Kulturë

Krijimtaria në diasporë – e shkëputur nga shqipja, por jo nga identiteti

Edhe nëse ajo nuk shkruhet në shqip, literatura në diasporë nuk shkëputet nga identiteti e temën e gjen tek atdheu, në hapësirat shqiptare. Ky ka qenë njëri prej konstatimeve në sesionin – “Literatura dhe Jeta e/për Diasporë”, në ditën e dytë të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”. “Identiteti nuk humb nëse unë tash e dyzet vjet shkruaj frëngjisht, spanjisht apo anglisht”, ka thënë Gani Jakupi, autor romanesh grafike, muzikant

“Literatura dhe Jeta e/për Diasporë” ka qenë tema e njërit prej tre sesioneve të ditës së dytë të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”, organizim tradicional që sivjet, në edicionin e 19-të, vjen me temën qendrore “Dokumentimi i kulturës së emigracionit”. Studiues të kësaj fushe, por edhe krijues në emigracion, në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës kanë sjellë gjetje e përvoja të ndryshme për krijimtarinë në emigracion.

Christian Voss, drejtues i Departamentit për Studimet e Sllavëve të Jugut, në Institutin për Studimet Sllave dhe Hungareze në Universitetin Humboldt në Berlin, në kumtesën e tij “Transnational literature from Kosovo and the Balkans”, (“Letërsia ndërkombëtare nga Kosova dhe Ballkani”), ka folur për letërsinë shqipe të diasporës, si dhe për faktin se sa letërsia shqipe është e pranuar në Gjermani. Sipas tij, letërsia e Shqipërisë ishte e njohur nga një grup i vogël në Gjermaninë Lindore, por kjo njohje vinte nga pjesëtarë të Partisë Komuniste, të cilët Shqipërinë e shihnin si një “parajsë komuniste”.

“Në botën perëndime interesimi për letërsinë shqipe ka qenë i vogël. Në Gjermaninë Perëndimore ishte vetëm një grup i vogël i Partisë komuniste të Gjermanisë Perëndimore, i cili interesohej për këtë letërsi. Këto grupe shihnin vetëm një gjë në Shqipëri: një parajsë komuniste – në krahasim me ‘deviatorët dhe revizionistët’ e Bllokut të mbetur Lindor”, ka thënë ai.

Kur bëhet fjalë për letërsinë, e cila po shkruhet nga diaspora kosovare, Voss ka vërejtur disa ngjashmëri tematike, të cilat janë karakteristike për letërsinë e këtij grupimi.

“Letërsia e re ka sfida dhe përparësi të reja. Te shumica e shkrimtarëve të rinj vërehet figura e rikthimit dhe paraqitja e shoqërisë si një antihero. Kështu ai ose ajo zakonisht dështon të ambientohet në vendin e Perëndimit ku është vendosur dhe përjeton racizëm dhe indiferencë sociale”, ka thënë Voss.

Sipas Christian Voss, shumë prej këtyre shkrimtarëve kanë ndaluar së shkruari në gjuhët e tyre amtare dhe kështu në tekstet e tyre krijohet një lloj multilingualizmi ku miksohen shprehje nga gjuha amtare dhe ajo e vendit ku jetojnë.

Lidhur me këtë çështje Voss ka marrë si shembull romanet e shkrimtarit kosovar Pajtim Statovci, i cili ka migruar në Finlandë që në moshën dyvjeçare dhe që shkruan finlandisht.

“Romani i tij i parë është ‘My cat Yugosllavia’. Në të flitet për një familje kosovare e cila migron në Finlandë, por nuk arrin të integrohet në shoqëri dhe kështu rikthehet në Kosovë. Ajo që është tipike në këtë roman është riprodhimi ironik i kuptimit të thelbit të viktimizimit i të grupeve shqiptare”, ka theksuar Voss.

Se tema e romaneve të Statovcit është e ngjashme me ato të cilat krijohen nga diaspora kosovare në përgjithësi, e dëshmon dhe romani i tij i fundit, “Bolla”.

