Kulturë

Një vështrim i ri mbi narrativat urbane dhe të ardhmet e mundshme për Prishtinën

Me më shumë se gjysmën e popullsisë së Kosovës 25 vjeç e poshtë, Prishtina po shfaqet si një qendër e kreativitetit dhe inovacionit, e manifestuar nga një skenë e gjallë kreative. Vala e Re e Kosovës është shfaqur në industrinë e filmit me një gjeneratë kineastësh të shpërblyer në festivale ndërkombëtare, si “Sundance”, “Bafta”, “Toronto”, “Kanë” dhe në listën e ngushtë për “Oscar”. Ka arte vizuale inventive, dizajn unik të modës të paraqitur në Vogue dhe festivale pararojë të artit dhe filmit - një i organizuar çdo verë nga Dua Lipa, në kthimin e saj vjetor në Kosovë

“Manifesta” – Bienalja Nomade Evropiane – ka ardhur në Prishtinë për edicionin e saj të 14-të, dhe nuk është një zgjedhje aq e papritur sa mund të mendohet. E themeluar në fillim të viteve 1990, organizimi është shndërruar në një platformë udhëtuese që fokusohet në dialogun mes artit dhe shoqërisë, duke hulumtuar dhe nxitur ndryshime pozitive sociale. Ajo ka zgjedhur vazhdimisht lokacione pritëse që pasqyrojnë ADN-në gjithnjë në ndryshim të Evropës, dhe Prishtina, e cila është rritur me shpejtësi nga një qytet i vogël në një qytet ku jetojnë rreth 200.000 banorë dhe lëvizin mijëra udhëtarë të përditshëm, është një qytet me potencial të madh dhe të ardhme të ndritur.

Me më shumë se gjysmën e popullsisë së Kosovës 25 vjeç e poshtë, Prishtina po shfaqet si një qendër e kreativitetit dhe inovacionit, e manifestuar nga një skenë e gjallë kreative. Vala e Re e Kosovës është shfaqur në industrinë e filmit me një gjeneratë kineastësh të shpërblyer në festivale ndërkombëtare, si “Sundance”, “Bafta”, “Toronto”, “Kanë” dhe në listën e ngushtë për “Oscar”. Ka arte vizuale inventive, dizajn unik të modës të paraqitur në Vogue dhe festivale pararojë të artit dhe filmit - një i organizuar çdo verë nga Dua Lipa, në kthimin e saj vjetor në Kosovë. Nga ana tjetër, me vendpunishtet e ndërtimtarisë që po rriten si kërpudha në mbarë qytetin dhe periferitë e tij, dhe me numrin e makinave në rritje, qyteti është si teatër për sfidat komplekse urbane që ndihen përmes bllokimeve të trafikut, ajrit të ndotur, zvogëlimit të hapësirave të gjelbra dhe papunësisë së lartë të të rinjve.

Prandaj, nuk është rastësi që UNDP-ja në Kosovë i bashkoi forcat me “Manifestën”. Na tërhoqi shumë ideja që do të bëheshim partnerë për transformimin e ish-Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, nga një bibliotekë publike e braktisur dhe një vend i mbrojtur i trashëgimisë kulturore në Qendër për Praktikë Narrative. Kjo perlë e fshehur, e harruar pas rrugëve të ngarkuara, është kthyer në një oazë urbane dhe qendër kreative ku njerëzit nga të gjitha sferat e jetës mund të mësojnë së bashku, të tregojnë storje dhe të krijojnë narrativat e tyre.

Image
Maria Suokko, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së dhe drejtoresha e “Manifestas” Hedwig Fijen

Qendra do të shërbejë si hapësirë ndërdisiplinore dhe do t’u mundësojë komunitetit dhe vizitorëve të kryejnë hulumtime dhe të përdorin mjetet dhe materialet në dispozicion për të treguar storje. “Në një farë mënyre Qendra përmbledh atë që i gjithë ekipi ynë do të dëshironte të shihte si kontribut të Manifesta për peizazhin kulturor: Kjo u kthen banorëve një ndërtesë të humbur në një mënyrë që u përgjigjet dëshirave që ata kanë shprehur. Është një vend për të lexuar dhe dëgjuar storje, për të mësuar mënyra të reja për të treguar storje, si dhe për të reflektuar mbi mënyrën se si e përdorim tregimin për t’u angazhuar me njëri-tjetrin, për të marrë pjesë në jetën publike dhe politike dhe për të nxjerrë në pah imagjinata dhe mënyra të reja të të qenit. Pavarësisht nëse je pesë apo shtatëdhjetë e pesë vjeç, atje mund të bësh gjithçka, nga vetë-publikimi tek podkastet, nga leximi dhe hulumtimi te konservimi, arkivimi dhe kopshtaria urbane”, thotë Catherine Nichols, ndërmjetësuese kreative e “Manifesta 14”.

