Kulturë

Letërsia e diasporës e etiketuar dhe në disavantazh

“Dokumentimi i kulturës së emigracionit” është tema qendrore e edicionit të 19-të të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”. Gjatë katër ditëve prej kur ka nisur ky edicion, të gjitha sesionet i janë kushtuar këtij grupimi qoftë duke u marrë me shkollat shqipe, të cilat veprojnë në shtetet ku jetojnë ata, apo me figura të rëndësishme të kulturës shqiptare. Ajo që ka rënë në sy gjatë katër ditëve të “Javës...” është edhe prania e shumë figurave të shquara të diasporës shqiptare, e cila ka dëshmuar edhe një herë gatishmërinë e madhe për të qenë e pranishme sa herë që i kërkohet. Shumë prej tyre nuk u mjaftuan që të jenë pjesë e sesioneve nëpërmjet lidhjeve direkte, por erdhën këtu. “Konceptimi i trashëgimisë së emigracionit: si është krijuar dhe transmetuar trashëgimia e emigracionit”, ka qenë tema e sesionit të enjten.

Nga Suedia për të folur për çështjen e emigracionit dhe imigracionit, në Kosovë ka ardhur Entela Tabaku-Sörman, poete, studiuese dhe ligjëruese e shqipes në Universitetin e Uppsalës në Suedi.

Në studimin e titulluar, “Një kulturë me dy emërtime: emigracion dhe imigracion”, Tabaku-Sörman ka theksuar se pozicioni i shteti amë ndryshon varësisht nga interesi që ai ka kundrejt kësaj diaspore. Shpjegimin e ka nisur me pozicionin e dëshmitarit dhe atë të dokumentuesit.

“Kur kemi të bëjmë me kulturën e emigracionit nga këndvështrimi i trojeve amë është se pozicioni i trojeve ndryshon nga interesi që trojet kanë. Pozicionimi më i zakonshëm është ai i dëshmitarit. Unë e shoh se ti je emigrante dhe e di se ti po merresh me këtë aktivitet kulturor. Në rastin tonë kemi edhe rastin e dokumentimit. P.sh. kjo që ne po bëjmë sot këtu. E shoh kulturën, por edhe e dokumentoj, në mënyrë që edhe brezat e ardhshëm të shohim se çfarë kanë bërë”, ka shpjeguar ajo.

Ka përmendur edhe dy pozicione të tjera ekstreme në raport me emigracionin.

“Kemi edhe pozicionin e glorifikuesit se gjithçka që bën emigracioni për shembull në Suedi është diçka madhështore ose gjithçka që ka bërë emigracioni është diçka e madhe dhe e jashtëzakonshme. Kjo gjë mund të shkojë në ekstremin tjetër që është ridikulizimi, përqeshja”, ka thënë ajo.

Nisur nga përvoja e saj si njohëse e letërsisë, por edhe si shkrimtare e cila i ka jetuar problemet që krijohen kur në vendin ku ke migruar vazhdon të shkruash në gjuhën amtare, Tabaku-Sörman ka thënë letërsia e emigracionit është letërsi e etiketuar.

“Kur flasim për letërsi të emigracionit gjithmonë kemi të bëjmë me një fushë me mina dhe kemi hyrë në një letërsi, e cila është e etiketuar. Domethënë është letërsi që nuk është e mirëqenë, por ka nevojë për një bisht mbrapa. Në botë sot, kur diskutohet për letërsinë e emigracionit, ka shumë studime teorike që shkojnë nga një ekstrem në tjetrin dhe sillen midis asaj pse unë jam emigrante kjo nuk do të thotë se letërsia ime është e shënjuar; a ka letërsi emigrantësh apo jo, e të tjera”, ka thënë ajo, teksa ka ngritur edhe shumë pikëpyetje rreth kësaj çështjeje.

Sipas saj, për shkak të largësisë fizike, letërsia e emigracionit mbetet në disavantazh qoftë në raport me letërsinë e vendit prej nga vjen, qoftë me atë të vendit ku jeton.

“Letërsia e emigracionit është gjithmonë në disavantazh. Për shembull, nëse flasim për zhvillimet e emigracionit në Suedi është një letërsi që e ka gjithmonë të vështirë të hyjë për arsye praktike, sepse është larg. Ajo e ka të vështirë të hyjë në letërsinë shqiptare që shkruhet shqip, por në të njëjtën kohë ne nuk jemi as autorë që shkruajmë suedisht. Është në disavantazh, sepse nuk arrin ta gjejë hullinë e vet”, ka thënë ajo para të pranishmëve.

