Kulturë

Tinguj hyjnorë për Shën Terezën

Descriptive Text

Me përzgjedhje e interpretim të veprave shqiptare e botërore, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës nëpërmjet tingujve kanë thurur rrëfimin përkujtimor për Shën Terezën, në 25-vjetorin e kalimit të saj në amshim. Ka qenë një koncert plot emocion, që përcjell rrugëtimin e shenjtores shqiptare në misionin e saj hyjnor

Një çerekshekull nga kalimi në amshim, shenjtorja shqiptare Nënë Tereza është nderuar me koncert edhe në Prishtinë. Në katedralen e pagëzuar me emrin e saj, muzikantë kosovarë janë kthyer në udhëtimin e saj të shenjtë për në Kalkutë.

Kori e Orkestra e Filharmonisë së Kosovës me sopranon Adelina Paloja, nën udhëheqjen e dirigjentit Edon Ramadani, kanë zbërthyer “Valsin hyjnor” në qendrën “Bogdani Polis”. Kompozuar prej Genc Tukiçit mbi temën e Lorenc Antonit ata kanë hapur mbrëmjen duke përfytyruar me muzikë e vargje udhëtimin e saj në varkë nga Irlanda për në Kalkutë. Në jehonën e interpretimit të tingujve ndihet furia e rrugës së saj të re. Në interpretimin në Prishtinë depërtojnë vargjet e shkruara nga ajo. Mbërthejnë mërzinë e pikëllimin që po ia kthente shpinën familjes – e gatishmërinë për t’ia mësyrë me bindje një bote të re ku përpiqet të pakësojë mërzinë e atyre që vuajnë. Vargjet e saj gurgullojnë në forcën besimit për t’i shërbyer Krishtit. Në shtrëngimin e kryqit, mbi detin e trazuar që anija ushtron, qetësinë e shpreh betimi për misionin e saj.

Adelina Paloja u ka dhënë zë atyre në koncert me rastin e 25-vjetorit të ikjes fizike të Shën Terezës. Interpretimi me një formacion më të madh, që e shpreh peshën e fjalëve me rëndësinë që ato bartin, ia ka shtuar shumëfish emocionet në skenë të hënën mbrëma.

Image
Fjalë të ndjera për figurën e Nënë Terezës në skenë janë përcjellë nëpërmjet interpretimit edhe nga sopranoja Arta Jashari, shoqëruar prej Korit e Orkestrës

“Kjo është një vepër maestrale dhe emocion i shumëfishtë kur dihet që gjithë vepra është e bazuar në fjalët e Nënë Terezës në udhëtimin e saj në Kalkutë. Unë jam shkrirë në këto fjalë dhe i kam ndier shumë pranë zemrës”, ka thënë Paloja për KOHËN. I gjithë shtatori festohet si muaji i solidaritetit dhe ndihmës për njëri-tjetrin. Në vitin 2012 për nder të punës bamirëse dhe kontributit madhështor të Shën Terezës, Kombet e Bashkuara zyrtarisht vendosën që 5 shtatorin ta shpallin si Ditë Botërore të Bamirësisë. E fjalë të ndjera për figurën e Nënës Terezë në skenë janë përcjellë nëpërmjet interpretimit edhe nga sopranoja Arta Jashari, shoqëruar prej Korit e Orkestrës. Një thyerje në interpretimin e tyre kanë qenë tingujt e lahutës nga instrumentisti Mustafë Ramaj. Vepra e kompozitorit kosovar Kreshnik Aliçkaj ishte interpretuar nga Kori e Orkestra e Filharmonisë së Kosovës edhe në koncertin kushtuar shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan, në vitin 2016. Ky kompozim që ndërthuret me tingujt e instrumentit tradicional ishte inspiruar nga teksti i Remzi Limanit që udhëton nëpër histori të popullit shqiptar.

Image
Një thyerje në interpretim kanë qenë tingujt e lahutës nga instrumentisti Mustafë Ramaj, në veprën e Kreshnik Aliçkajt, “Nënë Tereza”

“Në bazë të tekstit lind edhe inspirimi pasi që lahuta lidhet edhe me pjesën e Mbretëreshës Teutë. Vepra bën ndërlidhjen edhe me Nënë Terezën në këndimin e fjalëve nga sopranoja, që i thotë disa fjalë për të. Kjo bën një ndërlidhje me pjesën historike dhe me pjesën e muzikës së sotme”, ka treguar Aliçkaj për KOHËN.