Si një nga trashëgimitë kryesore fizike të “Manifesta 14 Prishtina”, Qendra përfaqëson një model që mund të përsëritet në të gjithë Kosovën, duke ofruar një hapësirë për industritë kreative, ku komunitetet mund të lidhen dhe të eksplorojnë zgjidhje për sfidat urbane, duke krijuar narrativa që mund të çojnë në një të ardhme të qëndrueshme.

Përtej kësaj – ne vlerësojmë rolin e rëndësishëm që “Manifesta” mund të luajë në përshpejtimin e transformimit urban gjithëpërfshirës. Gjatë 100 ditëve të angazhimit të qytetarëve dhe bashkimit të komuniteteve, “Manifesta” ofron një mundësi unike për Prishtinën që të demonstrojë potencialin dhe vullnetin e saj për ta rimarrë hapësirën publike dhe për ta riimagjinuar të ardhmen që banorët e saj aspirojnë të arrijnë.

Përmes 25 lokacioneve magjepsëse, vizitave të ndërmjetësuara, programeve për edukim dhe aktiviteteve të tjera, ngrihen pyetje rreth fatit të monumenteve të rëndësishme por të harruara të Prishtinës – si Kino Rinia, Fabrika e Tullave dhe Hotel Grandi. Këto ndërtesa të spikatura, të përdorura si hapësira kulturore, argëtimi dhe shkëmbimi, mund të na ndihmojnë që ta kuptojmë më mirë të kaluarën e qytetit dhe të reflektojmë mbi të ardhmet e tij të mundshme. Duke përdorur mjete të inovacionit dhe tregimtarisë gjithëpërfshirëse, hulumtimi urban i “Manifestas” synon gjithashtu t’i lidhë mirëfilli pjesët e ndryshme të qytetit në një mënyrë të qëndrueshme, të gjelbër dhe të sigurt. Nëpërmjet intervenimeve të thjeshta dhe simbolike dhe lokacioneve përkatëse, eventi demonstron se si veprimet e vogla mund të kontribuojnë në ndryshime kuptimplota dhe përfitime të shumta.

UNDP-ja i sheh artet dhe industritë kreative si një potencial për Kosovën për të ndërtuar ura përtej kufijve dhe ndarjeve shoqërore, për të frymëzuar ndryshim-sjellësit e rinj dhe për t’i ndërlidhur disiplinat për transformimin urban. Arti lejon narrativa dhe perspektiva të reja, duke i bashkuar njerëzit nga komunitete të ndryshme për të përjetuar fuqinë e tij transformuese dhe për të ngritur mirëqenien. Në të njëjtën kohë, industritë kreative përbëjnë një pjesë në rritje të ekonomisë globale, duke krijuar miliona vende pune në kinematografi, dizajn industrial, turizëm kulturor, prodhim të qëndrueshëm dhe fusha të tjera.

Si pjesë e përkushtimit tonë për t’i mbështetur krijuesit e Kosovës për krijimin e vendeve të reja të punës të denjë dhe për promovimin e kohezionit social, UNDP-ja bashkëpunoi me Komunën e Prishtinës, Qeverinë e Dukatit të Madh të Luksemburgut, Ambasadën Mbretërore të Holandës në Kosovë dhe “Manifestën” për krijimin e Qendrës për Praktikën Narrative. Fakti që arritëm ta ngrinim së bashku Qendrën në një periudhë kaq të shkurtër kohore – në vetëm disa muaj – tregon fuqinë e partneriteteve kur punohet drejt një ëndrre të përbashkët.

Blog nga znj. Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së

Falënderojmë “Manifesta 14 Prishtina” dhe Zyrën për marrëdhënie me publikun të Kryetarit të Prishtinës që ndanë me ne disa nga fotot e përdorura në këtë blog.