit tonë me punën e saj, profesionalizmin e saj, përzgjedhjen e programit, përmbajtjes. Andaj e kemi parë të arsyeshme ta ftojmë sërish, në kombinim edhe me dirigjentin Syla, i cili është asistent dirigjent në Korin e Filharmonisë së Kosovës dhe ka bërë një punë të madhe që ta përgatisë programin”, ka thënë ai.

Image
Një kapitull më vete i koncertit ka qenë kur në skenë kanë dalë Zana Abazi-Ramadani në flaut dhe Andi Duraku në piano. Së bashku kanë interpretuar “Kurorë glëmbash” për soprano, kor, flaut dhe piano të kompozitorit të shquar nga Kosova, Rafet Rudi

Vetë dirigjentja Mary Konstantinidou është shprehur e kënaqur dhe e familjarizuar me Korin.

“Kemi gjetur gjuhë të përbashkët dhe jam ndier shumë mirë derisa kemi punuar së bashku. Energjia, koncentrimi, të bërit muzikë të mirë, të gjitha këto janë kriteret kryesore për të bërë diçka për t’i bërë njerëzit të lumtur”, ka thënë Konstantinidou e lindur në Selanik, e diplomuar në Shkollën Shtetërore të Muzikës në Selanik në drejtimet piano dhe dirigjim koral. Studimet i kishte vazhduar më pas edhe në Hungari, Greqi dhe në Mbretëri të Bashkuar. Bashkëpunimet me operat, festivalet e teatrot vendore janë të shumta derisa ndër vite është paraqitur edhe në koncerte kamertale në SHBA dhe në Kanada. Si dirigjente ka shkelur skenat në shumë shtete evropiane, ndërsa aktualisht drejton Korin e Selanikut që nga themelimi. Më parë ka drejtuar edhe koret “Thermaikos”, “North College”, “Anatolia Alumni”, Shkollën Shtetërore të Muzikës në Selanik dhe Akademinë Verore të Pragës.

Dirigjenti Hajrullah Syla e ka vlerësuar koncertin si të suksesshëm dhe që ka shkuar gjithçka sipas asaj që ishte paraparë.

“Koncerti u prit mjaft mirë nga publiku, të gjitha pjesët kishin secila bukurinë e vet dhe sigurisht se jemi mjaft të kënaqur me rezultatin që e kemi arritur deri tash. Të gjitha veprat që i kemi dëgjuar i kanë specifikat e veta, kështu që në të gjitha jam ndier shumë mirë dhe gjithçka shkoi ashtu siç jemi përgatitur”, ka thënë Syla, një prej emrave të përveçëm të gjeneratës së tij në muzikë.

Para publikut ka dalë edhe Astrit Stafaj me instrumentin e buzukut dhe Patris Berisha në perkusione në interpretim të suitës “Zorba” të kompozitorit të mirënjohur grek Mikis Theodorakis, përderisa Andi Duraku ka qenë “konstantja” në piano. Bashkë kanë qëmtuar traditën e muzikës greke. Vetë buzuku është simbolikë e këtyre tingujve.

Image
Sopranoja Adelina Paloja i është bashkuar Korit e me tinguj të tupanit dhe dhjetëra zërave nga Kori i Filharmonisë së Kosovës kanë interpretuar “We Can Mend The Sky” të Jake Runestad

Sopranoja Adelina Paloja i është bashkuar Korit e me tinguj të tupanit dhe dhjetëra zërave nga Kori i Filharmonisë së Kosovës kanë interpretuar “We Can Mend The Sky” e kompozuar nga amerikani Jake Runestad. Zëri i fuqishëm i Palojës ka pasur në sfond Korin. Me këtë interpretim është mbyllur koncerti.

Për solisten Paloja, energjia që ka marrë nga publiku thotë të ketë qenë e jashtëzakonshme e vetë vepra një përjetim i rrallë me tekst të jashtëzakonshëm që flet për gjithë atë që kalohet nëpër botë.

“Ka qenë një satisfaksion i jashtëzakonshëm që pikërisht vepra në të cilën isha soliste ‘We Can Mend The Sky’, që ishte vepra përmbyllëse e vetë koncertit që në fakt e pati hapjen e këtij sezoni që do të jetë maratonik për Filharmoninë e Kosovës me koncerte të shumta”, ka thënë ajo.

Përfundimi i partiturës së fundit është përcjellë me shumë duartrokitje e publiku është falënderuar me risjelljen e një pjese të “Zorbës”.