Interpretimi i veprës “Nënë Tereza” të hënën mbrëma, sipas Aliçkajt, dëshmon që ky formacion e ka trajtuar veprën me seriozitetin më të madh. Vepra “Rrugëtimi – Koha II (Rilindjes)” e kompozitorit Valton Beqiri ka qenë kapërcim edhe më tej në vepër dramatike që nxjerr në pah gjithë kapacitetin e Korit e Orkestrës që për më shumë se një orë kanë përcjellë mesazhe nderimi për figurën e Nënë Terezës. Mesazhet për të bëhen edhe më të pranishme kur nxirren në pah veprat e bamirësisë me sakrificë deri në vetëmohim. Kantata për kor dhe orkestër e Beqirit ka kumbuar në interpretimin e disa vargjeve të poezisë “Fjalët e qiririt” të Naim Frashërit. “Në mes tuaj kam qëndruar e jam duke përvëluar, që t'u ap pakëzë dritë, natënë t'ua bënj ditë”, është përsëritur nga Kori.

Vepra është kompozuar më 2020. Sipas kompozitorit Beqiri, këto fjalë janë gjithnjë të denja për të dhënë mesazhe të rëndësishme për ata që kanë kontribuar për kombin.

“Besoj që ka qenë mirë e përshtatshme edhe për këtë mbrëmje duke nderuar figurën e Nënë Terezës. Besoj që edhe instrumentistët e kori kanë qenë të kënaqur me atë që përfshin vepra dhe kjo u dëshmua edhe me mënyrën se si e kanë interpretuar atë”, ka thënë Beqiri.

Image
Kori e Orkestra kanë dëshmuar fuqinë e tyre të bashkëpunimit edhe në “Rekuiem në D-mol, K.626” të Mozartit

E gjithë pjesa e veprave muzikore shqiptare është udhëhequr nga dirigjenti Edon Ramadani, i cili mbi supe ka pasur përgjegjësinë për goxha formacion. Për Ramadanin, përgjegjësia dhe privilegji në mbrëmje të tilla janë përherë të mëdha.

“Këto koncerte me veprat të cilët u luajtën gjithmonë kanë një dozë më të madhe të përgjegjësisë, meqë ishte edhe koncert përkujtimor. Veprat me korin, solistët e orkestrën ishin më madhështore dhe më me peshë. Kisha nderin dhe kënaqësinë që t’i dirigjoja këto vepra”, ka thënë ai për KOHËN fill pas koncertit. Ky koncert vokalo-instrumental ka kumbuar në veprën dinamike “Rekuiem në D-mol, K.626” të kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart. Kori e Orkestra kanë dëshmuar fuqinë e tyre të bashkëpunimit në këtë meshë përkujtimore që mjeshtri i kompozimit e kishte shkruar në fund të vitit 1791, por që mbeti e papërfunduar deri në vitin 1791. Solistët kanë përshkuar në të duke nxjerrë në pah veçantitë e tyre të interpretimit. Shtatë pjesët e veprës nën dirigjimin e Baki Jasharit kanë ndjekur njëra-tjetrën në interpretimin e sopranos Kaltrina Myftari, altos Diellza Sylejmani, tenorit Granit Musliu e baritonit Armand Likaj.

Koncerti vokalo-instrumental që udhëton në vepra të kompozitorëve shqiptarë e të huaj në koncerte me peshë të veçantë janë vlerësuar si shumë të rëndësishme për publikun e Prishtinës.

“Mendoj që Filharmonia e Kosovës ka bërë një përzgjedhje shumë të mirë duke gërshetuar vepra edhe të kompozitorëve të huaj si ajo e Mozartit, në mënyrë që publiku ta ketë një përmbushje artistike në çdo aspekt dhe në çdo stil”, ka thënë kompozitorit Valton Beqiri për KOHËN.

Image
Shtatë pjesët e veprës se Mozartit, nën dirigjimin e Baki Jasharit kanë ndjekur njëra-tjetrën në interpretimin e sopranos Kaltrina Myftari, altos Diellza Sylejmani, tenorit Granit Musliu (në foto) e baritonit Armand Likaj

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së hënës ka miratuar vendimin që 5 shtatori të shpallet Ditë e Humanizmit në Kosovë. Kjo datë përkon me ditën e vdekjes së humanistes shqiptare, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza.

“Shpallja e kësaj date si Ditë e Humanizmit në Kosovë do të jetë shenjë e respektit dhe përkujtimit të vazhdueshëm nga Republika e Kosovës për të. Vendimin për shpalljen e 5 shtatorit si Ditë e Humanizmit në Kosovë e ka propozuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky vendim hyn në fuqi pas nënshkrimit nga kryeministri dhe obligon për zbatim Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të gjitha institucionet e tjera”, thuhet nga Qeveria e Kosovës.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkutë. Ajo ishte humaniste e njohur shqiptare dhe fituese e shumë çmimeve, në vitin 1979, ajo mori “Nobel” për paqe. U shenjtërua në shtatorin e vitit 2016 nga Papa Françesku në Vatikan.