“Novela e tij e fundit ‘Bolla’ flet për një histori dashurie midis dy djemve të rinj, një kosovari dhe një serbi. Një ngjarje tipike e rikthimit në vendlindje. Ai është larguar nga Kosova, ka shkuar në një vend tjetër në Perëndim, është rikthyer në vendin e lindjes dhe i ritakon miqtë e tij të dikurshëm. Në fund ai gjen ditarin e mikut të tij dhe pasi e lexon e kupton se ai ka qenë një kriminel lufte, i cili ka marrë pjesë në masakrat e tmerrshme të civilëve kosovarë”, ka shpjeguar në pika të shkurtra përmbajtjen e kësaj vepre, teksa ka përmendur edhe romanin tjetër të Statovcit në të cilin ai bën një dekonstruktim të identitetit nacional dhe gjinor. Në “Crossing” personazhi kryesor është queer. “Aty tregohet për identitetet e ndryshme transseksuale të këtij personi që portretizon një grua apo mashkullin dhe identitete të ndryshme. Pra, Statovci është duke e dekonstruktuar nacionalizmin, identitetin nacional dhe identitetin gjinor”, ka thënë Voss.

“Krijimtaria në mërgim: mallkim apo bekim” ka qenë tema e ligjëratës së Gani Jakupit, artist i romaneve grafike, publicist, jazz-muzikant, i cili u paraqit nga Spanja ku vepron kaherë. Ka kujtuar se ikja e tij nga Kosova nuk ishte as si pasojë e ndonjë represioni apo ndonjë çështjeje tjetër politike, por e kishte lënë Kosovën për të eksploruar botën e jashtme dhe për shkak të mundësive të cilat i ofronte ajo.

Megjithatë, sipas tij, duke qenë se këta njerëz jetojnë në një vende ku nuk flitet gjuha amtare, ata krijojnë forma të reja të ndërtimit të fjalive jotipike për gjuhën e vendit ku jetojnë.

“Unë e kam vërejtur që konstruktet e fjalëve i kemi ndryshe dhe mund të luash me to në gjuhën mikpritëse. Një gjë që e kam vërejtur është që djali im është rritur në gjuhën spanjolle dhe shpeshherë krijon konstruksione gjuhësore, të cilat nuk janë tipike për gjuhën spanjolle”, ka shpjeguar ai përvojën e tij.

Megjithatë Jakupi ka thënë se pavarësisht se ata nuk jetojnë më në vendin amë, vazhdojnë ta ruajnë gjuhën amtare. “Ajo është pjesë e identitetit tonë jo vetëm me të cilën komunikojmë me familje, por edhe gjuha me të cilët jemi rritur, gjuha me të cilën na ka rritur nëna”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk duhet pasur frikë nga humbja e identitetit, “sepse identiteti i një njeriu nuk humb në qoftë se ai flet ose shkruan disa gjuhë të tjera”.

“Identiteti nuk humb nëse unë, tash e dyzet vjet shkruaj frëngjisht, spanjisht apo anglisht dhe shpresoj që tash do t’i kthehem edhe shkrimit shqip, por kjo nuk është humbje kulture. Të paktën, unë nuk e shoh kështu”, ka thënë ai.

Për valët e migracionet të diasporës shqiptare në Kosovë, si dhe faktorët të cilët ndikuan në këto migrime ka folur Tahir Latifi, profesor në Fakultetin Filozofik. Në kumtesën “Diaspora shqiptare (e Kosovës) dhe mobilizimi politik”, Latifi ka shpjeguar një nga një valët e këtyre migrimeve.

Ai ka shpjeguar se gjenerata e parë e emigrantëve, e njohur si “Gastarbeiter”, ka ndodhur në vitet 1960-1970, të cilët kanë mërguar në vendet e Evropës Perëndimore: Gjermani, pastaj Austri, Zvicër e Francë.

Pas kësaj ai ka përmendur valën e dytë të migrimeve, e cila nisi si pasojë e represionit dhe përndjekjeve politike dhe që në thelb kishte të bënte me demonstratat e vitit 1981.

“Pas demonstratave të vitit 1981, një numër i madh i të rinjve intelektualë dhe studentë u persekutuan nga autoritetet jugosllave dhe si rezultat ishin të detyruar të largoheshin nga Kosova. Kjo nënkupton se në këtë valë të migrimit, krahas grupeve të tjera, kjo gjeneratë ishte e përbërë nga emigrantë të zonave urbane, të shkolluar dhe të kualifikuar. Ata migruan në Zvicër, Gjermani, por edhe në vende të tjera. Kjo gjeneratë në fakt shënon edhe krijimin e diasporës politike shqiptare (të Kosovës)”, ka shpjeguar Latifi.

