Kulturë

Gjuha dhe ndikimet e saj nga media dhe teknologjia

Problemin e fjalëve të huaja të cilat futen në gjuhën shqipe nga ndikimi i mediave dhe terminologjisë informatike, lajmet e rreme, si dhe kontributi i Mati Logorecit ishin midis temave që të mërkurën u trajtuan në seancën e parë të doktorantëve të gjuhësisë në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë e Kulturës Shqiptare.

Fjolla Duraku, Labinot Krasniqi, Elsa Boshku, Magdalena Dimitrova dhe Joli Lamaj ishin pesë doktorantët e gjuhësisë të cilët lexuan punimet në seancën e parë të doktorantëve për këtë vit. Punimet e tyre janë fokusuar kryesisht në problemet gjuhësore të shqipes si dhe ndërlidhjet semantike të gjuhëve ballkanike.

Me “Fjalët e huaja të futura me anë të medies në gjuhën shqipe”, Fjolla Duraku ishte e para që shpalosi studimin e saj para të pranishmëve, duke theksuar rolin e madh që mediat sot ushtrojnë në prurjet e reja gjuhësore të shqipes.

“Mediet, çdo ditë e më shumë, luajnë një rol shumë të madh në audiencën tonë. Sa nga informatat që merren, aq dhe nga ndikimi gjuhësor që kanë dhe shqipja, është gjuhë që pranon fjalë të huaja, nga kontakte të ndryshme, e edhe nga mediet” shpjegoi ajo.

Synim i punimit të saj është që të shihet se sa kanë ndikim fjalët e huaja, që futen me anë të medieve, në përdorim në vend të fjalëve shqipe duke pasur parasysh posaçërisht praninë e fjalëve angleze në mediet e folura.

Menjëherë pas saj, me një temë pak a shumë të ngjashme të titulluar “Mjetet gjuhësore në përcaktimin e titujve të lajmeve të rreme të portaleve të Kosovës” para të pranishmëve paraqiti studimin e tij Labinot Krasniqi.

Krasniqi i cili në këtë temë kryesisht fokusohet te rrjetet sociale por edhe portalet e ndryshme, thekson praninë e lajmeve të rreme dhe të pasakta.

“Me zhvillimin e shpejtë të internetit ka dalë një shumëllojshmëri e faqeve të lajmeve, të cilat tërheqin një numër të madh lexuesish, duke u ofruar atyre shumë komoditet dhe shumë të dhëna. Ky avancim në gazetarinë në internet sjell njëkohësisht shqetësime, të cilat vijnë nga informacionet e pasakta, të padrejta dhe subjektive, kur dihet se një nga parimet themelore të gazetarisë është vetë saktësia”, theksoi Krasniqi.

Lidhur me këtë, ai dha shembuj të shumtë dhe të ndryshëm titujsh të cilët si synim kishin hapjen dhe klikimin e lajmeve të tyre ndonëse në të shumtën e rasteve lajmi nuk përkonte pothuajse aspak me tekstin që gjendej brenda tij. Ndër ta ai përmendi edhe titujt të cilët si pikësynim kanë ndjeshmërinë e njerëzve.

“Për të prekur ndjenjat e njerëzve, gazetarët vënë në krye të lajmit tituj sensacionalë, që do të shkaktonin dhembshuri te njerëzit. Nganjëherë këta tituj mund të jenë edhe në formë të urimit ose të mallkimit, si p.sh.: ‘Shpërndaja 10 personave, do të fitosh ....’ ose ‘Shpërndaja 10 personave, që të mos e pësosh edhe ti’”, shpjegonte ai përmes shembujve të marrë në internet.

Përveç kësaj Krasniqi solli edhe disa shembuj të lajmeve të pasakta ku gazetarët, duke përdorur terma fushash specifike bënin që lajmi të fitonte një lloj besueshmërie të lexuesit.

“Për të tërhequr lexuesit e zakonshëm, portalet përdorin edhe terma të fushave specifike, të cilat bartin njohuritë e posaçme të zotëruara nga profesionistët, por jo (domosdoshmërish) edhe nga masa. Kjo është edhe njëra nga arsyet pse ata kanë një efekt bindës në diskursin jo shkencor, ku termat zakonisht janë të paqartë dhe të pa definuar ose të marrë nga shkenca, por që përdoren në një kuptim tjetër”, ka shpjeguar ai para të pranishmëve.

Brenda kornizave të fushës së teknologjisë qëndronte edhe Elsa Boshku studimi i së cilës titullohet: “Terminologjia informatike në fjalorin e gjuhës shqipe për fëmijë”. Në këtë studim Boshku ka bërë një vështrim të përgjithshëm, përmes metodës përshkruese të termave teknikë të fushës së informatikës.

“Në kushtet e një epoke digjitale, në kushtet e një përdorimi kaq të gjerë të internetit dhe shërbimeve që lidhen me të, thuajse në të gjitha veprimtaritë e përditshme është e natyrshme që në tekstet dhe ligjërimet e përditshme të ndeshemi me terma teknikë të kësaj fushe që jo rrallëherë na vënë përballë me vlerësime gjuhësore të cilat lidhen me normalizimin dhe standardizimin e tyre”, ka shpjeguar ajo.

Sipas saj leksiku është ai që në mënyrë të drejtpërdrejtë preket nga zhvillimet teknologjike dhe në këtë mënyrë nevoja për rishikim e shprehjeve teknologjike të gjuhës shqipe është e madhe.

“Ka lindur natyrshëm nevoja për të pasur një unifikim të terminologjisë së një fushe kaq të domosdoshme shkencore”, ka konstatuar ajo.

Në të njëjtën kohë derisa ‘Idriz Ajeti” të Fakulteti të Filologjisë u mbajt tryeza e doktorantëve të gjuhësisë, në Sallës e dekanatit të po këtij Fakultetit u mbajt tryeza e doktorantëve të letërsisë. Po gjatë kësaj dite, në kuadër të Seminarit Ndërkombëtarë për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është mbajtur edhe seanca e dytë e tryezës së doktorantëve të gjuhësisë dhe letërsisë.