Profesoresha në Fakultetin e Filologjisë “Fehmi Agani” në Gjakovë, Mimoza Hasani-Pllana, fokusin e saj e ka drejtuar nga poezia e emigracionit. Sipas saj, poetët e sotëm kosovarë të diasporës, ngjashëm me ata të periudhave më të hershme, janë duke e vazhduar traditën e shkrimit të shqipes dhe sjelljes së veprave të rëndësishme për gjuhën dhe kulturën shqipe.

“Poezia e emigracionit e publikuar në dekadën përmbyllëse të shekullit është vazhdimësi e traditës së shkrimit të letërsisë shqipe në diasporë. Poetët e rinj kosovarë patën thuajse të njëjtin fat me shkrimtarët pararendës që me veprat e shkruara në diasporë lanë gjurmë në letërsinë shqipe në vendin e origjinës”, ka thënë Hasani – Pllana.

Por ajo që ka ndryshuar gjatë shekujve të fundit, sipas saj, janë qendrat ku është zhvilluar kjo letërsi. Derisa në shekullin XIX qendrat më produktive përfshinin kryesisht vendet e rajonit, në shekullin XX këto qendra gjenden më shumë në vendet e Evropës Perëndimore.

“Nëse kërkojmë gjurmët e letërsisë shqipe në kontinentin evropian, në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe thuajse deri në fund të shek. XX, qendrat më produktive dalin të jenë Rumania, Italia, Bullgaria dhe Greqia. Ndërsa në pjesën e fundit të shekullit XX, në veçanti në dekadën e fundit, ndryshon edhe destinacioni i emigracionit shqiptar, në veçanti atij kosovar. Qendrat më produktive letrare të fundshekullit XX ishin Austria, Gjermania, Suedia dhe Zvicra”, ka shpjeguar Hasani-Pllana.

Megjithatë, pavarësisht kontributit të tyre, sipas Hasani-Pllanës, vepra poetike shqipe e shkruar në emigracion nuk është e njohur mjaftueshëm në Kosovë dhe nuk është aq e përfshirë në studime akademike.

Për poezinë e emigracionit ka referuar edhe Merita Bajraktari-Januzi, doktorante e shkencave filologjike, por, ndryshe nga pararendësja, ajo u fokusua te një shkrimtar, te poezia e njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës sonë, Shaip Beqiri, i cili jeton në Zvicër.

Sipas saj, Shaip Beqiri qëndron në mesin e autorëve më të mëdhenj të poezisë moderne në Kosovë, e cila karakterizohet nga një gjuhë e lartë poetike, estetike e stilistike.

“Brenda orientimit stilistik kah hermetizmi, brenda poezisë puro artistike, poezisë së pastër, poezisё sё lartё, qëndron edhe ky poet, përkrah brezit tё poetëve eminentë tё poezisë moderne nё Kosovё qё i dhanë shkëlqim artit poetik me mjeshtëri të gjuhës së lartë estetike, stilistike”, ka thënë ajo.

“Botimi i dorëshkrimit origjinal bazë për studim të thelluar” ka qenë tema në të cilën ka referuar Labinot Berisha, profesor në Fakultetin e Filologjisë “Fehmi Agani” në Gjakovë. Sipas tij, transkriptimi dhe transliterimi i veprave dhe dokumenteve të hershme është bërë në mënyra të ndryshme, meqenëse ato u kanë takuar kohërave të ndryshme.

“Fakti se dorëshkrimet dhe veprat letrare të së kaluarës kanë qenë të natyrave e të kohëve të ndryshme, natyrisht dhe qasjet e përgatitja e tyre për botim, pra transliterimi dhe transkriptimi – transkribimi (tejshkrimi) i tyre, janë bërë në mënyra të ndryshme. Kjo ka ndodhur në traditën letrare të popujve të ndryshëm e kjo ka ndodhur edhe në traditën tonë letrare”, ka thënë ai në sesionin e ditës së katërt të “Javës...”

Lidhur me këtë çështje ai ka marrë shembull veprën e Lekë Matrëngës “E mbsuame e krështerë” e përgatitur nga profesori arbëresh Matteo Mandala, duke e karakterizuar atë si një model të reproduktimit të dorëshkrimeve.

Në këtë sesion një kumtesë u lexua edhe nga Saranda Buzhala, asistente në Fakultetin e Filologjisë “Fehmi Agani” në Gjakovë. Meqenëse punimi i saj me titull “Fan Noli, mes Shqipërisë dhe Amerikës” ishte shumë i gjatë, Buzhala u fokusua vetëm në disa nga pikat kryesorë të tij.

Ndër të tjera ajo ka theksuar mitizimin e figurës së Fan Nolit, të cilit ajo tha se ia kishte hapur vetë dyert.

Në ditën e katërt të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”, në Bibliotekën Publike në Mitrovicë është hapur edhe një ekspozitë e librit nga Iniciativa e të Rinjve të Mitrovicës në pasurimin e bibliotekës 2021- 2022.