Jo shumë pas kësaj, me një shkak shumë të ngjashëm, në vitet ‘90 erdhi vala e tretë e migrimit, e cila kishte si shkak marrjen e autonomisë së Kosovës dhe largimet e dhunshme të udhëhequra nga serbët. “Qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës emigruan në vendet e Evropës Perëndimore e Veriore, madje në SHBA, Kanada dhe Australi”, ka shpjeguar ai. Sipas Latifit, një ndër valët më të mëdha ishte ajo e viteve 98-99, kur edhe shpërtheu lufta dhe e cila përfshiu shpërnguljet brenda dhe jashtë Kosovës

“Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, rreth 1 milion shqiptarë ishin shpërngulur dhunshëm nga shtëpitë e tyre. Rreth 800 mijë në Shqipëri dhe Maqedoni dhe pjesa tjetër brenda territorit të Kosovës. Shumë prej atyre që ishin larguar në Shqipëri dhe Maqedoni më pas ishin larguar në vendet perëndimore”, ka thënë Latifi.

Në fund vjen vala e pestë, e cila përfshin periudhën nga paslufta e deri në ditët e sotme. Kjo valë dallon nga të mëparshmet, sepse tashmë njerëzit largoheshin për motive të tjera që kryesisht lidhen me idenë për të krijuar një jetë më të mirë.

“Pas luftës 1998-1999 filloi një fazë e re e migrimit. Që nga viti 2000, në krahasim me fazat e tjera të migrimit, krahas faktorëve detyrues, shumë nga ata/ato migruan për një jetë më të mirë (faktorë tërheqës). Kështu, arsyet ishin pothuajse ndryshe: bashkimi familjar, papunësia e varfëria, shkollimi etj. Madje edhe më vonë, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, arsyet kryesore janë identifikuar ato që u thanë më sipër”, ka thënë Latifi.

Në fund të këtij sesioni Avni Kastrati, drejtor i Departamentit Social dhe të Popullsisë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, në kumtesën me titull “Emigrimi-konceptet e dhunës në proceset sociale, politike dhe kulturore”, ka treguar për problemet e shumta me të cilat përballen Agjencia e Statistikave në Kosovë, lëshimet që mund të bëhen nga mënyra se si është definuar Ligji për Diasporën dhe Mërgatën e shumë çështje të tjera.

“Kemi pasur mjaft sfida në 2011 dhe do të kemi prapë sfida vitin e ardhshëm, sepse regjistrimi dhe statistikat e sakta të diasporës janë një sfidë e madhe jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjitha shtetet e tjera”, ka thënë Kastrati.

Në ditën e dytë, në kuadër të “Javës së bibliotekës në Kosovë” është mbajtur edhe sesioni me temën: “Arbëreshët - hulumtime dhe dokumentim”, drejtuar nga studiuesi dhe njohësi i çështjes së arbëreshëve Anton Nikë Berisha, si dhe Zaide Krapi nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës.

Në kujtim të Giusepe Faracos u prezantua dokumentari “Për trashëgiminë e arbëreshëve të Kalabrisë”, i cili ishte përgatitur nga prof. dr. Francesco Altimari dhe dr. Battista Sposato.

Anton Nikë Berisha u paraqit me kumtesën “Rëndësia e letërsisë arbëreshe për ruajtjen dhe pasurimin e botës dhe shpirtit arbëresh”, ndërsa dr. Etleva Domi me “Shtypi i arbëreshëve të Italisë në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë: Sfida dhe arritje”, e Zaide Krapi me kumtesën “Publikimet për arbëreshët dhe politikat e zhvillimit të koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”. Dita e dytë e “Javës...”, e cila do të vazhdojë me aktivitetet e saj deri më 11 shtator, është përmbyllur me sesionin filmik “Ferdonije”, ku është shfaqur dokumentari me këtë titull, realizuar nga Gazmend Bajri e Shkurte Dauti, kurse shkrimtari e studiuesi Ag Apolloni ka folur në temën “Dokumentimi i dhimbjes”.